Te ndryshme

VAN GOG – Një gjeni autodidakt, apo një i çmendur i talentuar?

Përse gjeniu e preu veshin dhe ia dhuroi atë një prostitute. Cilat janë versionet që ofrojnë studiuesit e biografët e tij? Ja disa nga të thënat e të pathënat për mjeshtrin e madh që sa ishte gjallë besohet se nuk arriti të shiste dot as edhe një pikturë të vetme

Kush nuk i njeh pikturat e tij? Lulet e diellit, autoportretet dhe imazhe të tjera. Vincent Van Gog është me siguri një ndër piktorët më të famshëm dhe më të shitur në botë, për sa i përket pikturës moderne. Për jetën e tij qarkullojnë legjenda e mite të panumërta, e pjesërisht edhe me sfond aventuresk e të manipuluar, të themi më mirë, të ekzagjeruara.

Pikëpyetja mbi Paul Gauguin

Van_Gogh_-_Selbstbildnis_mit_verbundenem_Ohr_1Në tetor të vitit 1888, adhuruesi i tij, Paul Gauguin, erdhi të punojë në Arles. Të dy jetojnë dhe punojnë së bashku dhe ndikohen në punën e tyre nga njëri-tjetri. Pas pak muajsh, vijnë dhe kontradiktat e para midis dy shokëve, dhe Gauguin, pas një periudhe që Van Gog e kalon në spital, largohet përfundimisht prej tij.

Është pikërisht kjo kohë, që shënon edhe episodin që ka bërë të lindë në fakt edhe ai që sot njihet si “Miti i Van Gogut”: më 23.12.1888 ndodh edhe një grindje e ashpër mes dy artistëve. Gjatë, apo ndoshta dhe pas zënkës, Van Gog pret veshin dhe më pas ia dhuron atë një prostitute.

Artikulli i gazetës së kohës

Burimi më i besueshëm për këtë fragment, sa të çuditshëm aq edhe të çmendur, bëhet vetë gazeta lokale e qytetit të Arlesit, që shkruante asokohe më 30 dhjetor 1888: “Të dielën e shkuar, më 11.30 të mbrëmjes, njëfarë Vincent Van Gog, piktor, që vjen nga Holanda e që jeton në ‘Maison de la Tolerance, nr.1′, ka kërkuar njëfarë Rachel dhe i ka dhuruar asaj veshin e tij, duke i thënë: ‘Ruajeni këtë objekt me kujdes’. Pastaj ai është zhdukur”.

Shumë histori për veshin e prerë

Nga kjo histori, më pas janë përpunuar në fakt shumë histori të tjera që kanë njohur një sërë variantesh, një herë duke dëshmuar se ka qenë veshi i majtë e një herë, i djathti. Një herë i gjithë veshi, e një herë tjetër, një pjesë e tij. Edhe arsyet që e çuan atë të bëjë këtë veprim, kanë qenë shpesh spekulative e të pavërteta. Me ç’duket, ai ka dashur t’i bëjë presion mikut të tij Gauguin, pasi ky i fundit ka dashur të largohet duke e bërë Vincentin të mbërthehet nga paniku e frika e vetmisë – me moton: “Nëse ti largohesh, atëherë do t’i bëj diçka vetes”.

Të tjera histori e gjejnë shpjegimin tek arsyet shëndetësore: Van Gog vuante sipas dëshmive nga “Morbus Menier”, një sëmundje e veshëve, që sjell si pasojë trullosje, shqetësime të sistemit vegjetativ nervor dhe që si simptomë tipike ka fryrjen e veshëve. Nga dëshpërimi për moskurimin e saj dhe shqetësimet e shpeshta nga zhurmat, ai mund të ketë vendosur t’i japë fund atij që i dhembte më shumë, të majtit ose eventualisht, të djathtit.

Një variant tjetër i preferuar i biografëve të tij, apo dhe i historianëve të artit, është edhe ai që thotë se Van Gog vuante nga skizofrenia dhe në një rast goditjeje të fortë të saj, arriti deri aty sa e preu njërin vesh në agoni e mungesë të plotë ndërgjegjeje.

Dëshmia se ajo mund të ketë qenë një pjesë e veshit dhe jo e gjitha, e ka bazën gjithsesi në arsye mjekësore: Van Gog me shumë gjasa, do të ishte gjakosur shumë, nëse do të kishte prerë të gjithë veshin.

Ka edhe një pretendim tjetër që thotë se Van Gog, madje nuk e ka prerë fare vetë veshin e tij, por ai është prerë si pasojë e grindjeve fizike me Gauguin dhe ky i fundit, mund ta ketë goditur me ndonjë sëpatë apo thikë.

