Trump mbërrin në Irlandë për bisedime me udhëheqësit irlandezë përpara turneut të golfit
DUBLIN – Presidenti amerikan Donald Trump ka mbërritur të shtunën në mëngjes në Irlandë, për një vizitë ku do të takohet me udhëheqësit irlandezë përpara se të marrë pjesë të dielën në turneun irlandez të golfit, Irish Open.
Në pistën e aeroportit të Dublinit, kreun e Shtëpisë së Bardhë e pritën ministri i Financave Simon Harris, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Mbrojtjes Helen McEntee, ambasadori amerikan në Irlandë Edward Walsh me bashkëshorten e tij Lynn, ambasadorja irlandeze në SHBA Geraldine Byrne Nason dhe shefja e Protokollit Patricia O’Brien.
Gjatë vizitës, Trump do të zhvillojë një takim bilateral me Taoiseach-un (kryeministrin) Micheál Martin dhe më pas do t’u drejtohet drejtuesve të komunitetit të biznesit në rezidencën e ambasadorit amerikan. Në qendër të bisedimeve do të jenë bashkëpunimi ekonomik dypalësh, mundësitë e biznesit për industrinë amerikane dhe çështje ndërkombëtare me interes të përbashkët. Sipas gazetës The Times, në tryezë do të jenë edhe Irani, Ukraina dhe tregtia — përfshirë ekspozimin e Irlandës ndaj tarifave amerikane për farmaceutikët.

Të dielën, presidenti amerikan do të marrë pjesë në Irish Open, që zhvillohet në klubin e tij të golfit në Doonbeg, në perëndim të Irlandës. Vizita e fundit e Trumpit në Irlandë si president daton në qershor 2019.
Me rastin e vizitës priten protesta në Dublin dhe në qarkun Clare.
Burimi: CNN



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.