Sot fillon fushata për zgjedhjet lokale në Maqedoni
Lista me kandidatë për kryetarë të komunave dhe për këshilltarë kanë parashtruar 19 parti dhe koalicione, ndërsa 64 janë nga grupe votuesish.
Partitë politike, koalicionet dhe kandidatët e pavarur të cilët do të marrin pjesë në zgjedhjet lokale të cilat do të mbahen më 15 tetor në Maqedoni, sot fillojnë zyrtarisht fushatën e tyre parazgjedhore e cila do të zgjasë për 20 ditë, më saktësisht deri në mesnatën e 13 tetorit.
Me një short të hedhur në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ), u përcaktua rendi në listën e vetme të kandidatëve, më konkretisht në fletëvotimet për zgjedhjet e ardhshme lokale.
Lista me kandidatë për kryetarë të komunave dhe për këshilltarë kanë parashtruar 19 parti dhe koalicione, ndërsa 64 janë nga grupe votuesish.
E para në fletëvotim do të jetë PSDM (Partia Social Demokrate e Maqedonisë), e dyta Koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe RDK (Rilindja Demokratike Kombëtare), me numrin tre është BDI (Bashkimi Demokratik për Integrim), me numrin katër Koalicioni për Manastirin – BDI, BESA dhe Aleanca për Shqiptarët, e pesta koalicioni “Së Bashku për Gazi Babën” e kryesuar nga BESA, e gjashta LPM (Lëvizja Popullore e Maqedonisë), e shtata VMRO-DPMNE, e teta Lëvizja Popullore e Turqve, e nënta Aleanca për Shqiptarët, e dhjeta është TMRO, e 11-ta Partia Demokratike e Turqve, GROM në vendin e 12-të, Koalicioni i kryesuar nga VMRO-DPMNE është e 13-ta, BESA e 14-ta, PDSH (Partia Demokratike Shqiptare) e 15-ta, E Majta e 16-ta, PPD (Partia për Prosperitet Demokratik) e 17-ta, Lidhja e Romëve e 18-ta, ndërkaq LSDM e (Lidhja Social Demokratike e Maqedonisë) 19-ta.
Listat e kandidatëve për anëtarë të këshillave dhe listat e kandidatëve për kryetarë të komunave, të cilat do të parashtrohen nga parashtrues i njëjtë do të kenë numër të njëjtë rendor në të gjitha komunat.
Në komunën në të cilën nuk ka përfaqësues të vet numri adekuat i parashtruesit do të lihet dhe në vend të tij do të shkruhet numri rendor i bartësit të ardhshëm pa lënie të vendit të zbrazët.
Zgjedhjet e gjashta lokale në Maqedoni janë caktuar për më 15 tetor, ndërkaq do të mbahen në 3.480 vendvotime në 80 komuna dhe në Qytetin e Shkupit.
Fushata zgjedhore do të fillojë më 25 shtator në mesnatë dhe do të përfundojë më 13 tetor. Rrethi i dytë i zgjedhjeve është caktuar dy javë më vonë, më 29 tetor. Fushata zgjedhore për rrethin e dytë përfundon më 27 tetor në ora 24:00.