Miti i gjeniut autodidakt

Pas shumë vitesh të paqeta e të pastabilizuara në jetën e tij dhe punëve të ndryshme për të fituar bukën e gojës, për shembull, si mësues në një shkollë djemsh, si ndihmësprift në zonën më të varfër të Belgjikës, te minatorët dhe si shitës arti në Londër e Paris, ai fillon vetëm në moshën 27-vjeçare, në vitin 1880, karrierën e tij si piktor i mirëfilltë.

Studion në shkolla të ndryshme artistike, si në Antverpen dhe në Akademinë e Arteve në Bruksel, por në të dyja rastet, nuk qëndron gjatë. Jeta akademike shumë e shtrënguar në rregulla e kufizime, duket se nuk i pëlqen atij dhe nis madje të dyshojë për karrierën që po merr. Është pikërisht kjo arsye, e lidhur me këtë periudhë, që i bën shpesh biografët e tij ta cilësojnë atë si një autodidakt.

Në vizitat e tij të shpeshta në muze, ai kopjon mjeshtërit e mëdhenj, duke praktikuar edhe aftësitë e veta. Në Paris, ai viziton shumë galeri e ekspozita të impresionistëve dhe orientohet në stilin e tyre dhe në mënyrën e tyre të veçantë të trajtimit të dritës.

Është e drejtë që Van Gog nuk ka qëndruar gjatë në akademitë dhe se ai zhvilloi një stil të veçantë, të fortë e individualist.

Kjo nuk do të thotë megjithatë, se veprat e tij janë “shkarravina”, të bëra pa kujdes të një “gjeniu të çmendur” e të një shpirti për t’u mëshiruar. Ekzistojnë pika lidhje të gjëra me artin dhe teknikën e mësuar në shkolla. Më anë të rrezeve “Rëntgen”, pikturat e tij në vaj dëshmojnë se Van Gog ka pikturuar imazhe të detajuara e të kujdesshme. Kjo kundërshton idenë apo pikëpamjet, se ai ishte vetëm një ekstatik, një rastësi gjeniale e të hedhurit të ngjyrave në telajo.

Miti i syve të dëmtuar

Pikën më të lartë të veprës së tij artistike, ai e arrin në prill të vitit 1888, kur shkon në Arles dhe ku impresionohet shumë nga ngjyrat e diellit në Francën Jugore dhe ku gjen stilin e tij të paimitueshëm.

Ngjyra të thella e të forta, që hidhen në telajo me penel të gjerë e të shtrirë trashë si një krehje, duke dhënë një trajtë të dritës që shpërndahet, si për shembull te pikturat e “Natë në Arles”, kanë sjellë edhe shumë spekulime rreth aftësisë së përftimit e konceptimit të Van Gogut.

Kështu, ekziston tashmë teoria se artisti përfton halucinacione dhe ato i pasqyron më pas në imazhet e veta. Apo dhe kur thuhet, se nëse ndokush vuan nga një sëmundje e lidhur me sytë, pikturon dritën ashtu siç ai e sheh. Këto shpjegime racionale, megjithatë nuk përputhen aspak me kualitetin e pikturave të tij. Përveç kësaj, në veprat e Van Gogut vihet re një trajtim drite shumë i larmishëm. Nuk është vetëm se pikturat e tij të hershme ndryshojnë në dhënien e dritës nga ato pasardhëset, por edhe brenda një periudhe të përsosmërisë, imazhet e tij qëndrojnë pranë njëra-tjetrës me një trajtë normale e të shpërndarë të dritës.

Miti i gjeniut të çmendur

Gjendja shëndetësore e Van Gogut përkeqësohet, duke nisur nga viti 1890 pas prerjes së veshit dhe shpesh atë e shtrojnë në spitalin psikiatrik aty pranë në “St. Rémy-de-Provence” për ta kuruar, por ka dhe raste, kur ai shkon edhe vetë atje. Në të njëjtin vit, ai zhvendoset me dëshirën e vëllait të tij, Theo, drejt Auvers-sur-Oise, në afërsi të Parisit, ku ai kurohet nga doktor Gachet.

Për sa i përket, në fakt, ditëve të fundit të jetës së Van Gogut dhe vdekjes së tij, pak dihet. Një fakt ky që ka ndikuar edhe më shumë në rritjen e mitit të tij. Në ditët e fundit para vdekjes së tij, ai punon ethshëm dhe nga kjo periudhë dalin në dritë shumë piktura, që shfaqin në realitet mjedisin që e rrethonte. Njëra ndër to është dhe “Ara e grurit me korba”. Ndoshta kjo mund të ketë qenë e fundit, që është bërë në ditën që ai vdiq, por gjithsesi, një dëshmi për këtë pretendim, nuk ekziston.

Përgatiti: Armand Plaka

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button