Vdekja e 28-vjeçares, tjetër skandal për policinë
Një tjetër hije skandali ka përfshirë forcat e rendit në Shtetet e Bashkuara, ku një grua ka vdekur teksa mbahej nën kujdes nga policia në Teksas.
Departamenti i policisë lokale ka deklaruar se 28-vjeçarja afro-amerikane Sandra Bland u vetëvra në qeli, por familja e saj nuk e beson këtë variant.
Bland u arrestua më 10 korrik pas një përplasjeje me një polic, i cili e ndaloi për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.
Një video e publikuar online tregon oficerin që i afrohet vajzës me pistoletën me rrymë elektrike e që i thotë: “Do të të elektrizoj”.
Struktura të ndryshme shtetërore, por edhe FBI po hetojnë vdekjen e 28-vjeçares. Bland u gjet e vdekur në qeli tre ditë pas arrestimit dhe agjentët e stacionit policor deklaruan se ajo ishte vetëvarur.
Një sherif që mbikëqyri ndalimin e Bland deklaroi se ajo kishte thënë gjatë marrjes në pyetje se në të kaluarën ishte përpjekur të vetëvritej dhe se ndihej nën depresion.
Por avokati i familjes Bland, Cannon Lambert deklaroi se të afërmit e saj nuk kanë asnjë provë që vajza të ketë tentuar vetëvrasjen më parë apo të ketë vuajtur nga depresioni.
Ai tha se, familja dëshiron që hetuesit t’i shkojnë deri në fund hetimit të nisur. “Sandy Bland ishte një aktiviste sociale dhe aktivistët socialë nuk i japin fund jetës”, tha Lambert.