Ulja e TVSH-së në turizëm, biznesi: Do të reflektohet edhe te çmimet
Vendimi i qeverisë shqiptare për të reduktuar Taksën e Vlerës së Shtuar për furnizimin e shërbimit të akomodimit në 6% duket se e kapi në befasi biznesin, i cili duket se i kishte humbu shpresat pasi kishte vite që lobonte për këtë kërkesë.
Në një konferencë për shtyp përfaqësues të dhomave kryesore të biznesit vlerësuan këtë nismë të qeverisë dhe punën e bërë për të ‘bindur’ FMN-në që të mund të lehtësohej me incentiva fiskale sektori i turizmit.
Kreu i sektorit akomodues i Shoqatës Shqiptare të Turizmit (ATA), Zak Topuzi tha se nga ky redukim do të jenë rreth 3,900 njësi akomoduese që pritet të përfitojnë. “ Ju sigurojmë se kjo masë do të sjellë ndryshim rrënjësor në ekonominë e vendit do ta kthejë Shqipërinë në një destinacion konkurrues dhe do të shërbejë për të formalizuar tregun”, tha z.Topuzi.
Sipas tij shteti grumbullon çdo vite rreth 2 mln euro nga TVSH-ja në hotele dhe kjo masë od të ndikojë në rritjen e bazës së tatimpaguesve e si rrjedhim do të shtojë edhe të ardhurat.
“Nga ana tjetër, tha z. Topuzi, do të shërbejë edhe për rritjen e investimeve në sektorin akomodues kryesisht në resorte e hotele që ofrojnë paketa të plota shërbimesh”.
Ndërsa kreu i Biznes Albania, Luan Bregasi, i cili ka ndërmarrë një investim në turizëm ( në një kohë të çmendur siç e theksoi dhe vetë), tha se reduktimi i TVSH-së do të shërbejë për të përmirësuar shërbimin, si dhe për të rritur investimet. Sipas tij investitorët e huaj do të mund ta shohin Shqipërinë më me optimizëm për shkak të barrës fiskale që do të jetë e konkurrueshme me rajonin.
Për Ines Muçostepën, kryetaren e Bashkimit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë më në fund u arrit një rezultat i prekshëm për një kërkesë të hershme të biznesit, që është mbështur edhe nga Unioni.
Ndërsa, Nikolin Jaka, kreu i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë tha se biznesi nuk mblidhet në tryeza vetëm për t’u ankuar ndaj masave që merrte qeveria, por edhe për ta mbështetur në vendimmarrje që përmirësojnë klimën e biznesit, nxisin investimet dhe krijojnë kushte për vende të reja pune.