“Turisti per Caso”: Kryeqyteti më i ri i Evropës: çfarë mund të shihni në Tiranë brenda dy ditësh
– Kisha organizuar këtë udhëtim të shkurtër për të zbuluar se çfarë ia vlen të vizitohet në Tiranë për dy ditë dhe u përpoqa të bindja mikun tim Fabio dhe bashkëshorten e tij Lorella që të na bashkoheshin, por pa sukses. Kështu vendosëm të niseshim vetëm, shkruan në faqen e njohur turistipercasso një turist italian.
Të shtunën pasdite, një ditë para nisjes, isha ulur në divan duke parë televizor kur dëgjova zilen e derës. U ngrita paksa i bezdisur për ta hapur dhe, për habinë time, gjeta përballë Fabio-n dhe Lorella-n, të cilët kishin vendosur të më bënin një surprizë.
Mbeta pa fjalë si i ngrirë dhe më pas zbulova se edhe gruaja ime, Iris, kishte qenë bashkëpunëtore në këtë surprizë të këndshme!
Në orën 4:00 të mëngjesit bie zilja dhe në orën 8:15, fluturimi u nis për Tiranë.
Pasi zbritëm në Tiranë, i thashë Iris-it se Shqipëria ishte shteti i 41-të që kishim vizituar së bashku. Pasi kaluam kontrollet rutinë, ndamë detyrat: unë dhe Lorella dolëm për të marrë makinën me qira, të rezervuar nga Italia për 32 euro për dy ditë, ndërsa Fabio dhe Iris blenë kartën SIM që do të na duhej për navigimin në telefon (21 euro).
Pasi morëm Volkswagen Polo-n e bardhë dhe vendosëm destinacionin në navigator, u nisëm drejt Bunk’Art 1, një bunker i ndërtuar nga Enver Hoxha për shkak të frikës së tij obsesive nga një sulm bërthamor.
Në biletari na propozuan një biletë prej 1000 lekësh (rreth 10 euro), e cila përfshinte edhe hyrjen në Bunk’Art 2, që ndodhet në qendër të Tiranës.
Vizita zgjati rreth gjysmë ore. Përshtypja e parë ishte interesante.
Erdhi ora e drekës dhe mua me Fabio-n na qeshnin edhe sytë kur mendonim për ushqimin.
Fabio lexoi disa komente në internet dhe zgjodhëm restorantin ”Ndryshe”. Ishte një zgjedhje shumë e mirë. Bëmë një lloj mega-aperitivi me shumë pjata të ndryshme dhe paguam rreth 12 euro për person.
Më pas shkuam në hotel. Hoteli ndodhej vetëm 700 metra larg Sheshit Skënderbej. Brenda pesë minutash mbërritëm në qendër dhe bëmë një shëtitje nën një diell të bukur.
Në njërën anë ndodhet Muzeu Historik Kombëtar, në fasadën e të cilit spikat mozaiku “Shqiptarët”, një shembull tipik i artit të realizmit socialist.
Më pas pamë Teatrin e Operës, me kafenetë plot diell përpara tij, dhe në një cep një xhami të vogël, por shumë të bukur. Nuk mundëm ta vizitonim sepse ishte ora e faljes, ndaj vendosëm të ktheheshim të nesërmen.
Vazhduam rrugën drejt Piramidës së Tiranës. Shkallët e gjata anësore të lejojnë të ngjitesh në majë dhe të shijosh një pamje të bukur të qytetit.
Më pas shkuam në kërkim të Urës së Tabakëve, një urë historike që, sipas autorit, daton vetëm nga viti 1930 dhe për këtë arsye nuk i duket shumë e vjetër.
Vizituam edhe Xhaminë e Namazgjasë Më pas arritëm te mbetjet e kalasë së Tiranës. Nuk kishte shumë për të parë, vetëm disa mure të rrethuara, por zona ishte plot me lokale të bukura dhe me shumë gjallëri.
Dukej qartë se ishte zemra e jetës së natës në Tiranë. Edhe ne bëmë një ndalesë për të rimbushur energjitë me nga një birrë.
U kthyem në hotel për t’u çlodhur pak dhe në mbrëmje kishim rezervuar darkën në restorantin Oda Garden, ku shijuam gatime tradicionale shqiptare të shoqëruara me muzikë popullore.
Ishte një eksperiencë shumë e këndshme që e mbyllëm me nga një gotë raki. Fatura ishte rreth 22 euro për person.
Gjatë kthimit në hotel vumë re se semaforët në Shqipëri janë ndryshe nga ata që njohim në Itali: ndriçon i gjithë shtylla dhe jo vetëm drita. Pas kësaj “zbulese të ndritur”, u ndalëm në një pastiçeri dhe blemë disa ëmbëlsira për t’i ngrënë në hotel, duke mbyllur kështu ditën tonë të parë në Shqipëri.
Dita e dytë: Bunk’Art 2, Durrësi dhe Kruja
U zgjuam të freskët dhe në orën 8:30 ishim duke ngrënë mëngjesin. Këtë mëngjes na doli një problem i papritur: pasi bëmë check-in për fluturimin e kthimit, zbuluam se duhej të kishim kartën e imbarkimit të printuar dhe nuk mjaftonte versioni në telefon.
Vajza e hotelit na tregoi një tipografi ku mund t’i printonim dhe kështu problemi u zgjidh.
Më pas vizituam Bunk’Art 2, i cili ndodhet në qendër të qytetit.
Marrim makinën dhe vendosim të shkojmë të hamë një drekë peshku në Durrës, rreth 46 kilometra larg Tiranës.
Pasi mbërrijmë, parkojmë dhe ecim drejt detit. Gjatë rrugës ndalojmë në një furrë buke dhe blejmë disa ushqime të lehta për vetëm 3,60 euro. Pastaj ulemi në një lokal buzë rrugës, porosisim disa birra dhe shijojmë një aperitiv fantastik në diell.
Vazhdojmë shëtitjen dhe arrijmë në shëtitoren buzë detit. Përreth shohim shumë ndërtesa në rikonstruksion, gjë që na krijon përshtypjen e një qyteti që po përpiqet të rikuperojë vitet e humbura gjatë regjimit komunist.
Në një moment disa vajza më ndalojnë dhe më kërkojnë mendimin tim për Durrësin, duke më filmuar.
Pas këtij momenti “lavdie”, shkojmë më në fund për të ngrënë peshk. Dreka na kushton rreth 17 euro për person. Pas drekës bëjmë një shëtitje dhe, meqë kemi ende pak kohë, vendosim të vizitojmë edhe Krujën.
Kruja është një qytet i vogël me një kala që konsiderohet ndër vendet më të rëndësishme për t’u vizituar. Sapo mbërrijmë, dallojmë menjëherë kalanë në majë të kodrës. Parkojmë makinën dhe fillojmë shëtitjen, por gjejmë shumë punime restaurimi. P
Koha po mbaron. Kemi shfrytëzuar çdo minutë për të parë sa më shumë vende të ishte e mundur. Kthejmë makinën me qira dhe shkojmë drejt portës së imbarkimit në aeroport.
”Mund të them që ishte një eksperiencë e bukur”, rrëfen turisti italian.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.