Trump–Putin, së shpejti “kokë më kokë”
Presidenti Donald Trump dhe ai rus Vladimir Putin ka gjasa të takohen në konferencën e Grupit të Njëzetëshes që mbahet muajin që vjen në Gjermani.
Duke folur të mërkurën në një konferencë shtypi në qytetin rus të Krasnodarit, Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov tha se ai “supozon” që takimi do të zhvillohet.
“Duke pasur parasysh faktin se dy presidentët do të jenë në të njëjtin qytet, në të njëjtën kohë, në të njëjtën ndërtesë, madje edhe në të njëjtën dhomë, nuk do të ishte normale nëse nuk flisnin” u tha zoti Lavrov gazetarëve.
Nëse zoti Trump dhe zoti Putin takohen gjatë konferencës, kjo do të ishte hera e parë që të dy udhëheqësit do të takoheshin ballë për ballë, që prej zgjedhjes së zotit Trump në nëntor.
Në muajin mars zoti Putin tha se ishte i gatshëm të takohej me zotin Trump gjatë takimit të G-20-s edhe pse as Uashingtoni dhe as Moska nuk e kanë konfirmuar një takim zyrtar.
Ministri Lavrov tha se tema më e rëndësishme e diskutimit të mundshëm gjatë takimit, do të përfshinte normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy kombeve dhe se një rol të rëndësishëm në atë bisedë, nëse zhvillohet, do të luanin përpjekjet për të gjetur një zgjidhje paqësore për konfliktin në Siri.
Nëse Shtetet e Bashkuara duhet të ndërmarrin masa parandaluese ndaj ushtrisë siriane për të ndalur atë që Uashingtoni thotë se mund të jetë një sulm i mundshëm me armëve kimike, zoti Lavrov tha se Rusia do t’i përgjigjet “me dinjitet” “provokimit” amerikan.
Shtetet e Bashkuara njoftuan këtë javë se zbuluan përgatitje të mundshme për një sulm me armë kimike në bazën ajrore të Shayratit në Siri. Kjo bazë u përdor në muajin prill për sulmin me armë kimike që vrau më shumë se 80 persona në Khan Sheikhoun.
Të mërkurën, sekretari amerikan i mbrojtjes Jim Mattis tha se Siria dukej se e kishte marrë seriozisht paralajmërim amerikan për të mos përdorur armë kimike.
Zoti Lavrov tha se Sekretari amerikan i shtetit Rex Tillerson e kishte telefonuar dhe informuar atë për komplotin e dyshuar të qeverisë siriane për përdorimin e armëve kimike. Por zoti Lavrov tha se kërkoi që SHBA të mos përdorë akuzat si një “pretekst” për luftë.