Ekonomia

Turizëm me ndërtimet e komunizmit, tuneli vizitohet nga 3 mijë të huaj

Tuneli i Luftës së Ftohtë, një katakomb ë nëndheshëm ë ndërtuar rreth viteve ‘70 si një vepër post komande në rast sulmi bërthamor po kthehet në një prej destinacioneve më interesante për vizitorët në Gjirokastër.

Tuneli i gjatë rreth 3 km me 66 mjedise zyrash, salla mbledhjesh, mencë, sisteme ventilimi, furnizimi me ujë etj përfaqëson një prej investimeve më tronditëse të periudhës, një vepër që kërkoi rreth 15 vite të përfundonte dhe që nuk u vu kurrë në përdorim.

Tuneli kishte lidhje sekrete me ish Komitetin e Partisë së Rrethit dhe me ish Komitetin Ekzekutiv dhe presupozohej që të dy institucionet do të zhvendoseshin në këto mjedise në rast lufte. Sot vizitorë nga vende të ndryshme por sidomos ata perëndimorë ndihen të befasuar nga përmasat dhe paranoja e sistemit. Oliver Gylkes një vizitor britanik thotë se tuneli të ndihmon të kuptosh çfarë ka ndodhur.

“Gjirokastra është një prej qyteteve më të mrekullueshme shqiptare. Kam parasysh shtëpitë otomane dhe kështjellën por këto tunele janë vërtetë, vërtetë, një pjesë tronditëse e së kaluarës. Çdokush që e viziton këtë vend ka mundësinë të përfshihet thellë në realitetin qesharak të Luftës së Ftohtë që tek e fundit tregon se Shqipëria megjithëse nuk i përdori kurrë këto vendstrehime, ishte pjesë e skenës së trazuar europiane gjatë gjithë kohës. Do t’ja rekomandoj kujtdo që të vijë këtu”, thotë Oliver Gylkes.

Një tjetër vizitore, Racheel shprehet e tronditur prej zbulimit. “Vërtetë më pëlqeu shumë brendësia e këtij tuneli dhe mundësia për të kuptuar sesi gjërat kanë qenë. Është pak e frikshme të mendosh sesi disa gjëra kanë funksionuar por gjithashtu shumë mbresëlënëse që tani ne mund të vijmë të gjithë si miq ta vizitojmë këtë vepër. Rënia e komunizmit mundësoi njohjen graduale të një vendi kaq të bukur si Shqipëria”, thotë Racheel Summersum.

Nga ana tjetër Skerdi Thomai kreu i Zyrës së Informimit Turistik në bashkinë e Gjirokastrës thotë se këtë verë objekti u vizitua nga rreth 3000 njerëz nga vende të ndryshme të botës. Ai flet gjithsesi për nevojën e rikonceptimit të objektit si atraksion turistik tashmë duke i rikthyer mobilimin origjinal të kohës, sinjalistikën pasurimin e njohjes dokumentare.

Misteri që mbuloi ndërtimin e kësaj vepre, fshehja e ideatorëve, projektuesve dhe zbatuesve si dhe mungesa e çdo lloji dokumentacioni, përvec planimetrisë flet se ende objekti po fsheh të vërteta të mëdha të lidhura me periudhën që e prodhoi.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button