Tsipras: Sakrifikova për një të ardhme më të mirë të Greqisë
Në një intervistë për televizionin privat ALPHA, disa orë para se të largohet nga posti i kryeministrit, për shkak të shpalljes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, kryeministri grek Aleksis Tsipras ka dhënë shpjegime për gjithë zhvillimet e fundit në Greqi, për negociatat me huadhënësit, ministrat e tij, por edhe për përçarjen e partisë së tij.
Përsa i përket negociatave shumëmujore për të cilat kritikohet nga opozita, Tsipras ka përshkruar orët e fundit dramatike të bisedimeve me kancelaren Merkel.
“Jam krenar që nuk çova vendin tek dhrahmia sepse kjo do të ishte vetëvrasje. Pas 17 orë në betejë, kisha një dilemë vendimtare, të ikja, siç ma thoshte edhe zemra, dhe të kthehesha si hero në Greqi, por ditën tjetër do të përballesha me një krizë pa precedent, me banka të shkatërruara dhe ndoshta me mundësinë e një lufte civile në vend. Ndaj pranova koston politike dhe të ardhmen më të mirë të 11 milionë grekëve”, u shpreh Tsipras.
“Dhrahmia nuk është as alternativë e majtë dhe as revolucionare, dhe kur ish-ministri i financave Varoufakis më bëri të ditur planin Schaeuble për dalje të kontrolluar të Greqisë nga euro, kuptova se plani alternativ ishte plani i kundërshtarëve tanë. “Jo”-në në një marrëveshje të keqe e bëra “po” në një marreveshje me probleme, por me të ardhme, që na jep edhe mundësinë e ristrukturimit të borxhit”, ka theksuar kryeministri në largim.
Më tej, ai deklaroi: “Memorandumi i parë i ndihmës që solli PASOK-u kishte masa me kosto 40 miliardë euro për popullin, i dyti që sollën Demokracia e Re dhe PASOK kishte masa me vlerë 25 miliardë euro, kurse paketa e tretë që negociuam ne, përmban masa vetëm prej 9.7 miliardë eurosh. Ndaj, i bëj thirrje popullit të gjykojë, në zgjedhjet e reja për marrëveshjen me kreditorët që nënshkruam në 12 korrik, pasi mandati që mora në 25 janar i tejkaloi kufijtë e tij”.
Tsipras gjithashtu ka shprehur zhgënjimin e tij të thellë për përçarjen e grupit parlamentar të Syrizës, duke shigjetuar deputetët që u larguan kur ai kërkoi zgjedhje të reja dhe jo kur solli marrëveshjen për votim në Parlament. Ai ka lavdëruar punën e ministrit të Financave, Efklidis Tsakalotos, ndërsa për ish-ministrin Varoufakis ka deklaruar se në vazhdën e negociatave, filloi të humbte besueshmërinë e tij.
Përsa i përket rezultatit të zgjedhjeve të reja, Tsipras ka thënë se synon të marrë shumicën, por nëse kjo është margjinale, pra nëse siguron vetëm 151 nga 300 vendet në Parlament, atëherë do të bashkëpunojë përsëri me partinë e vogël të djathtë Grekët e Pavarur. Por ai ka theksuar se kurrë nuk do të fuste nga dritarja në koalicionin qeveritar partitë tradicionale që sollën shkatërrimin e vendit si Demokracia e Re, PASOK apo edhe partia Lumi. “Kjo mund të ndodhë vetëm nëse nuk marrim shumicën dhe duhet krijuar një qeveri, por unë nuk do të jem në krye të saj”, ka thënë ai.