☀️
Tiranë 34°C · Kthjellët 04 September 2026
S&P 500 7,748 ▲1.06%
DOW 53,686 ▲1.18%
NASDAQ 26,584 ▲1.4%
NAFTA 91.06 ▼0.26%
ARI 4,513 ▼0.59%
💱 VALUTAT
EUR/USD 1.1619 EUR/GBP 0.8596 EUR/CHF 0.9393 EUR/ALL 92.1175 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.3406 EUR/TRY 56.2727 EUR/JPY 181.31 EUR/CAD 1.6030 EUR/USD 1.1619 EUR/GBP 0.8596 EUR/CHF 0.9393 EUR/ALL 92.1175 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.3406 EUR/TRY 56.2727 EUR/JPY 181.31 EUR/CAD 1.6030
₿ CRYPTO
BTC $80,913 ▲ +4.21% ETH $2,518 ▲ +5.19% XRP $1.4454 ▲ +6.09% SOL $103.7000 ▲ +3.56%
S&P 500 7,748 ▲1.06 % DOW 53,686 ▲1.18 % NASDAQ 26,584 ▲1.4 % NAFTA 91.06 ▼0.26 % ARI 4,513 ▼0.59 % S&P 500 7,748 ▲1.06 % DOW 53,686 ▲1.18 % NASDAQ 26,584 ▲1.4 % NAFTA 91.06 ▼0.26 % ARI 4,513 ▼0.59 %
EUR/USD 1.1619 EUR/GBP 0.8596 EUR/CHF 0.9393 EUR/ALL 92.1175 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.3406 EUR/TRY 56.2727 EUR/JPY 181.31 EUR/CAD 1.6030 EUR/USD 1.1619 EUR/GBP 0.8596 EUR/CHF 0.9393 EUR/ALL 92.1175 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.3406 EUR/TRY 56.2727 EUR/JPY 181.31 EUR/CAD 1.6030
04 Sep 2026
Breaking
Opinion

Takimi i ministrave të financave të G20-s

AKADEMIK. PROF. ANASTAS ANGJELI

Takimi i Ministrave të Financave dhe Guvernatorëve të Bankave Qendrore të ekonomive më të mëdha të botës, që u mblodhën në Asheville të SHBA-së, më 31 gusht – 1 shtator, nën presidencën amerikane të G20-s, ishte një nga tryezat më të rëndësishme të financës globale. Në të morën pjesë edhe përfaqësues të Bashkimit Evropian dhe Bashkimit Afrikan. E veçanta në pjesëmarrje në këtë takim ishte pjesëmarrja gjithashtu fizikisht e ministrit të Financave të Federatës Ruse.

RRITJA EKONOMIKE E NDJEKUR NGA POLITIKA

Edhe pse takime të tilla nuk prodhojnë ligje të detyrueshme, kanë një rëndësi të veçantë sepse ndikojnë drejtimin e debatit global mbi borxhin, tregtinë, normat e interesit, kapitalin dhe stabilitetin financiar dhe të tregjeve.

Prandaj, axhenda zyrtare ishte ekonomia, me në qendër rritjen ekonomike, borxhin, stabilitetin financiar, tregtinë dhe inovacionin. Por prapa këtyre termave teknikë qëndron një realitet më i ndërlikuar, ekonomia botërore po bëhet gjithnjë e më shumë terren i përplasjeve politike dhe gjeopolitike.

Për SHBA-në, si vendi që mban presidencën e G20-s gjatë vitit 2026, mesazhi kryesor ishte rikthimi i forumit te misioni i tij ekonomik, që është në thelb nxitja e rritjes ekonomike, forcimi i inovacionit dhe ndërtimi i partneriteteve që prodhojnë rezultate të prekshme. Departamenti amerikan i Thesarit synoi që gjatë ditëve të takimit të kishte një debat më pak ceremonial dhe më shumë të përqendruar te ekonomia reale, investimet dhe qëndrueshmëria financiare.

