Ekonomia

Tjetër qendër tregtare, vitin tjetër nis ndërtimi i “Mall of Albania” në autostradën Tiranë Durrës

Edhe pse Rajoni Tiranë- Durrës është i mbingopur me qendra tregtare pasi sipërfaqja për frymë është e njëjtë me qytetet perëndimore investimet ne këtë sektor nuk po ndalen. Kompania Edil- Al planifikon të nisë vitin tjetër ndërtimin e një qendre të re tregtare, te emërtuar “Mall of Albania”.

Sipas të dhënave që kompania ka publikuar sipërfaqja e qendrës do te jete 69.200 metër katror, më e madhja pas TEG që ka sipërfaqe 90 mijë metër katror. Nga projekti mësohet se qendra do të ofrojë hapësira zyrash bashkëkohore, një hotel, hapësira dyqanesh dhe argëtimi.

Qendra do të jetë e vendosur në zonën e Kasharit. Një nga versionet e  projektit i ka objektet komerciale të fragmentuara me 76 njësi, 12 prej të cilave janë në formë cilindrike dhe zënë një sipërfaqe prej 32.000 metër katror në dy kate dhe deri në 48.000 metra katrorë në tre kate.

Projekti është i ndarë në dy hapësira të rëndësishme. Magazinat dhe objektet tregtare. Të tre versionet e projektit  janë të vendosura në mënyrë të tillë që objektet komerciale të kenë pamje nga rruga. Magazinat dhe parkimi janë vendosur në pjesën e brendshme, duke u rrethuar me hapësira të gjelbra.

Kompania Edil Al argumenton se projekte të tilla ku objektet tregtare shoqërohen me magazina janë të njohura në tregun europian dhe vendi ynë është pak vonë për ndërtimin e magazinave të organizuara dhe të projektuara posaçërisht për këtë funksion.

“Një projekt i tillë mungon në biznesin shqiptar, duke filluar nga dyqanet e veshjeve në dyqane ushqimore, të cilat për ruajtje kërkojnë kushte të caktuara. Deri më tani ndërtimi i magazinave  ka qenë shumë spontan dhe ka sjellë ruajtjen jo te mire të produkteve. Këto probleme kanë krijuar shpesh prishjen e produkteve qe u ofrohen konsumatorëve si dhe humbje për bizneset” thuhet në referimin e EDIL -al për projektin.

Kompania synon realizimin e magazinave me standardin evropian, duke zgjidhur problemin e shumë bizneseve dhe indirekt problemet me cilësinë e produkteve. Ky kompleks pritet të jetë për shitje dhe qira. Menaxhimi i qendrës do të behet nga veta kompania Edil AL.

 Të dhënat e projektit

-Fillimi i fazes se pare: Shtator 2018 (Faza e pare)

-Vendndodhja: Kashar

-Siperfaqe trualli: 13.6 ha

-Siperfaqe Ndertimi: 72.200 m2

-Administrim nga Shoqëria e vetë

 

Mbingopja e tregut

Nëse ka një segment të tregut të pasurive të paluajtshme ku të gjithë bien dakord se oferta ka kaluar çdo limit në raport me kërkesën është ai i qendrave tregtare.

Vetëm për zonën e kryeqytetit, me 862 mijë banorë, ka 280 m² sipërfaqe qendrash tregtare për 1000 banorë, më e lartë se në vendet e tjera të zhvilluara të Europës Perëndimore e Qendrore, ku fuqia blerëse është shumë më e madhe.

“Oferta plotëson tërësisht kërkesat, pavarësisht se për tregtarë me pakicë, të cilët kërkojnë hapësira të mëdha, është shumë e vështirë për t’i gjetur në brendësi të qytetit, orientimi mbetet në drejtim të qendrave tregtare”, thotë Stela Dhami, menaxhere e kompanisë së pasurive të paluajtshme, Colliers international.

Arben Dervishi, sekretar i Shoqatës së Ndërtuesve dhe Hajredin Fratari, ndërtues, janë gjithashtu dakord se nuk ka më treg për qendra. Fratari paralajmëron se ky segment është tërësisht i ezauruar dhe rrezikon të pësojë goditje.

Me hapjen e qendrës më të fundit prej 60 mijë metra katrorë, Toptani Shopping Center, në qendër të Tiranës, sipërfaqja totale e qendrave tregtare në Tiranë ka arritur aktualisht në rreth 243 mijë m², sipas të dhënave të Colliers.

Investimet në qendrat tregtare në Shqipëri janë zgjeruar me shpejtësi që pas vitit 2005, kur u hap Qendra Tregtare Univers (QTU), në periferi të kryeqytetit. Vetëm në kryeqytet, aktualisht ka 16 qendra tradicionale tregtare, 4 prej të cilave janë në periferi të tij. Tirana East Gate (TEG) dhe Qendra Tregtare Univers (QTU) mbeten qendrat tregtare më të mëdha në Shqipëri. Tirana Ring Center (TRC) është pozicionuar si një qendër tregtare e zonës perëndimore të qytetit.

Treguesi i përqendrimit të qendrave për gjithë vendin arrin në rreth 80 m² për 1000 banorë. Ndonëse ky indikator është i ulët në raport me vendet e tjera të rajonit (mesatarja e Europës qendrore është 209 m² për 1000 banorë, sipas Europa Property), përqendrimi i tyre në zonën e Tiranës dhe Durrësit, ku jetojnë më se një e treta e popullsisë së vendit, rrezikon ta çojë këtë sektor drejt mbipopullimit.

Vetëm për zonën e kryeqytetit, me 862 mijë banorë, treguesi shkon në rreth 280 m² për 1000 banorë, më e lartë se në vendet e tjera të zhvilluara të Europës Perëndimore e Qendrore, ku fuqia blerëse është shumë më e madhe. Në itali, p.sh., ky tregues është 227 m² për 1000 banorë, në Gjermani 180 m², në Greqi 56 m², në Spanjë 244 m², ndërsa shumë i lartë është në vendet nordike, ku kryeson Norvegjia, me gati 900 m² për 1000 banorë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button