Thumanë-Fushë-Krujë-Vorë-Kashar, kalon vendimi i thelluar për ndikimin në mjedis
Në mbledhjen e datës 23 gusht 2018, Komisioni që merr në shqyrtim aplikimet ka dhënë miratimin për aplikimin e paraqitur nga Drejtoria e Sigurimit të Cilësisë e kompanisë Gener 2 me administrator Bashkim Ulaj. Më herët, në të njëjtën procedurë ka kaluar edhe Rruga e Arbrit, për të cilën Gjoka Konstruksion paraqiti vendimin.
Të dyja këto projekte që ndodhen në faza të ndryshme janë pjesë e paketës 1 miliard dollarë për rindërtimin që po zbatohet nga qeveria dhe që ka në fokus disa akse rrugore, shkolla dhe spitale.
Rruga 225.8 milionë euro u kontestua për koston
Në dhjetëditëshin e fundit të korrikut, Ministria për Infrastrukturën dhe Energjinë, që është edhe institucioni që ka pjesën më të madhe të projekteve të paketës “One billion”, shpalli fituese kompaninë Gener 2 për realizimin e projektit të rrugës Thumanë – Fushë-Krujë – Vorë – Kashar.
Kompania hyri në këtë garë me një bonus pikësh që i ishte dhënë paraprakisht me një vendim të veçantë për shkak të ofertës së pakërkuar. Në fakt në garën për të ndërtuar këtë aks, që nuk është i ri në historikun e projekteve infrastrukturore të lakuara hynë katër kompani me një fond limit të vendosur nga ana e qeverisë në kufijtë 245 milionë euro. Gener 2 fitoi jo vetëm për shkak të bonusit, por edhe për shkak të ofertës më të ulët të ofruar që ishte 225.8 milionë euro.
Kompanitë e tjera të skualifikuara ishin “Gjikuria” sh.p.k që ofroi të ndërtonte rrugën dhe ta mirëmbante atë sipas kontratës, me vlerë gjithsej 274,588,575 euro, “Alpin” s.r.l. me vlerë ndërtimi dhe mirëmbajtje gjithsej 283,809,745 euro dhe “Gruppo Adige Bitumi” s.p.a. me ofertën 298,402,895 euro. Por edhe pse Gener 2 e fitoi procedurën me ofertën më të ulët mes garuesve, kostoja relativisht e lartë për kilometër e bën atë një nga rrugët më të shtrenjta dhe për rrjedhojë, edhe të kontestuar. Sipas përllogaritjeve rruga me gjatësi 20 kilometra përfaqëson një kosto pak më shumë se 16 milionë euro për kilometër.
Detajet e projektit dhe si është menduar mirëmbajtja
Rruga, sipas projektit, parashikohet të jetë 20.8 kilometra e gjatë dhe e kategorisë “A”. Gjurma e saj nis nga Thumana, 150 metra në brendësi të autostradës ekzistuese me 4 korsi, që lidh Milotin me Thumanën në drejtim të Fushë–Krujës. Vijon me një djathtas dhe vazhdon e drejtë në fusha deri në afërsi të Fushë-Krujës. Më pas, me anë të një kthese të dyfishtë i afrohet Aeroportit të Rinasit.
Gjurma e rrugës vazhdon në krahë të djathtë të rrugës automobilistike të Rinasit, deri në lidhjen e saj me Autostradën Tiranë-Durrës në Kashar (rreth km të 12 në drejtimin Tiranë – Durrës). Shpejtësia e projektuar për këtë rrugë është 140 kilometra/orë, ndërkohë që pjesë përbërëse e saj janë 14 nënkalime, 12 ura me gjatësi totale 4 kilometra, 3 mbikalime korsi emergjencash në secilën anë me nga 3 metra. Gjerësia totale e rrugës parashikohet 28 metra.
Objekti i kontratës me kompaninë Gener 2 do jetë i ngjashëm me atë të Rrugës së Arbrit, duke ndjekur parimin “me çelësa në dorë”. Koncesionari, në këtë rast Gener 2, do të kryejë ndërtimin dhe mirëmbajtjen e Thumanë – Fushë-Krujë – Vorë – Kashar, sipas standardeve të miratuara nga Autoriteti Kontraktues. Afati i koncesionit do të jetë 13 vjet. Pagesa e parë për kompaninë fituese të zbatimit të projektit të rrugës, nga ana e qeverisë, do të bëhet vetëm pasi të jenë kryer jo më pak se 25% e punimeve të rrugës.
Projekti Thumanë-Kashar nuk është një projekt i palakuar më parë. Ai daton që në mandatin e parë të qeverisë “Berisha” kur një kompani e huaj u ofrua për ta ndërtuar këtë segment, por me kushtin që qeveria të dilte garant për të siguruar financimin. Në atë kohë, në korrespondencën mes ministrive, u ra dakord se nëse qeveria do të duhej të garantonte kompaninë e huaj, shumë mirë mund ta ndërtonte e vetme, duke kërkuar financim. Kjo bëri që kompania që shfaqi interes, të tërhiqej dhe projekti të lihej në harresë për t’u rikthyer tani.