RRITJA EKONOMIKE SI PRIORITET

Në dukje, kjo është një qasje e thjeshtë. Pas viteve të zgjatura të inflacionit, normave të larta të interesit, ngadalësimit të tregtisë ndërkombëtare dhe rritjes së borxheve publike, ekonomia botërore ka nevojë për një formulë të re rritjeje. Por pyetja thelbësore mbetet: çfarë rritjeje dhe me çfarë kostoje?

Administrata amerikane ka vënë theksin te investimet, prodhimi, inovacioni dhe tregjet financiare më dinamike. Në këtë kuadër, gjatë takimit u diskutuan modernizimi i rregullimit financiar, pagesat ndërkufitare, asetet digjitale dhe mënyrat për të nxitur sektorët e rinj ekonomikë. Synimi i deklaruar është që ekonomia globale të mos mbetet peng i rregullave të vjetra, procedurave të ngadalta dhe varësive që e bëjnë tregtinë e financat të prekshme ndaj krizave.

Por rritja nuk ka të njëjtin kuptim për të gjithë. Për ekonomitë e mëdha, ajo mund të nënkuptojë rikthimin e prodhimit industrial, investime në teknologji, energji dhe infrastrukturë. Për vendet në zhvillim, rritja lidhet më drejtpërdrejt me aksesin në kredi, koston e borxhit, eksportet dhe aftësinë për të tërhequr investime të huaja. Prandaj, edhe kur shtetet pajtohen për nevojën e rritjes, ato nuk pajtohen domosdoshmërisht për rrugën drejt saj. Debati lidhet drejtpërdrejt me tregtinë dhe zinxhirët e furnizimit. SHBA dhe vendet e tjera perëndimore kërkojnë të reduktojnë varësitë strategjike për mallra, teknologji dhe lëndë të para kritike, ndërsa Kina mbetet vendimtare në shumë hallka të prodhimit global. Zinxhirët e furnizimit më të sigurt mund të jenë politikisht tërheqës, por shpesh nënkuptojnë edhe kosto më të larta për kompanitë dhe konsumatorët.

Në teori, tregtia e hapur ul kostot dhe zgjeron tregjet. Në praktikë, tarifat, subvencionet dhe kufizimet e eksportit po përdoren gjithnjë e më shpesh për të mbrojtur industritë strategjike. Këto politika mund të sjellin përfitime të brendshme në afat të shkurtër, por nëse shumëfishohen, rrezikojnë të fragmentojnë tregjet dhe të frenojnë rritjen globale. Edhe energjia mbetet një faktor vendimtar. Pasiguria në rrugët detare, konfliktet dhe sanksionet mund të rrisin shpejt kostot e transportit e të energjisë, duke ushqyer inflacionin dhe duke kufizuar hapësirën e bankave qendrore për të ulur normat e interesit. Kështu, rritja ekonomike gjatë takimit në Asheville nuk ishte thjesht një objektiv ekonomik, por një debat për modelin e ardhshëm të globalizimit, do ketë në të ardhmen më shumë rregulla të përbashkëta apo një ekonomi gjithnjë e më e ndarë në blloqe rivale.

BORXHI DHE ÇEKUILIBRAT

Një nga temat më të ndjeshme të takimit ishte borxhi sovran. Shumë vende me të ardhura të ulëta dhe të mesme përballen me presion të lartë financiar, ndërsa kostot e huamarrjes janë rritur pas periudhës së normave të larta të interesit në ekonomitë e zhvilluara. Presidenca amerikane ka vendosur në qendër transparencën e borxhit dhe përshpejtimin e proceseve të ristrukturimit të tij.

Në gjuhën diplomatike, transparenca tingëllon si një çështje teknike. Në praktikë, ajo prek marrëdhëniet mes kreditorëve perëndimorë, institucioneve shumëpalëshe dhe huadhënësve të rinj, veçanërisht Kinës. Çështja nuk është vetëm sa borxh ka një shtet, por kujt i detyrohet, me çfarë kushtesh dhe kush pranon të marrë humbje kur borxhi duhet ristrukturuar. Për vendet që kërkojnë financim, borxhi nuk është vetëm problem kontabël. Ai lidhet me mundësinë për të financuar shërbimet publike, investimet, infrastrukturën dhe stabilitetin social. Ndërsa kreditorët e mëdhenj negociojnë rregullat, shumë ekonomi të brishta vazhdojnë të përballen me kufizime të forta buxhetore.

