Statistikat: 31 % e femrave dhe 18 % e meshkujve të punësuar punojnë pa pagë
Norma e të punësuarve për popullsinë 15-64 vjeç është 62 % për burrat si 50 % për gratë. Por INSTAT publikon se struktura e të punësuarve numëron se 31,2% e grave të punësuara janë punëtorë pa pagesë në biznesin e familjes, kundrejt 18,2 % të të punësuarve burra.
Një pjesë e konsiderueshme e burrave të punësuar janë të vetëpunësuar pra të punësuar me pagë (38,3 %), kundrejt 24,4 % për gratë.
Në vitin 2016 rezulton se sektori bujqësor punëson 40,2 % të të punësuarve duke pësuar një rënie me 1 % krahasuar me 2015. Rënia e të punësuarve në këtë sektor i atribuohet rënies së të punësuarave gra në këtë sektor me gati 2 % krahasuar me 2015.
Sektori i dytë që zë peshën më të madhe në punësimin e grave pas sektorit të bujqësisë është ai i shërbimeve jo të tregut (20 %) dhe për burrat e moshës 15-64 vjeç punësimi mbizotëron në sektorin e bujqësisë, por në një shkallë shumë të ulët sesa për gratë.
Më pas burrat janë të punësuar në sektorin e shërbimeve të tregut me 27,8 %. Të dhëna të përllogaritura mbi numrin e orëve të punës, na tregojnë se 36,5 % e grave punojnë nën 40 orë në javë kundrejt 27,6 % të burrave.
Duket qartë se burrat janë ata që punojnë punë të paguar shumë më tepër sesa gratë (50 % e burrave punojnë 40-48 orë në javë përkundrejt 46 për qind të grave).
Kur orët e punës rriten në 49 orë në javë, përqindja e grave që punon është sa gjysma e atyre të burrave (23 % burra dhe 11,2 % gra).
Gratë kanë më pak gjasa të marrin pjesë në tregun e punës. Për sa i përket popullsisë 15- 64 vjeç treguesi për burrat ka qenë relativisht i pandryshuar, ndërkohë kemi një përmirësim të pjesëmarrjes së grave në tregun e punës që prej vitit 2013, nga 50 % në 58 % për vitin 2016.
Duke parë arsyet e inaktivitetit, përgjithësisht gratë mbeten jashtë forcës së punës kryesisht pasi janë në pension ose pension të parakohshëm (40 %), duke përmbushur detyrat shtëpiake (21,5 %).
Ndërkohë përmbushja e detyrave shtëpiake për burrat është vetëm 1,0 %. Jashtë tregut të punës për grupmoshën 15-64 vjeç janë 42 % e grave, krahasuar me 26 % të burrave.
Krahasuar me vitin 2015, kjo përfaqëson një përmirësim si për burrat ashtu dhe për gratë