Të mendosh të pamendueshmen
Rreziku i një lufte në Evropë është aq i madh sa kurrë më parë gjatë një gjysmë shekulli. Evropës i duhet jë doktrinë e re për politikën e sigurisë mendon Christian F. Trippe.
Që nga rënia e Murit të Berlinit lufta mes dy shteteve në Evropë konsiderohej praktikisht si e përjashtuar. Por Rusia është duke i detyruar aleatët në BE dhe NATO për të menduar të pamendueshmen. Nuk mungojnë skenare të tilla se si p.sh. konflikti rajonal dhe relativisht i “vogël” në Ukrainën lindore mund të shndërrohet në një krizë të vërtetë botërore: Rusia mund ta përdorë si arsye gjendjen e rëndë humanitare në Donetsk për një ndërhyrje të hapur. SHBA mund të dërgojë në shkallë të gjerë furnizime me armë në Ukrainës – ose madje edhe të ndërhyjë me sulme ajrore ndaj pozicioneve të rebelëve duke u përfshirë drejtpërdrejt në luftime.
Diskutimi pjesërisht pa fund e krye, se si mund t’i vihet në ndihmë Ukrainës në mënyrë efektive, pasqyron hutimin e NATO-s. Aktualisht nuk ka ndonjë doktrinë sigurie dhe asnjë strategji për t’iu përgjigjur kërcënimit të ri nga Lindja. Politikanët perëndimorë që merren me probleme të sigurisë po regjistrojnë të shokuar se si Kremlini demonstron forcë ushtarake në krizën në Ukrainë.
Manovra tepër të rrezikshme
Vështirë se kalon një ditë që në hapësirën ajrore të tri shteteve baltike nuk regjistrohen fluturime të avionëve luftarakë rusë. Disa nga këto manovra janë jashtëzakonisht të rrezikshme. Sepse avionët ushtarakë rusë i fikin transponderët e tyre dhe në këtë mënyrë janë të padukshëm për aviacionin civil.
Lista e incidenteve të rënda në rajonin e Detit Baltik po rritet përditë. Herë është një flotilje anijesh e luftanije ruse që shfaqen papritmas në bregdetin e Lituanisë e pas saj një herë tjetër shkel ujërat territoriale suedeze një anije amfib e paidentifikuar. Suedia do të intensifikojë tani sërish stërvitjet ushtarake për rezervistët.
Si në kohët më të këqija të Luftës së Ftohtë
Të tri shtetet baltike kanë porositur muajt e fundit armë për më shumë se një miliardë euro, sidomos sisteme për mbrojtjen antitank. Në fillim të verës forcat ruse kishte zhvilluar jo shumë larg nga kufijtë e këtyre vendeve manovra në shkallë të gjerë. E gjithë kjo e mbështetur edhe nga një retorikë e ashpër ruse kundër Lituanisë, Letonisë dhe Estonisë. Të tria këto vende janë në NATO. Edhe anëtarit tjetër të NATO-s Rumanisë i është dashur të dëgjonte kërcënime ushtarake nga Moska, në luftën për ndikim ndaj Republikës rumanishfolëse të Moldavisë. Rumania tani konsiderohet si vatra e tretë e rrezikut, përveç Ukrainës dhe në vendeve baltike.
Fija lidhëse për bisedimet mes NATO-s dhe Rusisë ka qenë gjithmonë e hollë, dhe prej saj nuk ka qenë kurrë e mundur të endej një lidhje e fortë bashkëpunimi. Por tani edhe kjo fije e hollë është këputur. Njëra palë nuk e di më se çfarë planesh ka tjera. Si në kohët më të këqija të Luftës së Ftohtë imazhi për për arsenalin ushtrarak e tij dhe synimet ushtarako-politike të palës tjetër dominohet përsëri vetëm prej vlerësime të shërbimeve sekrete dhe analizave të ushtarakëve.
Evropa – një kontinent i pasigurt
Ministri i Jashtëm gjerman Frank-Walter Steinmeier u ankua kohët e fundit se “Ne vetëm flasim për njëri-tjetrin, jo me njëri-tjetrin.” Moskomunikimi i ri është sidomos i keq për faktin se vitet e fundit në Evropë është shkatërruar sistemi i kontrollit të armëve konvencionale. Dikur NATO dhe Rusia kishin përcaktuar në të ashtuquajturin Traktatin për Armët Konvencionale në Evropë nivele maksimale për kufizimin e këtyre armëve si dhe kontrolle të përbashkëta dhe takimeve të rregullta. Por Traktati për Armët Konvencionale në Evropë është pezulluar tashmë ligjërisht dhe është politikisht i vdekur.
Në prag të vitit të ri, Evropa është një kontinent i pasigurt për shkak se është bërë e paparashikueshme në kufijtë e saj. Evropës i nevojiten urgjentisht dy gjëra: një doktrinë e re për politikën e sigurisë – dhe një politikë për të ndërtuar besimin.