Thaçi: Në shkurt do të bëhem President
Zv/kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka deklaruar se në pjesën e parë të muajit shkurt do të hyjnë në procesin e zgjedhjes së presidentit të ri. Ndërkaq njoftoi se nuk ka zgjerim të kualicionit.
Pozita e presidentit i takon PDK-së, deklaroi Thaçi në intervistën dhënë emisionit Monitor të RTK-së.
Sipas tij, nuk ka ka asnjë arsye që ky proces të shtyhet, apo edhe të ndryshohet marreveshja me partnerin e koalicionit.
“PDK do ta respektojë në plotni marrëveshjen e arritur me LDK-në, në këtë drejtim ne do të punojmë për hapat tonë të mëtutjeshëm, do të respektojmë periudhat kohore kushtetuese dhe ligjore për zgjedhjen e presidentit, prandaj vleresojmë se në dyjavëshin e parë të muajit shkurt… Do të hyjmë në këtë proces të zgjedhjes së presidentit të Republikës së Kosovës. Nuk ka asnjë arsye që të kemi ndryshime, jemi partnerë serioz dhe kemi besim reciprok”, tha Thaçi.
E duke folur për arrestimin e dy deputetëve të opozitës, Thaçi deklaroi se proceset politike duhet ndarë nga sistemi i drejtesisë, askush nuk është mbi ligjin, por ne duhet të punojmë e të gjejmë format e komunikimit. Janë shumë gjëra që na bashkojnë dhe pak gjëra që na ndajnë si spekter politik.
Thaçi u është përgjigjur edhe zërave se mund të ketë zgjerim të koalicionit apo edhe zgjedhje të parakohshme.
“Nuk ka arsye për zgjedhje dhe as për zgjerim të koalicionit, kam dëgju opinione për referendume e zgjedhje apo zgjerim të koalicionit. Koalicioni aktual ka 2/3 e votave, ka 89 deputetë kë një shumicë absolute. Zgjedhjet do të mbahen në vitin 2018”, tha Thaçi.