Në axhendë ishin edhe çekuilibrat e tepërt globalë, pra diferencat e mëdha në tregti, kursime, prodhim dhe flukse kapitali mes ekonomive kryesore. Tema prek drejtpërdrejt raportet SHBA-Kinë, por edhe tensionet mes vendeve me suficite të mëdha tregtare dhe atyre me deficite të vazhdueshme. Kur këto dallime zgjerohen, ato nuk mbeten vetëm çështje statistikash; shndërrohen në presion politik për tarifa, subvencione dhe rikthim të prodhimit brenda kufijve kombëtarë.

TREGTIA NËN PRESION

Takimi i Asheville u zhvillua në një kohë tensionesh të dukshme tregtare. Tarifat, rivaliteti industrial, kufizimet e furnizimit dhe konkurrenca për teknologjitë strategjike vendosin përballë njëra-tjetrës dy logjika, nevojën për rritje globale dhe përpjekjen e shteteve për të mbrojtur industritë e tyre. Ky është paradoksi i momentit. Tarifat dhe subvencionet mund të krijojnë kapacitete prodhuese dhe vende pune në afat të shkurtër, por përdorimi i tyre i gjerë mund të rrisë kostot dhe të fragmentojë tregjet. G20 u krijua pas krizës financiare të vitit 2008 mbi idenë se krizat globale kërkojnë koordinim; sot sfida është ruajtja e vetë mundësisë së bashkëpunimit në një botë më të ndarë. Debati bëhet edhe më i vështirë sepse tregtia nuk shihet më vetëm si shkëmbim mallrash. Ajo lidhet me sigurinë kombëtare, teknologjinë, energjinë, mineralet kritike dhe kontrollin e industrive që do të përcaktojnë konkurrencën e së ardhmes. Për këtë arsye, shumë vende nuk po kërkojnë thjesht tregje më të mëdha, por edhe më shumë autonomi ekonomike.

HIJA E KONFLIKTEVE

Ekonomia nuk mund të ndahet nga gjeopolitika. Konfliktet në Lindjen e Mesme, shqetësimet për sigurinë e rrugëve detare dhe ndikimi i tyre mbi energjinë dhe transportin global ishin pjesë e atmosferës së takimit. Çdo goditje ndaj qarkullimit në korridoret strategjike detare mund të rrisë kostot e transportit, të ndikojë te çmimet e energjisë dhe të rikthejë presionin inflacionist në tregjet ndërkombëtare.

Prania e ministrit rus të Financave, Anton Siluanov, e bëri edhe më të dukshme vështirësinë e ndarjes së ekonomisë nga politika. Kjo prani shkaktoi pakënaqësi te disa përfaqësues dhe e vendosi presidencën amerikane përballë një prove diplomatike që nuk lidhej drejtpërdrejt me normat e interesit apo raportet e borxhit. Kjo tregon natyrën e dyfishtë të G20-s. Nga njëra anë, kemi të bëjmë me një është forum teknik ku diskutohen stabiliteti financiar, monedhat, tregjet dhe rritja ekonomike. Nga ana tjetër, me një hapësirë ku ulen në të njëjtën tryezë shtete me interesa të kundërta mbi luftën, sanksionet, energjinë, teknologjinë dhe tregtinë. Kjo e bën G20-n të domosdoshme, por njëkohësisht e kufizon aftësinë e tij për të prodhuar marrëveshje të thella.

NJË KONSENSUS I KUFIZUAR

Në planin zyrtar, presidenca amerikane kërkoi një takim më të përqendruar te rezultate të prekshme dhe te një axhendë prorritjes ekonomike, duke e lidhur forcimin e ekonomive kombëtare me stabilitetin e përgjithshëm ndërkombëtar.

