Zgjedhjet lokale 2015

Veliaj dëgjesë me gratë që punojnë në zonën industriale: Zgjedhjet e 21 qershorit janë për fëmijët tanë

Për kandidatin e majtë për Bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj, zgjedhjet lokale të 21 qershorit nuk janë zgjedhje për partitë, por për familjet dhe shqetësimet, të cilat të gjithë ne i diskutojmë çdo ditë në tavolinën tonë të bukës. Në dëgjesën e zhvilluar sot paradite me punonjëset e zonës industriale në Tiranë, Veliaj tha se aktualisht kryeqyteti nuk është vend i mundësive, ndaj duhet çuar në drejtimin e duhur.

“Këto zgjedhje nuk janë zgjedhje për partitë, por janë zgjedhje për familjet tona. Temat për të cilat ne flasim në këto zgjedhje janë tema për të cilat flasim edhe në tavolinat tona të bukës, kur bëjmë pyetje si, në cilën çerdhe do ta çojmë fëmijën, a kemi çerdhe në lagjen apo fshatin tonë, a kemi çerdhe që i mban, ndërsa jemi në punë? Temat e kësaj fushate janë tema të familjeve tona”, tha Veliaj.

Duke shprehur vlerësimin e tij për këdo që punon në Tiranë, ai theksoi se sot në kryeqytet pabarazia në mundësi është shumë e lartë dhe se do të punojmë pa u lodhur për ta ndryshuar këtë, në mënyrë që të gjithë banorët e Tiranës, si në qendër ashtu edhe në periferi, të përfitojnë të njëjtat shërbime publike, duke nisur nga çerdhet dhe shkollat. “Unë kam respekt për të gjitha ato nëna, të cilave u bëhen gishtat gjak, por ama kanë një punë të ndershme. Ndaj dhe respektoj këdo që punon këtu në zonën industriale të Tiranës. Këto zgjedhje janë edhe për fëmijët tuaj”, deklaroi Veliaj.

Nisur nga kjo, punonjëset e zonës industriale shprehën shqetësimin për mbingarkesën e kopshteve dhe çerdheve në kryeqytet dhe për faktin se nuk kanë mundësi se ku t’i lënë fëmijët e tyre gjatë kohës që janë në punë. Për këtë çështje, Veliaj tha se ka nevojë për disa ndryshime. “Së pari, duhet të kemi çërdhe e kopshte në zona të tilla si zona industriale, sepse është shumë më e lehtë që ju ta lini fëmijën në një kopsht a çerdhe këtu afër”, tha ai.

Veliaj deklaroi se pala tjetër premton që të humbasim edhe 4 vite të tjera kot. “Asnjëri prej nesh nuk duhet të gënjehet dhe të ngatërrojë interesin e familjes tonë me interesin e familjes politike të SHQUP-it. Interesi i familjes tonë është më i madh se interesi i çdo partie. Ndaj është koha të mendojmë dhe të vendosim se si do të votojmë për tavolinën e bukës, aty ku bisedojmë se në cilin çerdhe, kopësht a shkollë do ta çojmë fëmijën, si do të shkojmë në punë, e çfarë mundësie do të na japë bashkia për nxitjen e punësimit? Prandaj duhet ta çojmë Tiranën në drejtimin e duhur”, deklaroi Veliaj.

Duke iu përgjigjur shqetësimit të banorëve për çështjen e transportit publik, ai shprehu besimin se në zonën industriale duhet të ketë një linjë të dedikuar. “Duhet të kemi një linjë të dedikuar, e cila t’u shërbejë të gjithëve”, u shpreh Veliaj, duke shtuar se kompanitë e transportit duhet të kalojnë në përdorimin e mjeteve që shkaktojnë më pak ndotje në mjedis. “Një kusht për të lidhur kontratat e reja me kompanitë e autobusëve do të jetë edhe përdorimi i një teknologjie që harxhon më pak, por edhe që nuk e ndot mjedisin”, theksoi ai.

Një tjetër çështje e ngritur nga banorët e zonës ishte edhe mungesa e përkrahjes nga ana e Bashkisë së Tiranës për sistemimin në banesa sociale apo të dhënies së bonusit social për qeratë. Kanidati i koalicionit të majtë solli në vëmendje se aktualisht janë 400 banesa sociale, të cilat nuk jepen nga kryetari aktual i bashkisë së Tiranës. Ai tha se gjëja e parë që do të bëjë në krye të Bashkisë do të jetë zhbllokimi i këtyre çështjeve.
Sipas tij, askush nuk e pengon kryetarin aktual që ta japë këtë ndihmë për banorët që kanë nevojë për të paguar qeranë. “Në mbledhjen e parë të Këshillit Bashkiak do të shpërndajmë banesat sociale dhe pastaj do të fillojmë punën për të ndërtuar të tjera. Tirana ka 4000 familje që kanë nevojë për këto banesa”, përfundoi Veliaj.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button