TV

U festua 85 vjetori i Radio Tiranës

Nga XHELIL AlIU

Siç është njohur opinioni i gjerë, u festua 85 Vjetori i themelimit të Radio-Tiranës, i asaj që u njoh në të katër anët e botës si Zëri i Shqipërisë dhe i shqiptarëve. Historia e asaj Radioje nisi nga hiçi dhe erdhi e u rrit gjithënjë, duke u bërë institucion shumë i dashur për të gjithë dëgjuesit e saj, jo vetëm shqiptarë, por edhe të huaj, që e ndiqnin atë në gjuhët e tyre.
Pata fatin e madh që një pjesë jo të pakët të rrugëtimit tim ta bëja brenda atij institucjoni dhe sëbashku me kolegët e mi, sëbashku me personelin Ing.-Teknik me krijuesit e fushës muzikore dhe ata të administrates, ne bëmë atë që mundëm dhe që patëm mundësi të bënim në kohën tonë. Nëse e bëmë mirë apo keq, këtë e kanë thënë dhe e thonë edhe sot e kësaj dite dëgjuesit e shumtë, brenda e jashtë kufijve të Shqipërisë. Do të kalojnë kohët dhe natyrshëm që zhvilli do të bëjë të vetën. Por, atë pjesë të historisë së asaj Radioje nuk do ta fshijë dot kush. Punën e bërë nga njerëzit e asaj Radioje do ta kujtojnë me nderim e respekt ata që dijnë ta vlerësojnë e të nderojnë atë që meriton të nderohet.
Mundet të ndodhë edhe ndonjëherë tjetër që ta harrojnë këtë gjë, duke mos u kujtuar, të paktën për mirësjellje, që tu bëhet një njoftim atyre që janë gjallë për të qenë prezent në ceremoninë e 85 vjetorit të asaj Radioje. Mundet që koha të sjellë zhvillime e ndryshime tepër mbresëlënëse. Por investimin e bërë për atë Radio nga njerëzit e saj nuk do ta zhbëjë dot kush dhe ta lerë në harresë.
Do të ishte në nderin e atyre që janë në krye të atij institucjoni që në këtë 85 vjetor të ftoheshin të gjithë të gjallët e asaj Radioje, që nga krijuesit, nga gazetarë e regjisorë, nga operatorë teknikë e inxhinjerë, nga specjalistë të muzikës dhe ata të mbrapavijës që të ishin aty, qoftë edhe formalisht. Sepse kështu nuk janë fyer apo lënë në harresë ata. Jo! Kështu kanë ulur vlerat e vehtes ata që janë marë me organizimin e asaj ceremonie, sado modeste që të ishte ajo.
Me këtë rast, përkulem me nderim të thellë për të gjithë ata emra punonjësish të Radio-Tiranës, të cilët sot nuk janë më mes nesh, por mbetet puna dhe investimi që ata bënë për ta rritur Radion tonë të dashur.
Dua gjithashtu, tu përcjell përshëndetjet e mia tërë atyre zotërinjve dhe zonjave që kanë qenë pjesë e strukturave të Radio-Tiranës ndër vite. Përshëndes ish kolegët e mi të Redaksisë së Fëmijëve, si Sali Hamzai, Stavri Sharxhi, Liljana Arapi, Valdete Andoni, Frida Suku, Ali Eltari e më pas Jani Duri, Vangjel Kozma e Rezarta Reçi. Përshëndes ish kolegët e Redaksisë së Kulturës, Arqile Ndini, Engjëll Nazari, Mine Prençi, Neta Malja, Xhevat Mustafa, Koço Gjipali, Dashnor Kokonozi e Aida Shehu, Folset e mrekullueshme, që nga Meropi, Elsa, Liljana, Feridja, etj. Përshëndes Punonjësit e Programacjonit dhe të informacjonit me Timon, Ahmetin, Piron, Zamirën e të tjerë, punonjësit e Krijimtarisë muzikore, të Programeve muzikore dhe ato të Fonotekës, punonjësit e Teknikës me Sokol Bllacën, Fat Dizdarin, Hamdi Mëzezin, Ben Bërxollin etj, Inxhinjerët Flutura Gorica, Xhemil Dauti etj. Përshëndes zonjat e mrekullueshme me të cilat punova për realizimin e programeve të ndryshme, si Afërdita Gramo, Vjosa Luto, Tefta Ziçishti, Magdalena Skaka, Zymrytja, Liria, Zana Kikino e Zana Lekbello, pa përjashtuar edhe ato që punonin në studjot e tjera të regjistrimit e transmetimit. Përshëndes punonjëset e Administratës dhe të sektorëve të tjerë, të cilët si një trup i vetëm funksjononin në shërbim të punës dhe të institucjonit tonë.
Do të dëshiroja që t’i qe çuar Presidentit një listë emrash prej atyre ish punonjësve të Radios, që jetojnë ose jo, për t’iu akorduar një titull nderi, sepse jam i bindur që nuk do tu kushtonte ndonjë gjë, veçse do të fitonin më shumë dinjitet edhe për vehten e tyre ata që e kanë mundësinë dhe statusin e duhur për ta bërë një gjë të tillë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button