Ekonomia

Tatimet forcojnë kontrollet në terren, vihet në lëvizje hetimi tatimor

Është ora 9:00 e mbrëmjes. Një pikë shitje fruta-perimesh në zonën e Komunës së Parisit këmbëngul të të japë faturën edhe pse është vonë dhe ajo është duke e mbyllur punën. “Më kanë vënë një gjobë për mosdhënie kuponi prej 100 mijë lekësh”, thotë shitësja, kur e pyesim për këtë nxitim për të dhënë faturën. Ajo thotë se i kishin kapur klientin, që kishte blerë disa limona pa faturë dhe për këtë arsye tatimorët e kishin gjobitur.

Biznese të ndryshme kanë raportuar pranë ‘Monitor’ shtim të kontrollit tatimor ditët e fundit, jo vetëm për dhënien e faturës, por edhe për përdorimin e kasës. Edhe hetimi tatimor është vënë në lëvizje. “Një subjekti i erdhi hetimi tatimor, pasi kishte marrë informacion nga kompania e kasave për mospërdorim të kasës”, thotë Majlinda, ekonomiste, e cila shton se subjektit në fjalë me ligj nuk i takon të përdorë kasë fiskale, por e bleu në valën e aksionit antiinformalitet gati dy vjet më parë. Tashmë Tatimet po kërkojnë llogari për mospërdorimin, por dhe moskolaudimin vjetor të kasës, i cili kushton 11 mijë lekë.

Burimet zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve sqarojnë se të gjitha pajisjet fiskale janë të lidhura në sistem dhe informacionet merren në kohë reale. Nëse gjatë mbylljes së ditës konstatohen se ka pasur periudha kur përmes pajisjes fiskale nuk është marrë informacion, atëherë nisin verifikimet. Hetimi tatimor, sqaron administrata, ka të drejtë të përdorë çdo lloj instrumenti për të përmbushur detyrat, përfshi këtu edhe kryqëzimin e informacioneve që vijnë nga sistemi dhe nga shoqëritë e mirëmbajtjeve të kasave fiskale.

Edhe më herët, administrata tatimore ka njoftuar biznesin në lidhje me detyrimin për mbajtjen e dokumentacionit tatimor dhe konkretisht atij që lidhet me përdorimin e pajisjeve fiskale mbi: “Detyrimin për lëshimin e kuponit tatimor, neni 54 dhe 55 i Ligjit nr.9920, datë 19.5.2008 “Për procedurat tatimore në RSH” i ndryshuar, sipas të cilit, për çdo transaksion shitje me para në dorë tatimpaguesi detyrohet të lëshojë kuponin tatimor prej pajisjes fiskale, të dhënat e së cilës duhet të transmetohen çdo ditë në sistemin e integruar tatimor.

Referuar detyrimit të saj për të siguruar zbatimin me rigorozitet të legjislacionit tatimor në fuqi, administrata tatimore monitoron çdo ditë fluksin e lëshimit të kuponit tatimor, deklarimin e xhiros dhe numrin e transmetimeve për çdo tatimpagues.

Nga analiza dhe monitorimi i sistemit elektronik janë evidentuar tatimpaguesit, të cilët ndjeshëm kanë ulur numrin e kuponëve të lëshuar, vlerën e kuponit apo nuk kanë respektuar detyrimin për transmetimin e të dhënave elektronike, duke u bërë kështu objekt seleksionimi për verifikim në vend nga strukturat e zbatimit të hetimit tatimor”, bën të ditur administrata tatimore.

Sipas saj, në çdo rast kur do të konstatohen parregullsi për këtë kategori tatimpaguesish, administrata tatimore do të zbatojë parashikimet e ligjit nr.9920 datë 19.5.2008 “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, ku përveç aplikimit të detyruar të dënimit administrativ, do të kryejë vlerësime alternative për një periudhë tremujore dhe ndryshimin e përgjegjësive tatimore.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button