Kronika

Sulm ndaj institucioneve, Lleshaj: Shoqëria të reflektojë ndaj përpjekjeve për destabilizim

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj në një konferencë për mediet nga mjediset e Ministrisë së Brendshme apeloi qytetarët dhe opinionin publik në tërësi për reflektim të thellë ndaj përpjekjeve për destabilizim dhe për distancim të qartë nga dhuna.

“Tirana jetoi mbrëmë një mori sulmesh të koordinuara kundër institucioneve kushtetuese. Institucionet dhe policia  u gjendën nën kërcënimin e bombave molotov. Sulmet e djeshme u përballuan falë përkushtimit, durimit heroik, qetësisë dhe profesionalizmit të panjohur më parë të Policisë së Shtetit. Ata burra e gra, djem e vajza që u vunë dje në shënjestër të sulmeve të egra meritojnë vlerësimin, respektin dhe mirënjohjen e çdo shqiptari. Për orë të tëra, ata përballuan me qindra bomba molotov, me mijëra mjete të tjera të ndaluara piroteknike, mjete tymuese, gurë e sende të tjera të forta. Do të kishte qenë në nderin e atij grupimi, që pretendon se është politik, madje edhe demokratik apo europian, që ta ndalte dorën e dhunës ndaj djemve dhe vajzave të këtij vendi, të cilët thjesht kryejnë me përkushtim dhe sakrificë një detyrim ligjor”, theksoi Lleshaj.

“Sigurisht, që do të kishte qenë mirë, që edhe ata punonjës policie, që u angazhuan në ndalimin e njërit për organizatorëve të sulmeve, të kishin bërë ndryshe diçka.  Mirë do të ishte që, siç duruan në mënyrë stoike për orë të tëra nën zjarr, të kishin menaxhuar ndryshe edhe pak sekonda, vetëm pak sekonda, gjatë ndalimit të personit në fjalë, ndonëse në kushtet e kundërshtimit. Por episodi i pak sekondave nuk mund të mbulojë apo justifikojë histerinë e zjarrit real, por edhe verbal që u derdh mbi institucionet dhe mbi vetë Policinë”, shtoi Lleshaj.

“E konsideroj me rëndësi t’u bëj thirrje të gjithë qytetarëve, opinionit publik, medias dhe gjithë shoqërisë, për reflektim të thellë ndaj përpjekjeve për destabilizim dhe për distancim të qartë nga dhuna kundër institucioneve kushtetuese, rendit kushtetues dhe forcave të rendit. Fakti që ideatorët, planëzuesit, organizuesit dhe drejtuesit e sulmeve janë të njëjtët persona apo grupime, që kanë prodhuar për këtë vend tragjedi të rënda si 1997-ta, 1998-ta, apo 2011-ta meriton vëmendje të thellë publike. Drejtuesit e djeshëm të sulmeve me molotov, drejtonin sulmet me armë zjarri kundër protestuesve në të njëjtin vend, në vitin 2011”, tha Lleshaj.

“Ata që mbronin apo justifikonin me qetësi deri kriminale vrasjen e 4 protestuesve, plagosjen me armë zjarri të dhjetëra të tjerëve dhe plagosjen e qindra të tjerëve nga dhuna fizike e Policisë në 2011-ën, i sot lejojnë vetes të drejtën që sot të japin leksione sjelljeje apo demokracie”, tha ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj.

“Distancimi nga dhuna, nga ideatorët apo ekzekutuesit e saj është shërbimi më i mirë që ne i bëjmë të ardhmes së vendit tonë. Ashtu si gjithë qytetarët e ndershëm të këtij vendi, Qeveria shqiptare, Ministria e Brendshme mbështesin plotësisht Policinë e Shtetit në plotësimin e misionit të saj, për ruajtjen e rendit publik dhe atij kushtetues”, përfundoi Lleshaj.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button