Kronika

Sokol Balla flet për videon intime: Sulm terrorist kibernetik

Para disa ditëve u publikuan disa pamje filmike dhe foto personale të gazetarit të njohur Sokol Balla, drejtues dhe autor i emisionit “Top Story”. Videot ishin rezultat i një sulmi ndaj jetës private të gazetarit.

Sokol Balla, i cili duhet të drejtonte këtë të enjte emisionin, si çdo javë ka folur për herë të parë për ngjarjet, motivet dhe qëndrimin e tij për të.

Mesazhi i Sokol Ballës:

Përshëndetje!

Besoj shumë prej jush janë informuar për sulmin e paprecedentë bërë ndaj jetës time private në një aksion të mirëorganizuar nga një grup, që pa frikë unë do ta quaja grup terrorist kibernetik. Ky grup hyri në dhomën time të gjumit, ku unë jetoj i vetëm, dhe bëri publike disa pamje të jetës time private. Këto pamje më pas u botuan nga një portal ‘online’ në Kosovë dhe më pas nga disa të tjera në Tiranë.

Qëllimi i këtij sulmi ishte shantazhi dhe presioni, me gjasë, ndaj punës dhe profilit tim publik. Shantazhi vazhdoi disa ditë, por unë refuzova kërkesat e këtyre terroristëve të internetit, refuzova duke qenë i ndërgjegjshëm mbi pasojat që do kisha, por dhe i qetë në ndërgjegjën time se gjithçka mbi privatësinë time si qytetar është e shenjtë dhe për më tepër e mbrojtur me ligj. Për këtë falenderoj autoritetet shqiptare, të cilat kanë nisur për këtë një hetim edhe ndërkombëtar për këtë çështje.

Unë nuk jam vetëm qytetar, jam edhe gazetar. Misioni im për të vërtetën nuk më lejon mua të parin që të fshihem pas gishtit, ndaj mirëkuptoj edhe ata që janë ndjerë jo mirë nga pamjet e jetës time private, të marra me përdhunë, ndjej keqardhje për stresin që i kam krijuar fëmijëve të mi dhe nënës të tyre, viktimat kryesore në këtë atentat me pagesë ndaj jetës time private dhe publike, familjarëve të mi, por edhe familjes time tjetër, Top Channel dhe shikuesve tanë. Ndjesë të gjithëve! Por nuk ishte zgjedhja ime.

Në shenjë respekti për lëndimin e shikuesve nga botimi i dhunshëm i pak sekondave të jetës time private, “Top Story” nuk do të transmetohet për një periudhë të shkurtër kohore.

Falenderoj gjithë kolegët e mi, edhe ata me të cilët kam pasur replika, apo qëndrime të kundërta, të cilët mbajtën një pozicion të qartë dhe profesional për këtë çështje. Dikush këto ditë tha se nuk kishte rast më të mirë sesa një gazetar që të binte viktimë e gazetarisë së keqe. Unë jam plotësisht dakort me këtë. Më mirë unë, një gazetar, sesa dikush tjetër viktimë, e ndoshta, aktit më të dhunshëm ndaj jetës private të një individi.

Gjatë këtyre ditëve jam ndjerë mirë nga mbështetja e shumicës dërrmuese të opinionit publik, çka na tregoi të gjithëve se shoqëria shqiptare është më e hapur dhe më moderne sesa mendohej dhe se di të ndajë mirë publiken nga privaten, të ligjshmen nga të paligjshmen, moralen nga amoralen.

Këto ditë që nuk do të jem në ekran do t’u rri më pranë të afërmve të mi, sepse ata janë viktimat e vërteta të këtij sulmi. Po gjatë ditëve që do të jem larg ekranit, do të nis betejën e madhe ligjore kundër gjithë aktorëve të këtij atentati mbi privatësinë e individit. Unë nuk e di nëse do t’i fitoj të gjithë këto beteja, por si qytetar dhe taksapagues i këtij vendi më duhet të kem besim tek ligji, Prokuroria dhe gjykatat në përpjekjen time që qytetari Sokol Balla të jetë viktima e fundit e këtij sulmi të paprecedentë ndaj privatësisë së individit.

Faleminderit dhe shihemi së shpejti!

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button