Ekonomia

Tatimet, 3960 biznese në prag falimenti, pasuritë në sekuestro

Më 22 dhjetor 2012, u shtua në listën e borxhit tatimor subjekti me numër rendor 14999. Brenda vitit 2015 “lista e zezë” u shtua 3960 subjekte, nga të cilat pjesa dërrmuese u përkasin katër muajve të fundit. Këto kompani janë në prag të falimentit, pasi kanë një kohë të gjatë që nuk paguajnë taksat. Sipas të dhënave të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, bizneset e përfshira në këtë listë gjatë vitit të shkuar zunë rreth 26% të totalit. Gjendja financiare e kompanive duket se është përkeqësuar muajt e fundit, kur vetëm në dhjetor, 372 subjekte nuk paguan tatimet në kohë. Në ditët e fundit të dhjetorit janë futur në listë firma ndërtuese, studio kontabiliteti dhe konsultimi, kompani ndërtuese të hidrocentraleve, firma import eksporti, agjenci turistike, si dhe aktivitete të tregtisë me pakicë. Shumica e këtyre sipërmarrjeve ushtrojnë aktivitet në Qarkun e Tiranës. Lista e zezë e tatimeve publikohet nga tatimet që nga viti 2009. Përmes kësaj liste, edhe palët e treta që janë në marrëdhënie biznesi me shoqëritë debitore, njoftohen për gjendjen financiare të partnerëve të tyre.

Lista

“Lista e zezë” publikohet në faqen zyrtare të internetit të Tatimeve. Sipas njoftimit, Tatimet kanë vendosur marrjen e masave të sigurimit mbi të gjithë pasuritë për ekzekutimin e detyrimeve dhe kanë filluar procedurat e mbledhjes me forcë të tyre. Njoftimi bëhet që personat e tretë të marrin dijeni për fillimin e këtyre procedurave dhe që organet apo institucionet të cilët kanë bërë regjistrime të pasurive të luajtshme apo të paluajtshme të tatimpaguesve debitorë, të regjistrojnë​ detyrimin tatimor të papaguar si barrë mbi këtë pasuri dhe të mos lejojnë kryerjen e transaksioneve për transferimin e pasurive të subjekteve borxhlinj, deri në momentin që detyrimi i papaguar të arkëtohet. Me pagimin e plotë të detyrimit, të dhë​nat e subjektit fshihen nga kjo faqe.

Procedura

Sa herë që administrata tatimore konstaton se një tatimpagues nuk ka paguar plotësisht dhe në datën e caktuar detyrimet tatimore, i dërgon me postë rekomande një njoftim me shkrim, ku kërkon pagesën e plotë të detyrimit tatimor. Nëse tatimpaguesi nuk përdor të drejtën e ankimit dhe nuk paguan detyrimin, administrata tatimore duhet ta mbledhë tatimin, duke përdorur njërën ose disa prej mënyrave, të parashikuara në ligj. Sipas ligjit për procedurat tatimore, detyrimi i papaguar sigurohet në favor të administratës tatimore mbi të gjithë pasurinë e subjektit, në masën e nevojshme, për të përmbushur borxhin. Masa e sigurimit të detyrimit tatimor të papaguar mund të jetë, sipas rastit, barrë siguruese dhe hipotekore. Vendimi për të vendosur një barrë siguruese ose hipotekore mbi pasurinë e tatimpaguesit bëhet me shkrim nga drejtori i drejtorisë rajonale tatimore ose titullari i zyrës tatimore të bashkisë. Para vendosjes së një barre siguruese dhe hipotekore mbi pasurinë e tatimpaguesit, ky i fundit duhet të njoftohet me shkrim. Njoftimi duhet të përmbajë të gjithë informacionin lidhur me detyrimin. Barra siguruese dhe barra hipotekore është e vlefshme kundrejt të gjitha të drejtave të tjera mbi pasurinë, objekt të sigurimit të detyrimit tatimor të papaguar dhe ka përparësi. Gjithashtu, në funksion të mbledhjes së detyrimit tatimor të papaguar, administrata tatimore mund të angazhojë strukturat e saj për të verifikuar dhe për të monitoruar në vend aktivitetin tregtar të tatimpaguesit, me qëllim konfiskimin në fund të çdo dite të një shume jo më pak se 50% të qarkullimit të realizuar, por jo më shumë se detyrimi tatimor, për të cilin ka filluar procedura e mbledhjes me forcë të detyrimeve tatimore. Pagesa e shumës së qarkullimit të sekuestruar kalohet në llogarinë bankare të administratës tatimore ditën e nesërme. Z.A.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button