Sulo: Pres që ambasadori i ri i SHBA-së të mbështesë SPAK-un, që ta ngrejë stekën e goditjes
Analisti Arion Sulo ka deklaruar në emisionin “Trialog” të Alba Alishanit se gjenerali Eric Wendt që pritet të emërohet ambasador i ri i SHBA-ve në Shqipëri do të jetë edhe një mbështetje e re për SPAK-un për të shmangur presionet politike.
Sipas Sulos, deklaratat e deritanishme të Wendt tregojnë se ai do të ndjekë një linjë të prerë dhe të drejtpërdrejtë, jashtë kornizave klasike të diplomacisë.
“Shiko, ai domethënë e la edhe kostumin diplomatik, që për mua s’e ka veshur dhe s’do ta veshë. Ai për mua do të jetë… Në qoftë se mban këtë linjë — në qoftë se nominohet së pari dhe në qoftë se do të mbajë këtë linjë, dhe besoj se këtë linjë do të mbajë — nuk do të flasë si diplomat,” u shpreh Sulo.
Sulo vuri dukje se pika më kritike mbetet korrupsioni dhe cenimi i garës elektorale e ekonomike.
Duke komentuar lidhjen e ngushtë dhe njohjet personale të diplomatit me Presidentin e SHBA-së, Sulo sqaroi se kjo duhet parë si avantazh, por me kushtin që të mos keqpërdoret në terrenin shqiptar.
“Unë i shkoja më shumë asaj se, si mik i Presidentit, domethënë në diplomaci, në një linjë më të ngushtë, pak më të izoluar… Njohjet janë një plus, nuk është se nuk kanë vlerë. Çështja është që të mos kthehet në taraf, nepotizëm e gjëra të tjera. Por tani të vijmë te SPAK-u. Çështja është që, së pari, është e drejtë ajo që thanë kolegët se i ka munguar SPAK-ut një mbështetje, sepse SPAK-u rri në këmbë nga amerikanët”, tha më tej Sulo.
Ai theksoi se ambasadori i ri mund të shërbejë edhe për shmangur presionet politike ndaj SPAK-ut.
“Sepse prej shkurtit e këtej nuk kemi ndonjë lëvizje të madhe; thonë që kanë dosje në dorë dhe kanë hetime, por kjo është çështje që i përket, domethënë, jo analizës. Tani, pra, unë pres që këto hetime ndaj qeverisë të shkojnë lart, më lart, fort dhe lart. Nuk është aq shumë ligjore, sepse asoll-asoll Presidenti apo ky ambasadori amerikan nuk ka punë me institucionet tona kushtetuese. Ky është anormaliteti shqiptar që ekziston këtu. Ata kanë një mbështetje me ONM-në (Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit), kanë mbështetje me strukturat amerikane shtetërore, siç thashë, që janë agjencitë e tyre këtu. Por ambasadori amerikan është ai që shkon atje dhe, po të themi për ta përcaktuar, ai përcakton që po vazhdohet dhe shmang presionet. Në qoftë se atyre u bëhet presion, në qoftë se kërcënohen prokurorët për çështjet e nxehta dhe, le të themi, të mëdha, është ai që e ndan këtë gjë — siç ka ndodhur gjithmonë”, nënvizoi Sulo.
Sulo theksoi se testi i parë i vërtetë për ambasadorin e ri amerikan do të jetë mbështetja konkrete për të ngritur sipër stekën e llogaridhënies.
“Puna është që tani unë pres, pra, edhe nga SPAK-u, edhe nga vendi, që ky emërim i ri të tregojë se sa do ta mbështesin dhe si do ta mbështesin SPAK-un, duke e çuar stekën më lart. Pra, duke shkuar te fenomenet e mëdha të kapjes së këtij shteti, sepse ne jemi një shtet i kapur këtu. Ky është problemi. Duket sfiduese nëse ne e ripërcaktojmë se kjo do të jetë sprova e parë e ardhjes së një ambasadori të ri, nëse do të duhet ta nisim me prioritete nga SPAK-u dhe drejtësia”, tha Sulo.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.