Te ndryshme

Studimi: Cilat janë arsyet e vetëvrasjeve në rritje në Greqi

Arsyet se përse dikush ia merr jetën edhe vetes, statistikat nuk e thonë. Megjithatë, një grup kërkuesish amerikanë i shohin shkaqet e numrit të lartë të vetëvrasjeve në shtetin helen, te kriza ekonomike. Dallim ka dhe mes meshkujve e femrave. Një porosi u jepet edhe mediave. Megjithatë, “ka shumë rrugë për të ngjallur sërish dëshirën për të jetuar, por mundësitë janë shpesh jo të njohura sa duhet”, sugjerojnë studiuesit

Homeless+Streets+Athens+Struggle+Due+Greek+V44fmLCQtsblPapunësia, borxhet, shërbime sociale të reduktuara dhe humbje e banesës – për shumë njerëz në Greqi këto raporte qysh prej fillimit të politikave të kursimit në qershor 2011, tashmë janë bërë një realitet. Që prej asaj kohe, numri i vetëvrasjeve në vendin fqinj ka pësuar rritje të ndjeshme, raportojnë studiuesit amerikanë të grupuar rreth epidemiologut Charles Branas në Universitetin e Pensilvanisë.

“Megjithëse Greqia e parë në aspektin historik dëshmon njërën ndër përqindjet më të vogla të vetëvrasjeve në botë”, shkruajnë kërkuesit në revistën BMJ Open, zhvendosja ekonomike negative ose e thënë më shkoqur, “kriza globale financiare”, nuk ka ndikuar në asnjë vend tjetër europian më shumë sesa në Greqi.

Konkretisht, qysh nga qershori 2011, çdo muaj regjistrohen mesatarisht 11 vetë që marrin dhe e ekzekutojnë vendimin fatal për të vrarë veten, në krahasim me vitet e muajt e mëparshëm. Përqindja është rritur pra me 36 pikë, duke kapur një vlerë mesatare mujore tashmë prej 40 vetëvrasjesh.

Kërkuesit mblodhën të dhëna nga 30 vitet e shkuara. Mes viteve 1983 dhe 2012, ato shkonin në total në 11 505 vetë për Greqinë, si raste të dokumentuara vetëvrasjesh, e ndër ta me 9 079, thuajse tri herë më shumë burrat sesa gratë, nëse do ta shihnim në një raport gjinor.

Duket se asnjë ngjarje e fenomen tjetër sesa masat e ashpra të kursimeve, nuk i ka prekur më shumë grekët, duke ia nisur nga qershori 2011. Kurrë më parë përqindja e vetëvrasjeve qysh nga vitet 1980, nuk ka qenë më e lartë se tani.

Varfëria renditet si një ndër shkaktarët

Tek e fundit, këtë mund ta dëshmojë vetëm një argument statistikor. Por arsyen se përse pra në këto kohë “po ia heqin vetes” më shumë njerëz në Greqi, këtë megjithatë s’ta zbulojnë dot shifrat. Edhe arsyet shumë personale, se përse njerëzit gjenden në situata të tilla, të cilat ato vetë i përcaktojnë në fund si pa zgjidhje, nuk mund të përgjithësohen.

Ato shkojnë që nga përjetimet traumatike, përvojat e dhunshme, sëmundjet psikike, si depresioni, e deri te varësia nga droga dhe dhembjet kronike. Sidoqoftë, edhe raporti i parë ((Preventing Suicide, 2014) mbi situatën e vetëvrasjeve i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, thotë pak a shumë se ekziston ndërkaq një lidhje mes situatës financiare dhe mendimeve apo tentativave për vetëvrasje.

Kështu, vlerësohet se janë më shumë se 800 000 njerëz që u vetëvranë gjatë vitit 2012 në mbarë botën. Tre të katërtat e të gjitha vetëvrasjeve u kryen në vende, në të cilat njerëzit fitojnë mesatarisht më pak para.

Në një krahasim ndërkombëtar, numri i vetëvrasjeve në Greqi është i vogël. Sipas vlerësimeve të OBSH-së, në Republikën Helene në vitin 2012 ishin më pak se pesë vetë ndër 100 000 banorë ata që vrisnin veten. Me përjashtim të Italisë, përqindjet e grekëve krahasuar me mbarë Europën, janë më të larta.

