Sulmet terroriste, Turqia pezullon shefat e policisë dhe sigurisë së Ankarasë
Ministria e Brendshme e Turqisë ka bërë të ditur pezullimin nga detyra të shefave të policisë, inteligjencës dhe sigurisë të Ankarasë, në përpjekje për të ndihmuar hetimet e nisura mbi sulmet terroriste me bombë të së shtunës së kaluar, nga të cilat mbetën të vdekur 97 persona.
Dy shpërthimet radhazi që patën si objektiv një miting të aktivistëve prokurdë dhe grupet civile shkaktuan irritim masiv nga kundërshtarët e qeverisë, të cilët fajësojnë pikërisht atë se kanë dështuar të parandalojnë sulmin më të egër të këtij lloji në tokën turke. Disa të tjerë akuzojnë qeverinë si bashkëpunëtore.
“Në mënyrë që të zhvillohet një hetim i shëndetshëm dhe produktiv ndaj sulmit të neveritshëm terrorist dhe për të qenë në të njëjtën linjë me kërkesat e kreun e grupeve civile dhe inspektorët e policisë, shefi i policisë së kryeqytetit, shefi i Departamentit të Inteligjencës dhe ai i Departamentit të Sigurisë janë pezulluar nga detyrat e tyre respektive”, lexohej në një deklaratë të faqes zyrtare të Ministrisë së Brendshme turke, mbrëmjen e së martës. Deklarata nuk bën të ditur nëse këta zyrtarë do të rikthehen në postet e tyre pas hetimit.
Njoftimi erdhi vetëm pak orë pasi Presidenti Tayyip Erdogan pranoi se, ka pasur një dështim të zyrtarëve të inteligjencës, për të cilin tha se do të hetohet deri më një. Të martën, protestues në mitingjet e organizuara nga sindikata tregtare nuk u lejuan nga qeverisja lokale e Stambollit të marshonin në sheshin “Beyazit” për shkaqe sigurie.
Mundësia që, një grup i njohur mirë nga autoritetet të mund të ketë kryer sulmet e së shtunës, ka shtuar së tepërmi presionin ndaj qeverisë turke, e cila ka qenë edhe përpara këtij sulmi nën presion nga kundërshtarët opozitarë, si të dështuar për të dhënë informacione mbi bombardimet në Diyarbakir dhe Suruç, më herët gjatë muajve të fundit.
4 persona u vranë nga bombardimet në mitingun e Partisë Demokratike Popullore (HDP) në qytetin juglindor të Diyarbakirit, në prag të zgjedhjeve të qershorit. Në korrik, një bombë e hedhur siç dyshohet nga Shteti Islamik në Suruç, pranë kufirit me Sirinë, vrau 33 persona, shumica aktivistë të rinj prokurdë.