Megjithatë, debati tregoi se rruga drejt këtij objektivi është shumë më pak e qartë se vetë formula e rritjes ekonomike. Uashingtoni e paraqiti zgjerimin ekonomik si mjetin më të qëndrueshëm për të zbutur barrën e borxheve të akumuluara pas krizës financiare të vitit 2008 dhe pandemisë, ndërsa në të njëjtën kohë kërkoi vëmendje të shtuar ndaj çekuilibrave tregtarë dhe nevojës që Kina të mbështetet më pak te eksportet e më shumë te konsumi i brendshëm. Kjo qasje prek një nyje qendrore të rendit ekonomik aktual. Për SHBA dhe aleatët e saj, suficitet e mëdha tregtare, mbikapacitetet industriale dhe varësia nga disa zinxhirë furnizimi krijojnë rreziqe strategjike. Për Kinën dhe shumë ekonomi në zhvillim, nga ana tjetër, eksportet, investimet industriale dhe aksesi në tregjet e mëdha mbeten mjete vendimtare për zhvillim. Prandaj, thirrja për balancim ekonomik nuk është vetëm teknike por nënkupton një rinegocim të roleve që ekonomitë kryesore kanë ndërtuar në globalizimin e dekadave të fundit.

Edhe çështja e borxhit e nxori në pah këtë tension. Transparenca më e madhe dhe mekanizmat më funksionalë të ristrukturimit janë objektiva të rëndësishëm, veçanërisht për vendet që përballen me kosto të larta huamarrjeje. Por pa marrëveshje të vërtetë mes kreditorëve kryesorë, institucioneve shumëpalëshe dhe vendeve huamarrëse, rreziku është që ky angazhim të mbetet një parim i pranuar në deklarata, por i kufizuar në zbatim. Vetë fakti që presidenca amerikane e ka vendosur transparencën dhe ristrukturimin e borxhit mes prioriteteve të saj tregon se problemi është tashmë strukturor, jo i përkohshëm.

PO SHQIPËRIA?

Shqipëria si vend në prag të anëtarësimit në Bashkimin Europian duhet të konsideroj dhe ballafaqohet me çështjet e diskutuara në G-20-tën. Dhe duke e parë me këtë sy, në këndvështrimin e rritjes ekonomike, duket se ekonomia jonë, për vite ruan një rritje 3-4 %, por duhet më shumë focus te modeli i rritjes, zhvillimi teknollogjik, energjitika dhe investimet e huaja, etj. Sa i përket borxhit publik, ai mbetet nën kontrol në shifrën rreth 50 % të GDP, duke garantuar më shumë stabilitet financiar dhe mënyra të financimit të ekonomisë. Njëherësh, ndikimi i situatës gjeopolitike duhet të na bëjë më vigjilent për zinxhirin e furnizimit dhe të tregtisë, stabilitetit financiar e bankar që, edhe pse vazhdon të jetë i qëndrueshëm, duhet të konsideroj më shumë çështjet e siguriose kibernetike dhe të inteliagjences artificiale, etj.

Takimi dëshmoi gjithashtu se ekonomia globale nuk mund të ndahet nga siguria dhe gjeopolitika. Konflikti me Iranin, shqetësimet për lirinë e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit dhe pasiguria mbi rrjedhën e energjisë e të mallrave strategjike e vendosën çështjen e furnizimeve në qendër të debatit. Bashkimi Evropian, në deklarimin e tij të lidhur me takimin, kërkoi njëkohësisht presion ekonomik ndaj Iranit dhe ruajtjen e lundrimit të lirë e të sigurt në Hormuz.

Përplasjet mbi praninë ruse e treguan edhe më qartë këtë dimension. Pjesëmarrja e ministrit rus të Financave shkaktoi pakënaqësi te disa delegacione dhe e devijoi vëmendjen nga përpjekja amerikane për ta mbajtur takimin të fokusuar te rritja ekonomike. Dhe kjo nuk është thjesht një çështje protokolli, por është dëshmi se G20 mbetet një forum i domosdoshëm, sepse përfshin fuqitë kryesore të botës, por njëkohësisht një forum me aftësi të kufizuar për të prodhuar konsensus të thellë kur interesat strategjike përplasen.

Komentet

Bëhu i pari që komenton!

Lini një Koment të Ri

Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.

🔒 Komenti juaj do të publikohet pas miratimit nga moderatori.