Thellohet bashkëpunimi bullgaro serb në fushën e turizmit
“Kjo që i karakterizon marrëdhëniet mes Serbisë dhe Bullgarisë është bashkëpunimi jashtëzakonisht i suksesshëm dypalësh në të gjitha fushat, sidomos në turizëm – thotë Renata Pinxho. – Në Sofje e shqyrtuam tekstin e memorandumit për mirëkuptim dhe do ta nënshkruajmë gjatë prillit ose majit të këtij viti. U morëm vesh gjithashtu për organizimin e një forumi të biznesit mes agjencive turistike bullgare dhe atyre serbe, pronarëve të hoteleve dhe kryetarëve të bashkive. Duam që t’i bashkojmë përpjekjet tona edhe në krijimin e një produkti të përbashkët turistik për tregun e Kinës. Serbia është vendi i vetëm në Evropë, i cili hoqi vizat për shtetasit e Kinës dhe kemi një vijë direkte ajrore me Pekinin. Nga ana tjetër Bullgaria ende nuk është anëtare e Zonës së Shengenit dhe mund t’u lëshojë viza kinezëve. Ka akoma dy projekte mbi të cilat mund të bashkëpunojmë në kuadrin e programeve evropiane për bashkëpunim transkufitar. Njëri ka të bëjë me zhvillimin e turizmit kulinar dhe të rrugëve të verës, kurse tjetri – me trashëgiminë kulturore nga koha e Perandorisë Romake. Do të përqendrohemi te certifikimi i monumenteve kulturore ortodokse. Pasi marrim certifikatë evropiane do të mund t’u ofrojmë një produkt të tillë të përbashkët edhe vendeve të treta.”
Krahas projekteve të përbashkëta të ardhshme mes Serbisë dhe Bullgarisë në turizëm, të dyja vendet vazhdojnë të ofrojnë njëri tjetrin mundësi turistike. Bullgaria përfundoi me sukses pjesëmarrjen e vet në panairin turistik në Beograd, që mbaroi më 25 shkurt, kurse Serbia do ta vërë theksin te turizmi i saj në Bullgari akoma disa herë këtë vit – thotë Maria Llaboviç, drejtoreshë ekzekutive e Organizatës Turistike të Serbisë.
“Kemi pritje të mëdha për tregun bullgar. Prandaj edhe këtë vit ishim partner i panairit në Sofje dhe jemi krenarë për këtë fakt. Që ta popullarizojmë produktin tonë turistik, organizojmë vizita në Serbi për gazetarët bullgarë dhe për përfaqësues të agjencive turistike. Në Bullgari gjithashtu do të organizojmë disa aktivitete. Vitin e kaluar organizuam në Sofje, Ditë të Serbisë. Tani përsëri planifikojmë një gjë të tillë, sepse krahas kontakteve më të ngushta me biznesin turistik, duam që të arrijmë te konsumatori i fundit i shërbimeve turistike.”
Sipas statistikës gjatë 10 viteve të fundit numri i turistëve bullgarë në Serbi është rritur tri herë. Sipas të dhënave zyrtare të Institutit Republikan të Statistikave të Republikës së Serbisë gjatë vitit 2017 vendi është vizituar nga 91 233 turistë bullgarë, të cilët kanë kaluar mbi 148 000 net në vend. Nga ana tjetër, turistët serbë janë shtetasit e huaj, të cilët e vizitojnë më shpesh Bullgarinë. Numri i tyre gjatë vitit të kaluar është rritur me mbi 5 për qind kundrejt vitit 2016 dhe tejkalon 394 000 veta.