Testimi për RENEA-n, shtohet kaluçi dhe hiqet qitja me armë
Nga: Aurora Koromani
Ndryshojnë normat e testimit fizik për efektivët e repartit RENEA, hiqet qitja me armë dhe taktikat speciale dhe shtohet kapërcimi i stolit (kaluçit). Për të ruajtur vendin e punës në repartin e forcave speciale, efektivët nuk duhet që të bëjnë më qitje me pistoletë dhe automatik, por ata duhet të kenë kujdes për të kaluar me sukses stolin apo edhe në ushtrimet e tjera sportive. “Gazeta Shqiptare” publikon sot dy tabelat krahasuese: si kanë qenë normat testuese dhe si kanë ndryshuar aktualisht. Në dokumentin e nënshkruar nga shefi i sektorit të Trajnimit, Vasillaq Sota të miratuara nga Niko Brahimaj, vihet re se testimi aktual ka gjithsej 252 pikë. Për të qëndruar në punë, meshkujt duhet të arrijnë 176 dhe femrat 126 pikë. Të paktën 25 oficerë nuk i kanë kapur normat në testimin e parë; ata do të kenë një shans të dytë dhe nëse nuk i kapin këto norma as në testimin e përsëritur, atëherë largohen nga forcat speciale.
Ndryshimet
Në testimin e fundit fizik që është zhvilluar te RENEA, efektivët e këtij reparti janë ndeshur me disa ndryshime te normat që ata duhej të plotësonin për të mbajtur vendin e tyre të punës. Efektivët e forcave speciale në testimin që zhvilluan rreth dy javë më parë duhej që të merrnin 70 për qind të pikëve për të qenë të kualifikuar, ose e thënë ndryshe mbi 176 pikë, ndryshe nga një vit më parë, kur efektivët për të qenë pjesë e forcave speciale duhej të merrnin mbi 60% të pikëve. Përveç kësaj, nëse efektivët e këtij reparti deri tani u kanë mëshuar ushtrimeve taktike dhe qitjes me armë, këtë vit ka ndodhur e kundërta, pasi në listën e normave të testimit qitja me armë ishte hequr dhe vendin kryesor e kishin zënë ushtrimet sportive. Për herë të parë këtë vit, efektivët e repartit RENEA janë përballur me një normë të re, siç ishte kapërcimi i stolit, ndërkohë që po për herë të parë që nga krijimi i repartit nuk kanë bërë qitje me armë, një nga normat bazë për qëndrimin e efektivëve të këtij komisariati në punë.
Normat
Rreth një vit më parë gjatë testimit fizik që kanë zhvilluar, efektivët kanë plotësuar këto norma: vrapim sportiv 100 m, kërcim së gjati nga vendi, transport personi 100 m, ngjitje në litar në lartësinë 7 m, tërheqje me krahë në hekur, alpinizëm, zbritje me litar 10-15 m, shtangë shtrirë me krah, shtangë-shalpërkulje, not 100 m, stil i lirë, not zhytje nën ujë, vetëmbrojtje policore, akrobaci, ulje-ngritje në tokë me krahë, taktikë speciale, qitje me pistoletë, qitje taktike me automatik dhe vrapim sportiv 3000 m. Ndërkohë, tek testi i fundit fizik që është bërë te RENEA, efektivët duhej të përmbushnin këto norma: vrapim sportiv 100 m, kërcim së gjati me vrull, transport personi 100 m, ngjitje në litar në lartësinë 7 m, tërheqje me krah në hekur, kapërcim stoli, shtangë shtrirë me krah, shtangë-shalpërkulje, not 100 m, stil i lirë, not zhytje nën ujë, akrobaci, ulje-ngritje në tokë me krah dhe vrapim sportiv 3000 m. Pas krahasimeve të dy listave, rezulton se qitja me pistoletë, qitja taktike me automatik, taktika speciale dhe vetëmbrojtja policore janë hequr. Nga burime brenda këtij reparti, mësohet se në testin e parë kanë ngelur 25 efektivë, të cilët i pret transferimi në struktura të tjera, nëse nuk arrijnë të kalojnë shansin e dytë që do t’u jepet.
Ambientet
“Gazeta Shqiptare” disponon edhe disa fotografi të ambienteve të brendshme, (ashtu siç nuk i keni parë) të repartit elitë, por që në fakt fotot dëshmojnë të kundërtën. Në foto duken qartë ambientet e brendshme ku pushojnë efektivët gjatë orarit të pushimit, në të cilat duket gjendja e mjerueshme e këtyre ambienteve, por edhe mungesat e shumta. Tek reparti elitë, efektivët çdo ditë duhet që të ndeshen me mungesën e dhomave të zhveshjes, të tualeteve dhe ambienteve të tjera për të pushuar. Fotografitë që publikon sot “GSH” tregojnë qartë dhomat ku pushojnë efektivët, në të cilat duken se janë disa shtretër dhe në po këto dhoma efektivët zhvishen. Ndërkohë, tualetet e repartit elitë janë lënë pas dore prej kohësh, ndërsa për dollapë për veshjet e punonjësve të këtij reparti as që bëhet fjalë të ketë.