Për një analizë të detajuar të gjendjes së vetëvrasjeve aktualisht në Greqi, Charles Branas dhe kolegët e tij po mbajnë parasysh si periudhat e mira ekonomike, ashtu dhe ato të këqija.

Kështu, përqindja e vetëvrasjeve te meshkujt ra me 27 për qind të vlerës, kur Greqia në janar 2002 iu bashkua monedhës së përbashkët, euros.

Qysh nga fillimi i recesionit ekonomik në 2008-n, numri i tyre te ta u rrit me shpejtësi. Besohet se nga kriza u prekën më tepër meshkujt sesa femrat, ngaqë ata në më të shumtën e rasteve ishin të vetmit përfitues apo kontribuues të buxhetit familjar, thonë studiuesit.

Ata, për të përmbushur objektivat e studimit të tyre, përthithën jo vetëm statistika zyrtare greke, por kërkuan dhe analizuan edhe rastet e vdekjeve që janë regjistruar si aksidente dhe që me shumë gjasa mund të kenë qenë edhe vetëvrasje.

Mbi vetëvrasjet duhet raportuar me kujdes

Rezultatet e studimit të tyre treguan jo vetëm se cilat janë pasojat e krizës greke të borxheve mbi popullsinë, por edhe se sa e rëndësishme është të mbrosh më mirë me masa sociale njerëzit e rrezikuar nga kriza ekonomike. “Më shumë vëmendje duhej treguar edhe ndaj mënyrës se si shpërndahen masat e kursimeve”, shkruajnë studiuesit.

Mediave dhe politikanëve, sipas tyre, u kërkohet gjithashtu që të bëjnë raportime më të kujdesshme në lidhje me vetëvrasjet. Kështu, përqindja e vetëvrasjeve u rrit në prill 2012 në terma afatshkurtër me 30 për qind, pasi një pensionist në Athinë vrau veten demonstrativisht në një shesh publik të kryeqytetit.

Shtypi raportoi me detaje dhe e trajtoi emocionalisht rastin – aq sa madje u cituan edhe paragrafët e letrës së ndarjes nga jeta të burrit fatkeq.

Të tilla raportime janë të njohura për të mësuar se si sillen njerëzit në situata të vështira shpirtërore e emocionale me mendimet që kanë në kokë për vetëvrasjen. Në kësi rastesh, gjendjet e jashtëzakonshme psikike mund të trajtohen më së miri, si për burrat, ashtu dhe për gratë, të cilët nuk shohin më asnjë perspektivë, duke u ardhur konkretisht në ndihmë.

“Ka shumë rrugë për të ngjallur sërish dëshirën për të jetuar – por mundësitë janë shpesh jo të njohura sa duhet”, sugjerojnë studiuesit.

Kur nis historia?

Rrënjët e krizës ekonomike greke

Rrënjët e krizës aktuale ekonomike greke apo të njohur ndryshe edhe si “kriza greke e borxheve”, duhen kërkuar larg në kohë. Sipas “Financial Times”, vit kufi për këtë ka qenë viti 1967, kur në pushtet erdhën ushtarakët puçistë. Greqia mbeti e mbërthyer në diktaturë. Shtatë vitet e humbura të regjimit ushtarak të kolonelëve, janë edhe shkaku për sistemin arsimor tashmë të vjetruar, që sot është edhe njëra ndër arsyet për mungesën e konkurrueshmërisë së ekonomisë greke.

Epoka demokratike në Greqi, siç dihet nisi me vitin 1975. Qysh prej asaj kohe kanë kaluar sigurisht 37 vjet, mirëpo gjatë kësaj kohe, nuk është arritur të tejkalohet sistemi i vjetër, përkundrazi: sikurse edhe më parë, u vijua me një aparat shtetëror shumë të fryrë, administratë joefektive dhe transferim parash publike.

Shërbimi shtetëror dhe ekonomia informale në Greqi u dëshmua se ishin një problem madhor: një e katërta e të gjithë të punësuarve, rreth një milion njerëz, punojnë në shtet, ndërsa në Gjermani për shembull, ky raport është një në shtatë vetë (sipas të dhënave të Ministrisë gjermane të Punëve të Jashtme). Numri i personave në pozicionet udhëheqëse në Greqi është shumë i madh, në krahasim me popullsinë apo numrin e të punësuarve, dhe gjithashtu inefektiv.

