Kronika

Vartësit e Bodes që abuzuan pesë milionë euro

“Dosja INSIG”

Prokuroria po heton nëntë zyrtarë, që nga Ministria e Financave e deri te Këshilli Mbikëqyrës i Shoqërisë 

Nga Sokol Çobo

Alfred-RushajNëntë ish-zyrtarë të lartë të Ministrisë së Financave po hetohen nga Prokuroria e Tiranës për shpërdorim detyre, pasi me veprime dhe mosveprime i kanë shkaktuar shtetit shqiptar një dëm që llogaritet mbi pesë milionë euro. Ministria kishte depozituar kallëzimin pak javë më parë, në njësinë Task-Forcë, e cila, pas verifikimeve të para, regjistroi procedimin penal, ndërsa tashmë nis një tjetër fazë, ajo e mbledhjes së provave. Sipas të dhënave nga prokuroria, ish-drejtuesit e kompanisë shtetërore INSIG, por në veçanti zyrtarët e degës së Kosovës, kanë shpërdoruar detyrën, pasi kanë shpenzuar shuma të majme në reklama apo shpërblime. Ministria e Financave ka bërë një audit të veprimtarisë financiare të INSIG-ut në vitet 2009-2013, ku dhe janë gjetur shkeljet e mëdha, ndërsa materialet ia ka nisur prokurorisë, në formën e kallëzimit penal, por pa emra të akuzuarish direkt.

Cilët po hetohen

Megjithëse kallëzimi është pa emra, në dosje ndodhen emrat e personave që kanë abuzuar me detyrën. Ministria ka akuzuar indirekt dy ish-drejtorët e INSIG-ut, Saimir Zemblakun dhe Tomorr Kalanë, për veprime dhe mosveprime. Gjithashtu, në materialet që po hetohen nga njësia Task-Forcë, ndodhet edhe emri i Arben Breshanit, ish-drejtuesi i INSIG-ut, dega Kosovë. Më pas, përgjegjësia shkonte deri afër kupolës së Ministrisë së Financave, gjatë kohës që drejtohej nga demokrati Ridvan Bode. Prokuroria po shikon vendimmarrjet e ish-zëvendësit të Bodes, Alfred Rrushajt, në disa letërkëmbime që ka pasur me drejtuesit e INSIG-ut, ndërsa nën hetim janë edhe pesë anëtarët e këshillit mbikëqyrës të shoqërisë. “Po hetojmë vendimmarrjen e anëtarëve të këshillit mbikëqyrës të INSIG-ut, që janë: Petraq Milo, kryetar, Palok Kolnikaj, Asllan Shera, Omer Stringa dhe Lindita Rusmali anëtarë”, thanë burimet nga prokuroria. Mësohet se Asllan Shera ka qenë ish-këshilltar i ministrit Ridvan Bode, ndërsa personat e tjerë kanë mbajtur disa poste në Ministrinë e Financave.

Auditi 2009-2013

Në dosjen që ndodhet në duart e prokurorëve të njësisë Task-Forcë janë disa audite të Ministrisë së Financave, që ka kontrolluar INSIG-un. Raportet bëjnë fjalë për abuzimin e fondeve të sigurimit të shpenzuara për reklama dhe shpërblime ndaj punonjësve. Mësohet se dëmi i shkaktuar shtetit është përkatësisht 5 135 506 euro, që është shpërdoruar jashtë zërit të depozitimit për sigurime ose thënë ndryshe për bonuset e sigurimit tip TPL. Mësohet se për marketing dhe reklama u harxhuan më shumë se 3 milionë euro, për shpërblime ndaj punonjësve gati një milion euro dhe pjesa tjetër ka qenë shpenzime për riparime zyrash apo për blerje të vogla.

Përgjegjësitë

Prokuroria ende nuk ka ngritur përgjegjësitë e para ligjore për këtë dëm që i është shkaktuar shtetit, duke e regjistruar procedimin penal pa emra konkretë. Megjithatë, në dokumente thuhet se ish-drejtorët e përgjithshëm, Saimir Zemblaku, Tomor Kalaja dhe ish-drejtuesi i degës së Kosovës, Arben Breshani, kanë hartuar disa raporte për këshillin mbikëqyrës. Më pas, këshilli, i kryesuar nga Petraq Milo, anëtar edhe i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, nuk ka marrë një vendim për problemet e miratimit të buxhetit për shpenzimet. Madje, Ministria e Financave ka gjetur dokumente false të hartuara nga këta zyrtarë dhe këshilli mbikëqyrës nuk i ka parë, por i ka kaluar, ndoshta pa i kontrolluar fare. Akuza dyshon se shuma prej 5 milionë eurosh i është ndërruar destinacioni dhe mund të jenë marrë ryshfet, por kjo ngelet për t’u zbardhur në ditët në vijim, pasi hetimet mund të shkojnë, krahas shpërdorimit të detyrës, edhe te falsifikimi i dokumenteve.

Hetimet e para

Prokuroria dyshon se, disa ish-zyrtarë të Ministrisë së Financave, drejtuesit e INSIG-ut, si dhe anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës, kanë shpërdoruar detyrën, ndërsa persona të tjerë, vartës të tyre, mund të kenë falsifikuar edhe dokumentet që ndodhen në dosjen voluminoze. Njësia Task-Forcë, në akuzën e kryeqytetit, ka filluar veprimet e para, teksa ka sekuestruar tek INSIG-u të gjithë zërat e shpenzimeve të degës së Kosovës, ku dhe dyshohet se ka ndodhur edhe abuzimi më i madh. Pas këtyre procedurave, në pyetje do të merren të gjithë emrat e përmendur në kallëzimin e Ministrisë së Financave.

Dëshmitarët

  1. Saimir Zemblaku
  2. Tomorr Kalaja
  3. Arben Breshani
  4. Alfred Rrushaj
  5. Petraq Milo
  6. Palok Kolnikaj
  7. Asllan Shera
  8. Omer Stringa
  9. Lindita Rusmali

Akuza dyshon se shumës prej 5 milionë eurosh i është ndërruar destinacioni dhe mund të jenë marrë ryshfet, por kjo ngelet për t’u zbardhur në ditët në vijim

 

Akuza

Milo dëshmoi edhe për vjedhjen e BSH-së

Një nga dëshmitarët që do të pyetet për abuzimet tek INSIG-u, është edhe Petraq Milo, ish-këshilltar i Kryeministrit Sali Berisha, ndërsa ishte edhe kryetari i Këshillit Mbikëqyrës të INSIG-ut. Akuza dyshon se ky këshill ka miratuar disa raporte të kësaj shoqërie, megjithëse dukeshin që ishin në shkelje të ligjit. Nga ana tjetër, mësohet se Petraq Milo ka dëshmuar në prokurori edhe për vjedhjen e Bankës së Shqipërisë. Milo ka qenë anëtar i Këshillit Mbikëqyrës të BSH-së.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button