Kronika

Supervjedhja, në hetuesi zinxhiri komandues i Bankës së Shqipërisë

Skandali

Prokuroria ka prerë fletëthirrjet e para për zv.guvernatoren dhe anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës. Do pyeten të hënën për auditet në Departamentin e Emisionit, apo për mosveprimet…

Vjedhja e Thesarit  

Nga Sokol Çobo

Postera-me-foto-te-Guvernatorit-Ardian-FullaniHetimet për supervjedhjen në Thesarin e Shtetit kanë hyrë në një fazë tepër interesante, ku akuza po kërkon edhe përgjegjësitë e zinxhirit komandues të Bankës së Shqipërisë. Prokuroria e Tiranës kërkon dëshminë e anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës të BSH-së, të cilët do të pyeten si persona që kanë dijeni për faktet penale, dhe jo si të hetuar apo të pandehur, pasi deri më tani nuk janë gjetur elementë të veprës penale ndaj këtyre zyrtarëve. Hetuesit e çështjes synojnë që të mësojnë më shumë mbi auditet e kryera nga Banka në Departamentin e Emisionit në Linzë, ku mësohet se për mbi 16 muaj ky departament, funksiononte pa udhëzime dhe rregullore. Asnjë nga grupet e auditit nuk ka konstatuar këtë mungesë në procedurat e funksionimit të “kasafortës” së parave të shtetit shqiptar, duke lejuar indirekt që të ndodhte edhe supervjedhja, ku punëtorët e Thesarit mësohet se kanë marrë mbi 700 milionë lekë.

Seancat e pyetjeve

Burime nga Prokuroria e Tiranës thanë për gazetën Shqip se pyetjet e zinxhirit komandues të Bankës së Shqipërisë do të fillojnë në fillim të javës. Mësohet se në drejtim të zv.guvernatores, Elisabeta Gjonaj, është dërguar një fletëthirrje për t’u paraqitur në akuzën e kryeqytetit ditën e hënë. Prokurori Ramadan Troci ka përgatitur dhjetëra pyetje për këtë zyrtare të BSH-së, që nga funksionimi i bankës e deri tek urdhrat për auditet në Thesar. Madje, do të pyetet nëse ka kontrolluar apo jo rezultatet e auditit, ndërsa me interes do të jetë se kush ka kryer audit në Departamentin e Emisionit. Akuza synon që të mësojë më shumë mbi veprimet apo mosveprimet e BSH-së në Thesar, apo edhe emërimet e punonjësve të saj.

Krahas Gjonajt, akuza saktëson se në pyetje do të merren të gjithë anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës, për të mësuar më shumë mbi diskutimet në këtë Këshill për Thesarin, apo për urdhrat e kontrollit në këtë departament. Megjithatë, prokuroria sqaron se pyetja do të bëhet në bazë të nenit 312 të Kodit të Procedurës Penale, ku në rast se personat nuk paraqiten në prokurori, atëherë do të bëhet edhe shoqërimi i detyrueshëm.

Por, akuza saktëson se, pas pyetjeve të këtyre zyrtarëve, do t’i vijë radha edhe Guvernatorit Ardian Fullani, i cili më parë ka kontaktuar me drejtues të akuzës qendrore, në momentin që ka denoncuar këtë rast. Por, në atë kohë, Guvernatori kërkoi konfidencialitet për këtë çështje, por pak orë më vonë bëri një njoftim zyrtar, ku tregonte se BSH-ja denoncoi dy punonjës të saj për vjedhje në Thesar.

Auditet dhe dëmi

Ditët e fundit, prokuroria ka përgatitur dokumentet për caktimin e ekspertëve që do të vlerësojnë dëmin e shkaktuar nga supervjedhja në Bankën e Shqipërisë. Deri më tani, hetuesit kanë marrë vetëm një raport nga vetë auditi i BSH-së. Paralelisht me bankën dhe prokurorinë, në këtë institucion po kryen një audit edhe KLSH-ja, raporti i të cilit pritet të shkojë sërish për grupin hetimor. Tashmë pikëpyetja më e madhe është sasia e vjedhur apo se ku kanë shkuar këto para, janë harxhuar në lojërat e fatit apo janë transferuar jashtë vendit. Megjithatë, duket se  edhe prokuroria ka filluar rezervat e para ndaj Bankës së Shqipërisë, ku dyshon për vërtetësinë e raportit të konstatimit të shumës së vjedhur, ndërsa ende nuk dihet sesi do të kryhet një audit i tillë nga ekspertë të caktuar prej prokurorisë, pasi nuk mund të numërojnë dot paratë e viteve të kaluara që kanë kaluar në arkën stok dhe në veprim. Vetëm Bitraj ka pohuar se ka vjedhur nga 6–7.5 milionë USD, ndërsa akuza ende nuk ka një shifër të saktë, duke u mjaftuar se janë vjedhur mbi 700 milionë lekë. Por, krejt ndryshe nga prokuroria, të “zotët e shtëpisë” kanë publikuar shifrën e saktë të kësaj vjedhjeje: është 713 milionë. Ende nuk dihet përse Këshilli Mbikëqyrës e publikoi këtë shifër, në një kohë që prokuroria nuk kishte asnjë informacion të tillë, por kërkonte me ngulm një audit të plotë.

Pikëpyetjet

Hetimi i kësaj çështjeje ka ngritur shumë pikëpyetje, teksa banka thotë se e ka zbuluar ajo këtë skandal, por, nga ana tjetër, akuza pretendon se ka qenë vetë Ardian Bitraj personi që u vetëdenoncua dhe tregoi supervjedhjen nga Thesari i Shtetit. Banka e ka cilësuar çështjen si “sekret shtetëror”, madje këtë e bëri publike edhe gjatë një njoftimi për shtyp, ku pretendonte se kishte zbuluar vjedhjen dhe kishte kallëzuar në prokurori dy persona. Më vonë, burimet zyrtare nga akuza qendrore thanë se çështja nuk është “sekret shtetëror”, por mund të konsiderohet vetëm si “sekret hetimor”. Një tjetër “përplasje” ka qenë edhe për zbulimin e vjedhjes, ku akuza pretendon se Ardian Bitraj nuk është zbuluar nga asnjë audit. Ai është vetëdenoncuar dhe, sipas informacioneve, ka kërkuar siguri të jetës për të treguar emrat e tjerë të përfshirë.

Guvernatori

Pas dëshmive të anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës, në pyetje do të merret edhe guvernatori Ardian Fullani, i cili më parë ka kontaktuar vetëm me drejtues të akuzës qendrore, në momentin që ka denoncuar këtë rast

Të pandehurit

Dorian Çollaku

Ish-drejtori i Departamentit të Emisionit është zyrtari më i lartë që ndodhet në qeli për këtë superskandal në Bankën e Shqipërisë

Ardian Bitraj

Ky i arrestuar konsiderohet si organizatori i kësaj supervjedhjeje, ndërsa ka pranuar se vjedhjen e ka kryer për katër vite me radh

Mimoza Bruzia

Bashkëpunëtorja e Bitrajt ka pasur dijeni për vjedhjen, por nuk e ka denoncuar në bankë, polici dhe prokurori

Të tjerët

Të arrestuarit e tjerë nuk kanë pranuar akuzat e ngritura, duke kërkuar pafajësi. Por, gjykatat deri më tani i kanë lënë në qeli

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button