Te ndryshme

Të burgosurit që luftojnë me zjarret në Kaliforni

Kur piktori Henry Cruz u dërgua në Burgun San Kuentin tri vite më parë, për një krim të cilin ai nuk do ta diskutojë, nuk e kishte menduar kurrë se do ta kalonte një pjesë të dënimit duke luftuar me zjarret. Por tashmë ky është realiteti i tij prej 18 muajsh.

“Bëhet e frikshme ndonjëherë, por njëkohësisht më bën të ndihem mirë. Të qenët një zjarrfikës është një privilegj, që të bën të ndihesh sikur je pjesë e qytetërimit”, thotë ai. “Është sikur të shpëtosh natyrën dhe ndonjëherë njerëzit. Të bën të ndihesh si një hero.”

“Puna si zjarrfikës është e vështirë”, thotë i burgosuri 29-vjeçar James Sharp nga Sakramento. “Mban 18 kilogramë peshë me vete dhe ngaqë është shumë vapë, djersit vazhdimisht”, thotë ai.

“Ne punojmë në turne 24-orëshe dhe zjarri i fundit ku mora pjesë, dogji mijëra hektarë dhe kërcënoi shtëpitë, por gjithashtu ishte në një terren të vështirë. Na u desh të fluturonim me helikopter dy herë e të ngjiteshim disa kilometra që të përmbushnim detyrën. Ishte një çmenduri e vërtetë dhe kjo vazhdoi për gati një muaj. Isha shumë i lodhur në fund.”

Cruz dhe Sharp janë dy nga rreth 4000 të burgosurit zjarrfikës në Kaliforni. Shteti që vuan nga zjarret më të mëdha dhe nga burgjet më të mbipopulluara, po i përdor të burgosurit për të luftuar zjarret që nga viti 1946.

Të gjithë zjarrfikësit janë vullnetarë, por jo kushdo që del vullnetar pranohet. Të burgosurit e dënuar për krime që kategorizohen si “të rënda” dhe “të dhunshme” nuk përzgjidhen, thotë Bill Sessa, një zëdhënës qeveritar. Për këtë arsye, të burgosurit për vrasje, rrëmbim, përdhunim, sulme të dhunshme dhe zjarrvënie, nuk përfshihen.

Të burgosurit duhet të kenë të gjithë të dhëna për sjellje të mirë që të pranohen dhe mund të aplikojnë vetëm nëse janë në një institucion të sigurisë së ulët apo të mesme.

Ka edhe stimuj për t’iu bashkuar zjarrfikësve. Këta të burgosur fitojnë dy dollarë në ditë, plus një dollar ora kur luftojnë një zjarr, kurse paga normale e punës në burg është zakonisht 10-35 cent ora.

Gjithashtu, mund të ndikojë në lirimin e parakohshëm të të burgosurve. Ndërsa në Kaliforni, vlerësimi i sjelljes bazohet nga dita në ditë, zjarrfikësit fitojnë dy ditë reduktim të dënimit për çdo ditë që luftojnë një zjarr.

Ngadalë dënimet fillojnë dhe pakësohen ndjeshëm. “Më janë ulur gjashtë muaj dënim”, thotë i burgosuri 27-vjeçar zjarrfikës, Bryan Earnhart. “Pagesa mund të mos duket shumë, por ne fituam 800 dollarë nga zjarri i fundit”, thotë ai.

Por ashtu si Henry Cruz, ai thotë se kjo nuk është vetëm për paratë.

“Kam hyrë dhe kam dalë nga burgu për pesë vjet, por këtë herë ndiej se kur të dal jashtë, do të jetoj sipas mënyrës së duhur”, thotë ai.

Zjarrfikësit e burgosur nuk spërkasin në fakt ujë nga pajisjet e veçanta apo nga helikopterët. Kjo punë bëhet nga zjarrfikësit civilë të departamentit përkatës të Kalifornisë.

Por stafi prej 12 dhe 14 të burgosurish, mbikëqyrur nga një kapiten zjarri, shpesh duhet të punojë mes flakëve që ndonjëherë arrijnë deri në 30 metra. Ata përdorin mjete dore për të pastruar zonën përreth zjarrit që të mos përhapet më tepër dhe patrullojnë zonat pas një zjarri për t’u siguruar që asgjë nuk do të marrë flakë përsëri.

“Puna e tyre është shumë e rrezikshme”, thotë Sessa. “Pati disa dëmtime serioze një vit, ku të burgosurit u plagosën në kokë nga një pemë që ra, prej mbetjeve të zjarrit që u shpërndanë në ajër apo thyen ndonjë krah”, thotë ai. Sessa nuk mban mend për ndonjë të burgosur që ka punuar në departamentin shtetëror, të mund të ketë vdekur në këto 10 vite.

Në përgjithësi, të burgosurit bëjnë më shumë se tre milionë orë punë në përgjigje ndaj emergjencave dhe i kursejnë shtetit rreth 80 milionë dollarë në vit.

“Të burgosurit punojnë në vështirësi, në terren të keq dhe në pisllëk”, thotë Lynette Round nga departamenti i zjarreve. “Ata janë shumë kritikë në përmbajtjen e zjarrit.”

Kur të burgosurit nuk luftojnë zjarret, ata jetojnë në 43 kampe kudo nëpër shtet, shpesh në mes të pyjeve apo maleve dhe bëjnë punë parandaluese apo punë në komunitet, duke pastruar ndotjet nga rrugët.

Kampet ruhen nga stafi i burgut, por shpesh nuk kanë mure apo gardh elektrik. Ndonjëherë nuk ka gardhe fare. Ushqimi është i mirë prej kalorive ekstra, për të cilat kanë nevojë zjarrfikësit dhe ka argëtim.

David Ball, një asistent profesor në drejtësinë kriminale në Universitetin Santa Clara, thotë se të burgosurit zjarrfikës janë pjesë e një historie shumë të gjatë të burgjeve të punës në SHBA.

Por a ndihen ndonjëherë të shfrytëzuar kur bëjnë këtë punë? Traveon, 22 vjeç, thotë se skuadra e tij do të preferonte më tepër të ishte duke luftuar një zjarr, sesa të rrinte pas hekurave. “Njerëzit e dinë që ne jemi të burgosur, për shkak të veshjes, por ata përsëri na përgëzojnë, sepse po mbrojmë shtëpitë e tyre, është ndjesi e mirë”, thotë ai.

Sa për të burgosurin Cruz, ai mendon se kjo lloj pune i ka dhënë një mundësi të dytë në jetë.

*Burimi: BBC

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button