Bota

Ukrainasit janë skeptikë për armëpushimin

Në Lindje të Ukrainës, separatistët dhe ushtria ukrainase tërheqin armët e tyre të rënda. Megjithatë të enjten vdiqën sërish tre ushtarë ukrainas. Në Kiev nuk beson thuajse askush që armëpushimi do të mbajë gjatë.

Mbledhje ndihmash per ushtrine ne Maidan

Tani armët kanë heshtur, në pjesën më të madhe. Vullnetarët ukrainas të Narodny Tyl e përdorin këtë kohë për të mbushur rezervat e tyre. Thuajse askush këtu nuk beson në një armëpushim të qendrueshëm. Në të kaluarën janë thyer kaq shumë armëpushime, thotë Julia Gonçerova. Tek Narodny Tyl Gonçerova është përgjegjëse për farmacitë fushore dhe medikamentet për trupat. “Po të zbatoheshin marrëveshjet unë do të isha pa dyshim pro tyre. Por deri tani ato na kanë sjellë vetëm më shumë vdekje dhe humbje të mëdha territori.”

Këpucë dhe veshje të brendshme të ngrohta

Disa metra më tej, Tetjana ndihmon Sergejin që të ngjisë një karton. Në asnjë mënyrë nuk duhet të humbasë rrugës për në Lindje pakoja me sende me vlerë: këpucë të ngrohta dhe veshje të brendshme termike për frontin. Në sallën e vogël në qendër të Kievit janë mbledhur uniforma, thasë, farmaci fushore por edhe shampo dushi dhe furça dhëmbësh. Ushtrisë ukrainase i mungojnë gjërat më bazore. Para luftës Tetjana ishte menaxhere në një firmë stolish. Që do të kthehet së shpejti në jetën e saj normale, këtë as ajo nuk e beson.

Me metro shkojmë në redaksinë e gazetës së internetit Ukrainska Prawda. Kriza ekonomike ka lënë bosh sipërfaqe të tëra reklamash në shkallët e gjata lëvizëse të metrosë së Kievit. Por në vend të tyre, kudo sheh ngjyrat blu dhe të verdha të flamurit kombëtar me fjalët në gjuhën ukrainase dhe ruse “Vend i bashkuar”. Por deri sa të arrihet bashkimi, kjo mund të kërkojë dekada, deklaroi të enjten (26.02) ministri i Jashtëm gjerman, Frank Walter Steinmeier.

Edhe kryeredaktorja e Ukrainska Prawda-s, Sewgil Mussajewa-Borowik nuk lidh shpresa të mëdha me marrëveshjet e Minskut. Vërtet që kancelarja Angela Merkel dhe Presidenti i Francës, François Hollande vunë shumë peshë politike në marrëveshjen Minsk II, kështu që të dyja palët do të ndërmerrnin gjithçka, që marrëveshja të mos dështojë, beson Mussajewa-Borowik. Por megjithatë ajo është skeptike, që armëpushimi të mbajë. “Do të hapet më pak zjarr, por do të ketë herë pas here incidente”, thotë gazetarja. Politika e Kremlinit dhe e separatistëve në Ukrainën Lindore është gjithsesi e vështirë për t’u parashikuar. “Objektivi i Rusisë dihet: ajo do t’i shkaktojë vazhdimisht probleme Ukrainës, që njerëzit të humbasin shpresën, se gjendja e tyre mund të përmirësohet.”

Sewgil Mussajewa-Borowik është skeptike
Sewgil Mussajewa-Borowik është skeptike

Sërish tri ushtarë të vrarë

Në Maidan, në sheshin e pavarësisë, qirinjtë dhe lulet kujtojnë të vrarët e revolucionit një vit më parë. Sot njerëzit kanë frikë se pas Debalçeves mund të bjerë edhe qyteti i rëndësishëm strategjik Mariupol. Pas dy ditëve qetësi, ushtria ukrainase informoi të premten (27.02) për tri ushtarë të vrarë. Megjithë armëwpushimin, separatistët patën sulmuar në tri vende të ndryshme gjatë vijës së armëpushimit.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button