Por Trump ka hedhur kritika të ashpra ndaj udhëheqjes së partisë republikane, duke shprehur pakënaqësinë që rivali i tij Ted Cruz po merr mbështetjen e disa delegatëve të pavendosur në shtetet e tjera.
“Ata nuk flasin aspak për faktin që unë jam miliona vota përpara. Ata flasin vetëm për numrin e delegatëve. Unë jam qindra delegatë përpara. Por sistemi është i manipuluar, i neveritshëm dhe i padrejtë”.
Senatori Cruz thotë se Trump është duke u ankuar dhe po përpiqet të frikësojë partinë dhe delegatët.
“Emërimi i Donald Trump-it do të ishte një gabim i madh. Në qoftë se Donald Trump merr emërimin e partisë, Hillary Clinton do të fitonte ndaj tij me një avantazh mbi 10%”.
Senatori Cruz dhe guvernatori i Ohajos John Kasich janë mbrapa zotit Trump në Nju Jork. Guvernatori John Kasich thotë si ai është e vetmja alternativë optimiste.
“Disa kandidatë ushqehen nga frika dhe zemërimi që ndjenë disa prej nesh dhe e shfrytëzojnë këtë për të ushqyer dëshirat e tyre për famë apo vëmendje. Kjo mund të dëmtojë Amerikën e jo ta rikthejë madhështinë e saj”.
Kryesuesja e garës në partinë demokrate, Hillary Clinton është favorite ndaj rivalit të saj Bernie Sanders në zgjedhjet paraprake të Nju Jorkut.
Clinton ka një epërsi mbi 10% në shumicën e sondazheve dhe duket se do t’i shkaktojë një humbje të madhe në Nju Jork rivalit të saj Bernie Sanders.
“Kam vënë re se në Nju Jork senatori Sanders ka patur probleme në përgjigjen e pyetjeve në lidhje me çështjen e tij kryesore, pra ato që kanë të bëjnë me bankat”.
Por Sanders vazhdon të tërheqë turma të mëdha si kjo në Manhatan dhe shpreson që të martën të ngushtojë hendekun me zonjën Clinton.
“Ne kemi fituar shtatë nga tetë zgjedhjet e fundit paraprake. Dhe një turmë e pabesueshme si kjo më bënë që unë të besoj se ne do të fitojmë këtu në Nju Jork të martën e ardhshme”.
Analisti Tom DeFrank i tha Zërit të Amerikës se gara e demokratëve në Nju Jork është intensifikuar.
“Gara po bëhet gjithnjë e më agresive, jo vetëm në anën e republikanëve, por edhe në anën e demokratëve, ku dy pretendentët, Hillary Clinton dhe Bernie Sanders, po hedhin akuza absurde ndaj njëri-tjetrit për mungesë kualifikimesh për të qenë president”.
Dy kandidatët demokratë kanë lidhje të forta me Nju Jorkun. Sanders është rritur në Brooklyn ndërsa Clinton ka përfaqësuar Nju Jorkun në Senat.