Ekonomia

Veliaj: 1 mln $ për subvencionimin e kredive të buta, ndihmojmë 1 mijë çifte të reja

Rreth një mijë familje të reja në Tiranë do të përfitojnë shumë shpejt një kredi të butë. Bashkia e Tiranës nisi sot zbatimin e programit social të strehimit për kreditë e buta për blerjen e një shtëpie, duke marrë përsipër të subvencionojë interesat e tregut bankar. Programi u prezantua nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili theksoi se kreditë e buta janë një tjetër alternativë që Bashkia e Tiranës ofron për t’i dhënë fund problemit të strehimit në kryeqytet, krahas programeve të tjera që zbaton prej muajsh.

“Nga sot, çdo qytetar i Tiranës që plotëson kriteret, të cilat synojnë kryesisht familje të reja, mund të shkojë pranë njësive administrative dhe të aplikojë për të marrë një kredi të butë të subvencionuar nga Bashkia e Tiranës dhe pastaj kredinë e merr në bankat e nivelit të dytë.  Këtë vit kemi vënë 1 milion dollarë në dispozicion vetëm për amortizimin e kredisë. Në vitin e parë financiar ku kishim një borxh të konsiderueshëm, ishte e pamundur që të fillonim një program të tillë, por në vitin e dytë, sapo Bashkia u sigurua nga ana financiare, menduam që kishte ardhur koha që me të ardhurat tona të fillonim këtë projekt”, tha Veliaj.

Kreu i Bashkisë deklaroi se në administratën e mëparshme u abuzua me skemën e subvencionimit të kredisë, ku përfituesit nuk ishin ata qytetarë që realisht kishin nevojë, por zyrtarët e lartë. Ai theksoi se targeti kryesor që do të përfitojnë nga skema e kredive të buta do të jenë kryesisht familjet e reja, por sigurisht që nuk do të përjashtohen edhe familjet e tjera. “Në kontratën që kemi me bankat e nivelit të dytë, për 1 milion dollarë që vendos bashkia, bankat do të japin nga 50-60 milionë dollarë në total për blerjen e apartamenteve. Për qytetin e Tiranës, për ekonominë tonë, injektimi i 50-60 milionë dollarëve në ekonomi, në tregun e shit-blerjeve, në taksat që paguhen prej kësaj, në rritjen e vlerës së pronës, është i jashtëzakonshëm. Janë vende pune që hapen, është një industri e cila vazhdon e punon”, u shpreh Veliaj.

Ai sqaroi risitë e skemës së subvencionimit të kredive të buta, ndërsa garantoi qytetarët se pavarësisht ndryshimeve në bursë, norma e interesit do të jetë e pandryshueshme. “Kredia do të jetë e garantuar ndaj luhatjeve të tregut. Kredia do të jetë 3% për 20 vjet dhe çdo interes mbi 3% amortizohet nga Bashkia e Tiranës, e cila sot mund të jetë 2 ose 3 pikë përqindje, por kemi pasur kredi edhe me 7, 10, 12%. Garancia që dikush jep që rregullat e lojës nuk ndryshojnë për 20 vjet, është besoj garancia më e madhe që dikush kërkon kur futet në një marrëdhënie financiare me një bankë ose me Bashkinë e Tiranës. Kjo të jep një garanci për të ardhmen, ku rregullat nuk ndryshojnë dhe çdo luhatje e tregut është diçka që do të përballohet nga Bashkia e Tiranës. Ne jemi të gatshëm ta përballojmë këtë që në vitin tonë të parë”, nënvizoi Veliaj, ndërsa shtoi se në kryeqytet falë investimeve që janë kryer nga ana e Bashkisë së Tiranës është rritur edhe vlera e pronës.

“Çdo investim rrit edhe vlerën e pronës, por kemi ende pjesë të tëra të tëra të Tiranës, si zona e Astirit, e Freskut, zona e Komunës së Parisit, ku ende ka banesa të cilat mund të shfrytëzohen, sigurisht me çmime edhe më ekonomike se sa çmimet që mund të ketë tregu sot. Megjithatë, vendimi përfundimtar për të zgjedhur një banesë është individual, përgjegjësinë financiare e kemi të përbashkët, qytetarët këstet e kredisë, kurse interesat Bashkia e Tiranës deri në 20 vjet, për t’u japim një shans”, tha Veliaj.

Por, përveç kredive të buta, Bashkia e Tiranës ka edhe tre skema të tjera për të mbështetur familjet, të cilat nuk kanë mundësi ekonomike që të sistemohen në një strehë. Kryebashkiaku deklaroi se një prej tyre është edhe Qendra e Emergjencës, ku janë vendosur disa prej familjeve që nuk kanë asnjë mundësi ekonomike. “Sot qendra në Tufinë është kthyer në një qendër për përballimin e emergjencave. Kemi pasur situata të vështira me të ftohtin, me përmbytjet dhe ka qenë një alternativë për të pastrehët”, tha ai.

Ndërsa, kategoria e dytë është bonusi i qirave, i cili është rikthyer pas një bllokimi nga administrata e mëparshme. “Për herë të parë rikthyem bonusin e qirave, i cili kishte vite që ishte pezulluar. Bonusi i qerave është një komplementim financiar i dikujt që tashmë e ka një qera, por që ndoshta nuk e paguan dot në çmimet e tregut dhe kjo subvencionohet nga Bashkia e Tiranës”, tha Veliaj.

Një tjetër mundësi për qytetarët janë edhe banesat sociale. “385 banesa sociale u shpërndanë dhe sot jemi në një fazë ku, jo vetëm kemi mbaruar këto, por po bëjmë edhe njësitë e tjera që i gjithë kampi i barakeve i komunitetit rom, që ishte një situatë totalisht e padenjë në Shkozë, gjithashtu bashkë me 60 banesa të tjera, të komplementohet dhe për herë të parë të zhdukim një fenomen të ndërtimeve të zonave informale, jashtë kushteve të higjienës dhe jashtë infrastrukturës arsimore dhe shëndetësore”, nënvizoi kryetari i Bashkisë së Tiranës.

Programi Social i Strehimit i kredive të buta parashikon që të ofrojë kredi për afro 1 mijë familje, kryesisht çifte të reja. Ai ofron një mundësi strehimi dhe nëpërmjet tij familjet e deklaruara të pastreha mund të aplikojnë pranë Bashkisë së Tiranës për të përfituar kredi nga banka me interes fiks 3 për qind, për gjatë gjithë viteve të shlyerjes së kredisë. Bashkia do të vërë fillimisht në dispozicion një fond prej 1 milionë dollarësh dhe do të marrë përsipër subvencionimin e interesave shtesë të kredisë që ofron sot tregu bankar. Që familjet e pastreha të përfitojnë nga ky program duhet të plotësojnë një sërë kriteresh të përcaktuar më parë me vendim të Këshillit Bashkiak.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button