Sot deputetët në seancë, PD kërkon interpelancë me ministrin e Brendshëm
Partia Demokratike ka kërkuar këtë të hënë, 30 mars, interpelancë me ministrin e Brendshëm, Besfort Lamallari. Nënkryetari i Komisionit për Punët e Brendshme dhe Mbrojtjen Kombëtare në Partinë Demokratike, Klevis Balliu në një deklaratë për mediat ka kërkuar që ministri Lamallari të japë llogari në Kuvend në lidhje me shqetësimet për nivelin e inkriminimit dhe cenueshmërinë e Policisë së Shtetit.
“Në emër të grupit parlamentar të Partisë Demokratike kam depozituar në Kuvend kërkesën për interpelancë urgjente me Ministrin e Brendshëm, lidhur me shqetësimet serioze për nivelin e inkriminimit dhe cenueshmërisë së Policisë së Shtetit ndaj korrupsionit dhe ndikimit të krimit të organizuar. Raportet e partnerëve ndërkombëtarë dhe të institucioneve prestigjioze ndërkombëtare kanë theksuar në mënyrë të përsëritur se strukturat e zbatimit të ligjit në Shqipëri mbeten të ekspozuara ndaj korrupsionit dhe infiltrimit kriminal”, u shpreh Balliu.
Më tej Balliu shton se sipas tij depërtimi i elementëve kriminalë në radhët e Policisë së Shtetit përbën jo vetëm një problem institucional, por kërcënon edhe sigurinë kombëtare dhe besueshmërinë e vendit ndaj partnerëve strategjikë.
“Kur elementë kriminalë arrijnë të depërtojnë në strukturat që kanë për detyrë të luftojnë krimin, kjo përbën jo vetëm një problem institucional, por edhe një rrezik serioz për sigurinë kombëtare dhe për besueshmërinë e shtetit shqiptar ndaj partnerëve tanë strategjikë ndërkombëtarë”, u shpreh ai.
Klevis Balliu shprehet se në emër të Partisë Demokratike kërkon nga qeveria dhe Ministria e Brendshme një shpjegim të qartë lidhur me mënyrat se si janë bërë emërimet në Policinë e Shtetit.
Ndërkohë këtë të hënë, 30 mars, në orën 17:00 zhvillohet seanca plenare në Kuvendin e Shqipërisë. Sipas agjendës zyrtare në rendin e ditës është planifikuar të ketë diskutime për çështje të evidentuara nga zgjedhësit.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.