Kronika

Vajza e ish prokurorit Xhevat Hana do përfaqësojë PS në zgjedhje, në zonën e Rrajcës dhe Prrenjasit

Albana Hana, vajza e ish prokurorit të njohur Xhevat Hana, do të përfaqësojë Partinë Socialiste në zgjedhjet e 25 Prillit në zonën e Rrajcës dhe të Prrenjasit.
Albana Hana ka studiuar Shkenca Sociale dhe Drejtësi pranë Universitetit të Tiranës dhe mban gradën Master në fushën e Demokracisë dhe të Drejtave të Njeriut në Evropën Juglindore nga Universiteti i Sarajevës dhe Bolonjës.

Ka kryer studimet e doktoraturës në fushën e ligjbërjes në Gjermani si dhe kërkime shkencore pranë disa instituteve prestigjoze në Evropë si, Instituti Max Planck për të Drejtën e Krahasuar dhe atë Private Ndërkombëtare, si dhe pranë Universiteteve të Oksfordit dhe Kembrixhit. Albana është e trajnuar në fushën e lidershipit pranë Qendrës për Lidership në Bruksel.

Për të çuar përpara kontributin e të atit në shërbim të vendit, Albana Hana u bë pjesë e skuadrës së Partisë Socialiste përmes platformës “Deputeti që duam”.

Kryetari i Grupit Parlamentar Socialist Taulant Balla prezantoi Albanën në fshatin e saj në Rrajcë ku mikpritja e banorëve, për vajzën e tyre, ishte e jashtëzakonshme:

“Është nder për Partinë Socialiste që përfaqësuesin e vet për këtë zonë ta ketë Albanën. Është vajza e mikut të të gjithë Rrajcës, Xhevat Hanës.

Për ata që nuk e dinë, Rrajca ka prodhuar burra e gra të shkëlqyera. Rrajca njihet për njerëz me reputacion të shkëlqyer dhe Xhevati ishte një nga ata njerëz që luftoi për drejtësinë e vërtetë në Shqipëri.
Albana do të jetë pjesë e listës së Partisë Socialiste në zgjedhjet e 25 Prillit. Ka ardhur në bazë të një procesi që ne kemi nisur duke hapur dyert e PS, jo vetëm për njerëz që militojnë Brenda partisë, por edhe për njerëz me kontribute jashtë.
Në kuadër të procesit “Deputeti që duam” u krijua një derë për të dhënë kontribute, djem e vajza, burra e gra në fusha të caktuara, qofshin mjekë, mësues, sipërmarrës apo fermerë e jurist të shkëlqyer si Albana.

Albana ka punuar në Ministrinë e Integrimit Europian deri kur Saliu e hoqi nga puna si vajza e Xhevat Hanës.”
Znj. Hana siguroi banorët e Rrajcës dhe të Prrenjasit se të gjithë eksperiencën e saj do ta verë në shërbim të kësaj zone për zhvillimin e mëtejshëm të saj, teksa u shpreh e impresionuar me ndryshimet e viteve të fundit:
“Jam vajzë e kësaj zone dhe kur erdha sot kam vënë re një ndryshim kozmik do thoja, ndryshim shumë të madh që ka ndodhur në zonë dhe më vjen shumë mirë.

E di që keni pasur shumë vështirësi, mbaj mend familjen e tim eti dhe jam e njohur me gjithë mundin dhe vështirësitë që kaloni ju.
Unë nuk jam e fushës së politikës, unë jam e fushës së projekteve. Për shumë vite jam marrë me projekte të Bashkimit Europian dhe kjo është pika më e fortë ku unë do doja të fokusoheshim, por për këtë dua besimin tuaj, dua të punojmë bashkë.

Ndoshta jeni të lodhur, ndoshta keni humbur besimin tuaj, janë të gjitha të pranueshme, por gjërat duhen bërë bashkë.
Do të punojmë bashkë me projekte të ndryshme, mbi të gjitha të bashkëpunimit ndërkufitar. Kjo do jetë puna jonë. Nuk ka rëndësi çfarë kanë bërë të tjerët. Ne nuk mund ta bazojmë punën tonë duke sharë apo duke hedhur baltë, por do ta bazojmë vetëm në punën tonë. Vetëm kështu do ndryshojmë.”

Rrajca njihet si një nga zonat që i ka dhënë Shqipërisë njerëz punëtorë e të nderuar, por banorët e Rrajcës u shprehën të nderuar me këtë përfaqësim të Albana Hanës.
Albana ka eksperiencë të konsiderueshme në administratën publike dhe është eksperte e fondeve dhe programeve të Bashkimit Evropian, veçanërisht eprogrameve të Bashkëpunimit Ndërkufitar.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button