Kronika

Tahiri: Strategji kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit

Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, deklaroi sot se Shqipëria është e angazhuar bashkë me partnerët ndërkombëtarë për të hartuar strategjinë e përbashkët kundër ekstremizmit të dhunshëm, që përfshin masa sensibilizuese dhe edukuese deri te qasja represive ndaj këtij fenomeni.

Në fjalën e tij gjatë konferencës rajonale “Radikalizmi dhe ekstremizmi fetar si një kërcënim për sigurinë: Rasti i Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor”, të organizuar nga Instituti Shqiptar për Studime Ndërkombëtare, ku ishte i pranishëm edhe ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu, ministri Tahiri theksoi se “kjo tryezë vjen pak ditë pas organizimit të samitit rajonal, të cilin qeveria e Shqipërisë, Ministria e Brendshme në bashkëpunim me Departamentin Amerikan të Shtetit organizuan në Tiranë, për të adresuar çështje që shqetësojnë më së shumti shoqërinë, Shqipërinë, rajonin, por sigurisht edhe me gjerë, lidhur me sfidat që nuk janë vetëm tonat, por janë sfida rajonale e globale, ndër të parat sigurisht ekstremizmi i dhunshëm dhe radikalizmi”.

“Ashtu siç është e domosdoshme të identifikojmë në një plan aksioni të përbashkët qeveri, shoqëri civile, insitucionet në tërësi, parlamentin domosdoshmërisht, institucionet e pavarura kushtetuese, shoqërinë civile, botën akademike, median edhe intelektualët e pavarur për të hartuar një strategji të përbashkët, e cila do të koordinojë energjitë tona lidhur me adresimin e këtij fenomeni. Ne jemi angazhuar bashkë me partnerët për të hartuar një hallkë paraprake, dokument paraprak orientues me strategjinë e përbashkët kundër ekstremizmit të dhunshëm që përfshin masa sensibilizuese, edukuese deri te qasja represive ndaj këtij fenomeni”, nënvizoi Tahiri.

Sot që flasim, vijoi ai, jemi në shifrat zero nisje të luftëtarëve të huaj nga Shqipëria, por jo shqipfolës ama, sepse ky është një fenomen që shkon përtej kufijve. “Pra është një fenomen që nuk njeh kufij kombëtarë. Procedimet penale të pak muajve më parë, ndërkohë ndryshimi i ligjit nga parlamenti dhe i Kodit Penal nga parlamenti duke e konsideruar një akt terrorist nisjen për të luftuar në një luftë që nuk është lufta e vendit tonë, sigurisht që kanë ushtruar trysninë e nevojshme për të parandaluar ose për të tkurrur praktikat e organizimit, rekrutimit dhe nisjes së luftëtarëve të huaj”, tha Tahiri.

Ministri Tahiri vuri në dukje se “rasti i fundit e tregoi këtë, që ka shqiptarë që duan të kthehen dhe ngecën në ngërçin e një lufte prej të cilës nuk shkëputesh dot. Rasti i fundit tregoi më së miri dhe e bëri akoma më evident domosdoshmërinë që kemi ne për të shkëmbyer informacion në nivel kapilar, në mënyrë intensive dhe për të marrë masat me parnerët sigurisht edhe me institucionet në vend, për të garantuar që nuk ngecim në axhendën tonë për ta bërë Shqipërinë më të sigurtë, por për të përballur edhe sifdat që janë sfidat tona dhe të rajonit, por akoma edhe më gjerë në nivel global”.

Në fjalën e tij, ambasadori amerikan, Donal Lu, theksoi se “Shqipëria ka avantazhin se e ka njohur kërcënimin e ekstremizmit të dhunshëm përpara se ai të shndërrohej në një problem të madh”.

“Puna e Shqipërisë për një strategji kombëtare në këtë drejtim duhet të jetë frymëzim për vendet e tjera në rajon. Ndikimi i ekstremizmit të dhunshëm nuk është i kufizuar vetëm në një pjesë të botës. Më shumë se 20 mijë persona nga 100 vende të ndryshme kanë udhëtuar drejt Sirisë ose Irakut për t’iu bashkuar ISIS, 4 mijë prej të cilëve nga Europa Perëndimore. ISIS po terrorizon popullin e Sirisë dhe të Irakut dhe është i angazhuar në mizori të mëdha në vrasjen e fëmijëve, skllavërinë e grave, genocidin dhe prerjen e kokave të pengjeve. Atëhere çfarë mund të bëjmë për të luftuar së bashku ISIS?”, tha ambasadori Lu.

Presidenti Obama, shtoi ai, ka parashtruar se para së gjithash ne duhet të mbetemi të përkushtuar në luftën tonë kundër organizatave terroriste.

“Lufta kundër ekstremizmit të dhunshëm fillon me refuzimin e grindjeve sektare nga ana e udhëheqësve politikë, shoqërorë dhe fetarë, si dhe me ekspertizën e përkushtimin e grupeve të shoqërisë civile, kontributi i të cilave pasqyron këndvështrimet dhe zërat e të gjithë qytetarëve. Së dyti duhet t’u kundërvihemi ndjenjave që përpiqen ta përdorin fenë islame si mjet për të justifikuar dhunën e tyre. Ekstremistët radikalë përfaqësojnë fenë islame dhe të gjithë duhet të bëjmë më shumë për të ngritur më lart zërat e tolerancës”, përfundoi ambasadori Lu.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button