Qysh pak para rënies së juntës ushtarake, ish-kryeministri konservator, Konstantin Karamanlis, kërkoi në Bruksel në vitin 1975, anëtarësimin e Greqisë në Bashkimin Ekonomik Europian, siç quhej asokohe. Mirëpo Komisioni Europian këshilloi në janar 1976, një pranim të shpejtë e pa kushte për Greqinë: ekonomia greke e ravijëzuar fort nga prodhimet bujqësore, nuk ishte konkurruese; inflacioni, papunësia dhe deficiti tregtar, ishin shumë të lartë, në shifra problematike.

Më 9 shkurt 1976, Këshilli i Ministrave i Unionit të atëhershëm, ia nisi negociatave me Athinën. Athina premtoi të vendoste rregull në financat e veta, por pas pranimit formal në vitin 1981, i mbajti të paplotësuara premtimet e saj.

Në vitin 1981, në pushtet erdhi socialisti Andreas Papandreu që fillimisht ishte kundër një anëtarësimi në ish-Bashkësinë Ekonomike Europiane. Papandreu megjithatë i njohu herët avantazhet e integrimit duke e parë atë si një burim joshës parash.

Para së gjithash, me anë të transfertave nga Brukseli, Papandreu financoi në vitet ’80 iniciativat e tij sociale – të cilat arriheshin me marrjen e gjithnjë e më shumë kredive nga jashtë. Sipas të dhënave të Komisionit Europian, Greqia ka marrë nga viti 1981 deri në 2006-n, rreth 52 miliardë euro nga fondet strukturore europiane.

Edhe qeveritë që erdhën më pas vijuan trendin e rritjes së borxheve, duke e fryrë njëkohësisht edhe shërbimin publik, një pasojë kjo e politikave të klientelizmit, nepotizmit dhe militantizmit politik, duke kënaqur të gjitha dëshirat e shokëve, familjarëve e anëtarëve të familjes politike, pa e vrarë mendjen shumë për pasojat.

Në fillim të viteve ‘90, u duk sikur Greqia po reflektonte disi. Pas fitores së konservatorëve, qeveria ia nisi të shkurtonte radikalisht shpenzimet. Por grekëve u erdhi në majë të hundës nga kursimet dhe në vitin 1993, u rikthye në pushtet sërish Papandreu.

Shumë shpejt ai do të duhej t’ia linte vendin kryeministrit të ri, Kostas Simitis. Simitis ia nisi me reforma dhe shkurtoi në dukje me sukses, shpenzimet shtetërore. Deficiti, që në vitin 1993 akoma ishte në nivelin e 13 përqindjeve të PBB-së, po shkrihej si me magji.

Në vitin 1998, Simitis njoftoi në Bruksel se kishte një deficit buxhetor prej vetëm 2,5 përqindësh. Në vitin 2000, vitin e vendimit të hyrjes së Greqisë në Eurozonë, u njoftua madje se Greqia kishte një deficit prej vetëm një përqindësh. Ekspertët e EUROSTAT-it dyshonin prej vitesh për shifrat e servirura nga Athina. Mirëpo, me gjithë paralajmërimet nën zë, ministrat e Financave të BE-së i refuzuan raportet e tyre mbi performancën financiare greke në pranverë 2000. Greqia u pranua në Eurozonë.

E kështu vijuan andralla të tjera, derisa bomba e vërtetë shpërtheu në vitin 2009, pas ndërrimit të qeverive në Athinë. Edhe shefi i ri i qeverisë, Jorgos Papandreu (i biri i Andreas Papandreut) bëri të njëjtën gjë si paraardhësi: sërish u gënjye Brukseli, konstatoi ai. Dhe sërish deficiti buxhetor “u korrigjua” me tendencë rritëse, sikurse ishte bërë gjatë viteve paraardhëse – në vitin 2009 madje nga 3,7 në 12,5 për qind. E tani, Greqia duket se nuk mund t’i paguajë dot më borxhet e veta.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button