Ekonomia

Tarifa e “Rrugës së Kombit”, Kuçana: Qytetarët e pritën normalisht, 35 sekonda për të kaluar

Kështu u shpreh Prefekti i Kukësit, Zenel Kuçana për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, i cili theksoi se gjatë ditës së sotme në doganë çdo gjë ka qenë normale.

“Sot nisi dhe tarifimi i “Rrugës së Kombit” dhe kjo u prit normalisht nga qytetarët, që ishin të informuar saktësisht mbi tarifat dhe mënyrën se si duhej të vepronin për të kaluar pikat e tarifave. Dua të theksoj se një qytetari i duhen vetëm 35 sekonda për të kaluar në pikën tarifore dhe kjo është mjaft pozitive, pasi nuk humbin kohë. Targat e Kukësit janë të regjistruara dhe kjo rrit edhe më tej shpejtësinë për qytetarët vendas, të cilët kanë dhe tarifën prej 100 lekësh të reja”, – tha Kuçana për ATSH.

Prefekti i Kukësit shtoi se banorët nuk ranë pre e provokimeve.

“Sot ishin mbledhur nja 10 vetë për të protestuar për tarifën me në krye një aktivist, por banorët e Kukësit nuk ju bashkuan kësaj nisme, e cila ishte e pakuptimtë, pasi banorët e kanë të qartë tashmë rëndësinë e këtij tarifimi”, – tha Kuçana.

Sakaq, sipas kontratës, për të shmangur vonesat gjatë pagesën në “Rrugën e Kombit”, apo radhët e automjeteve, në dispozicion të drejtuesve të tyre do të jenë 10 sportele, ndërsa banorët e Qarkut të Kukësit do të kalojnë në korsitë 1 dhe 10, me korsinë e parë në drejtimin Kukës-Tiranë dhe tjetra në kthim.

Për të eleminuar kostot për banorët, pjesë e skemës janë edhe 11 linja të transportit interurban që janë licencuar në qark. Sipas firmës koncesionare, e cila do të merret me mirëmbajtjen e “Rrugës së Kombit”, përveç projekteve sociale, të cilat synojnë punësimin e mbi 200 banorëve të Kukësit, gjatë 4 viteve synohet realizimi i një sërë projektesh.

Koncesionari dhe autoriteti kontraktues kanë rënë dakord për një skemë zbritjeje për përdoruesit e shpeshtë, të cilët do të pajisen me “Digital Pass”.

Për kategorinë “Përdorues të shpeshtë”, pavarësisht nga klasa e automjetit, zbritja e tarifës do të bëhet për numrin e kalimeve, pasi sistemi do të regjistrojë numrin e kalimeve për çdo automjet. Sipas përllogaritjeve të bëra, në “Rrugën e Kombit” qarkullojnë rreth 5 mijë automjete në ditë.

Pagesat për disa kategori

Tarifa për kalimin e automjeteve në autostrada Milot – Morinë do të jetë 660 lekë (ose 5 euro).

Për banorët e qarkut Kukës kjo tarifë është e reduktuar në 100 lekë me tvsh.

Për çdo kalim deri në 44 kalime tarifa është 100 lekë përfshirë edhe tvsh-në.

Tarifat variojnë sipas llojit të mjetit; motocikletat dhe automjete me tri rrota do të paguajnë 330 lekë, përjashtim bëjnë banorët e qarkut Kukës të cilët do ta kenë tarifën 50 lekë.

Automjete komerciale me dy akse dhe 6 rrota (1.90 m dhe 2.70 m) do të paguajnë 1490 lekë.

Kamionë të mesëm dhe autobusë të rëndë, përfshirë mjete me lartësi 2.7 m, do të paguajnë 2140 lekë.

Kamionë të rëndë 4 akse a më shumë, do të paguajnë 2970 lekë.

Përdoruesit e shpeshtë të kësaj rruge do të përfitojnë reduktime të ndjeshme të tarifimit:

– Për 20-30 kalime në muaj, përfitojnë 10% zbritje;

– Për 30-50 kalime në muaj, përfitojnë 20% zbritje;

– Për 50-60 kalime në muaj, përfitojnë 30% zbritje dhe

– mbi 60 kalime përfitojnë 40% zbritje. 

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button