Ekonomia

Tatimet lehtësojnë biznesin: Listëpagesat do të krijohen automatikisht

Nga data 1 shkurt e këtij viti, të gjitha bizneset do të kenë mundësi që të krijojnë automatikisht listëpagesat për punonjësit e tyre.
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve deklaroi: “Listëpagesat do të krijohen automatikisht, për çdo periudhë tatimore, çdo datë 1 të muajit pasardhës, duke iu dhënë mundësinë të vijoni me deklarimin e tyre në të njëjtën mënyrë siç veproni me deklaratat e tjera tatimore (pa pasur nevojë të krijoni listëpagesë ESIG 025)”.

Sipas burimeve zyrtare të DPT-së, ky është një proces që do të shërbejë për lehtësimin e procedurave për listëpagesat, sikundër ndodh edhe me deklarimet e tjera tatimore.

Nga ana tjetër do të mund të shërbejë edhe si një kujtesë, kryesisht për bizneset e vogla për të dorëzuar këto lista dhe për të bërë ndryshimet që mund të jenë të nevojshme, siç janë hyrjet e reja apo largimet nga puna.
Përmirësimi i këtij shërbimi, përveç biznesit, do t’i shërbejë edhe vetë administratës tatimore, e cila do të jetë në gjendje të bëjë analiza të detajuara, si dhe të shohë se cilat biznese janë mbrapa me deklarimet e tyre.

Deri tani, bizneset, çdo datë 1 të muajit duhet të përditësonin listëpagesat e tyre, të reflektonin ndryshimet nëse kishte dhe të krijonte një direktori të re për muajin pasardhës.

Por, krijimi i kësaj direktorie nuk do të jetë më i nevojshëm, pas datës 1 shkurt, pasi do të gjenerohet automatikisht nga vetë sistemi.
Për biznesin, pjesa ku do të duhej që të tregohej më shumë kujdes ishte pikërisht deklarimi i hyrjeve të reja ose të daljeve nga puna, pasi duhet të raportohen saktësisht datat.
Të pyetur nga Monitor, ekspertët fiskalë thanë se lehtësimi i procedurave është gjithmonë i mirëpritur dhe rrit besimin te autoritetet, por edhe përmirëson kulturën e deklarimeve, një element i rëndësishëm për marrëdhënien tatimore.

Së fundmi, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve është duke punuar për përmirësimin e mëtejshëm të sistemit të ri tatimor, për të garantuar shërbime sa më cilësore dhe në kohë reale.
Në çdo kohë, bizneset për paqartësitë që mund të kenë mund të kontaktojnë përmes chat-it me tatimet në mënyrë që të marrin informacionin e duhur.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button