Studimi: Shkencëtarët zbulojnë se rreth 90% e ADN-së sonë nuk ka funksion
Më shumë se 90% e ADN-së njerëzore nuk bën asgjë vërtet të dobishme dhe zgjatja e madhe mund të mos jetë më shumë se bagazh biologjik i ndërtuar gjatë viteve të evolucionit, pretendojnë kërkuesit e Oksfordit.
Ata arritën në këtë përfundim pasi krahasuan gjenomin njerëzor me përbërjen gjenetike të mamalëve të tjerë, që nga qentë dhe minjtë deri te rinoqerontët dhe kuajt.
Hulumtuesit kërkuan për copëza të ADN-së që njerëzit kishin të përbashkët me kafshët e tjera, që janë ndarë nga raca jonë në pjesë të ndryshme të historisë. Kur ADN-ja është e përbashkët dhe ruhet mes specieve, kjo këshillon se ka diçka të vlefshme tek ajo.
Gerton Lunter, një shkencëtar në skuadrën e atyre që kryen studimin, tha se bazuar në krahasime, 8.2% e ADN-së njerëzore ishte “funksionale”, që do të thotë se luan rol të rëndësishëm për të vazhduar të ruhet.
“Duke folur shkencërisht, nuk kemi prova që vërtetojnë se 92% e gjenomit tonë po kontribuon në biologjinë tonë”, – tha Lunter.
Kërkuesit e kanë pasur të qartë për disa kohë se vetëm 1% e ADN-së njerëzore mban gjenet që kanë proteinat thelbësore për mbajtjen në jetë dhe në gjendje të mirë shëndetësore të qelizave dhe trupave.
Studimi më i fundit, i raportuar në revistën e gjenetikës, këshillon se 7% e ADN-së njerëzore është përgjegjëse për rregullimin e kohës, vendit dhe mënyrës sesi shprehen gjenet.
Por nëse shumë prej ADN-së sonë është e pavlefshme, përse vazhdojmë ta mbajmë? “Nuk është e vërtetë se natyra është treguar e kursyer e na ka bërë të kemi nevojë për një gjenom të vogël. Gruri, për shembull, ka një ADN më të madhe se ne”, – sqaron Lunter. “Ne nuk jemi projektuar. Ne kemi evoluar dhe ka qenë një proces i ndërlikuar. Pjesa tjetër e ADN-së nuk është e padobishme. Mund të na duhet një ditë. Por për momentin nuk ka asnjë funksion”.
Një pjesë e ADN-së sonë është “mbeturinë” nga viruset e lashta që kanë futur materialin e tyre gjenetik në ADN-në tonë apo të paraardhësve tanë. Kjo është copëtuar përgjatë evolucionit mijëvjeçar.
Megjithatë 8.2% duket një porcion i vogël ADN-je për ta quajtur funksional, me kuptimin e plotë të fjalës. Në studimin e Oksfordit, ADN-ja është “funksionale” nëse ndikon në riprodhimin dhe vazhdimësinë tonë.
Por disa shkencëtarë të tjerë kanë një këndvështrim të ndryshëm për atë që do të thotë ADN funksionale. Shumica e 92% që grupi i Lunterit e përcakton si jofunksionale është ende aktive në trup në njëfarë mënyre.
“Shumë elemente të ADN-së që luajnë role të rëndësishme në sëmundjen e njeriut nuk janë ruajtur në rrugë evolucionare. Disa prej tyre kanë funksion të lidhur ngushtësisht me veçantitë njerëzore. Disa prej tyre janë përfshirë në sëmundje si Alzheimeri dhe të tjera nuk janë vënë re nga metodat e gjenomiksit krahasues”, – tha Manolis Kellis, një biolog kompjuterik i papërfshirë në studim.
“Nuk mund të injorojmë 90% të ADN-së që mbetet në gjen për shkak se nuk është ruajtur përgjatë evolucionit. Ky mund të tregojë se çfarë është e rëndësishme dhe çfarë jo, por nuk tregon çfarë funksioni ka një material i ADN-së”, – tha ai.