Kronika

Vendet e reja të punës në administratë

Departamenti i Administratës Publike zbardh kriteret që duhet të plotësojnë kandidatët

Nga Shpresa Mezini  

administrataAdministrata Publike ka shpallur 107 vende të reja pune për 18 profile të ndryshme si në strukturat qendrore shtetërore, por edhe në degët e saj rajonale. Bëhet fjalë për kategorinë ekzekutive (specialist), që mbështetur në legjislacionin e shërbimit civil, thuhet se plotësimi i këtyre vendeve vakante, do të bëhet së pari nëpërmjet procedurës së lëvizjes paralele. Mësohet se procedurat e aplikimit do të vazhdojnë deri në mes të muajit shtator, ndërsa konkurset do të zhvillohen në fund të shtatorit ose në fillim të muajit tetor. Referuar njoftimit të DAP, lajmërohet se shpallja e vendeve të lira, në shërbimin civil për kategorinë ekzekutive (specialist), ka nisur në përputhje të ligjit “Për nëpunësin civil”, si dhe të vendimit, datë 12/03/2014, të Këshillit të Ministrave, Departamenti i Administratës Publike ka filluar shpalljen e vendeve të lira, në shërbimin civil për kategorinë ekzekutive (specialist)”, thuhet në njoftimin e Departamentit të Administratës Publike, ku renditen në detaje pozicionet dhe diplomat e dy niveleve të studimit, përkatësisht bachelor dhe master profesional ose shkencor, që duhet të dorëzojnë kandidatët gjatë aplikimit. “Mund të aplikojnë për plotësimin e një vendi të lirë, nëpërmjet procedurës së lëvizjes paralele, nëpunës civilë të së njëjtës kategori në të njëjtin institucion apo në një institucion tjetër të shërbimit civil, që plotësojnë kushtet për lëvizjen paralele dhe kërkesat e posaçme për vendin e lirë”, sqarohet në lajmërim.

Profilet

Referuar njoftimit të Ministrisë për Inovacionin dhe Administratën Publike, hapen vende të reja pune për kategorinë specialistë dhe inspektorë në disa pozicione të caktuara pune në drejtoritë qendrore të administratës shtetërore dhe në disa prej degëve lokale të saj. Kërkohen: “5 specialistë “Shkenca Sociale, dega Punë Sociale”; 7 specialistë “Shkenca shoqërore”; 4 inspektorë; 9 specialistë “Shkenca Juridike”; 13 inspektorë të tatimeve “Shkenca Ekonomike”; 2 inspektorë të tatimeve “Shkenca Ekonomike”; 13 specialistë “Shkenca kompjuterike/Informatike/Elektronike”; 2 specialistë “Shkenca Kompjuterike/Informatike/Elektronike/Matematikë/Fizikë ”; 4 inspektorë të Tatimeve; 11 inspektorë të tatimeve “Shkenca Ekonomike ose Juridike”; 13 specialistë të Auditimit të Brendshëm; 3 specialistë “Gjeodezi/Topogjeodezi/Gjeomatike”; 2 specialistë “Informatikë/Gjeoinformatikë”; 11 specialistë “shkenca ekonomike” dhe 11 specialistë “Shkenca mjedisore ose të tjera të përshtatshme”.

Harito

Rreth një javë më parë, ministrja e Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike, Milena Harito, tha: “Konkurset e reja do të hapen në mes të gushtit, shpallja do bëhet në mes të gushtit dhe konkurset pastaj do të bëhen sipas pozicioneve të lira. Konkurset e reja do të bëhen sipas procedurës që përcakton ligji, sepse integrohen tashmë në Shërbimin Civil një numër i madh punonjësish, pasi nga 3 mijë që ishin, tashmë bëhen 9 mijë dhe për të gjithë këta duheshin verifikuar dosjet, kriteret e me radhë”. Harito theksoi se procedura që do të ndiqet në këto raste është ajo që përcakton ligji “Për Nëpunësin Civil”, i miratuar vjet në maj me konsensusin PD-PS dhe aktet nënligjore që dolën në detajim të tij. “Administrata publike nuk është një vend ku mund të shkosh dhe të kërkosh një punë. Ai është një vend ku ne shërbehemi, për këtë arsye duhet të ketë një nivel të caktuar. Së dyti, është kjo administratë që do bëjë negociatat me BE-në dhe për këtë duhet të ketë një nivel të caktuar. Dhe për këtë arsye kemi ndërmarrë hapat e parë të një reforme për t’i përqendruar shërbimet e zyrave të administratës në një qendër unike shërbimesh, e cila mund të ketë shumë degë, por në të cilat të gjitha shërbimet do të ofrohen në të njëjtën mënyrë. Pra sportelet do kenë të njëjtën fytyrë, të njëjtën mënyrë për të ofruar shërbimet e shtetit. Të gjitha shërbimet do të ofrohen në këto zyra unike me standarde të caktuara europiane, për t’u dhënë qytetarëve shërbime të një cilësie sa më të mirë”, theksoi Harito. Sipas ministres për inovacionin dhe administratën publike, shifrat e ofruara nga opozita për rreth 7 mijë të larguar nga puna janë të pavërteta, pasi sipas të dhënave zyrtare nga të gjitha institucionet janë nxjerrë në listë-pritjeje afro 260 persona dhe një pjesë e tyre janë të riakomoduar në vendet e reja të hapura të punës.

Vendet e lira sipas profesioneve

5 specialistë “Shkenca Sociale, dega Punë Sociale”, niveli minimal i diplomës bachelor, në SHSSH Fier, Berat, Lezhë, Elbasan, Dibër

7 specialistë shkenca shoqërore”, niveli minimal i diplomës “Bachelor”, 4 prej të cilëve në Tiranë; 2 në Vlorë; 1 në Mat.

4 inspektorë arsim i lartë, niveli minimal i diplomës master profesional, në Tiranë

9 specialistë “Shkenca Juridike”, niveli minimal i diplomës master profesional, në Tiranë

13 inspektorë të tatimeve “Shkenca Ekonomike”, niveli minimal i diplomës master profesional, 12 prej të cilëve në Tiranë dhe 1 në Dibër

2 inspektorë të tatimeve “Shkenca Ekonomike”, niveli minimal i diplomës bachelor, në Tiranë dhe Elbasan

5 specialistë “Shkenca Kompjuterike/Informatike/Elektronike”, niveli minimal i diplomës master shkencor, në Tiranë

7 specialistë “Shkenca Kompjuterike/Informatike/Elektronike ”, niveli minimal i diplomës master profesional, në Tiranë

2 specialistë “Shkenca Kompjuterike/Informatike/Elektronike/Matematikë/Fizikë”, niveli minimal i diplomës bachelor, në Tiranë dhe në Elbasan

4 inspektorë të tatimeve, lloji i diplomës “Shkenca Ekonomike ose Juridike”, niveli minimal i diplomës bachelor, në Sarandë, Shkodër, Elbasan, Berat

2 inspektorë të tatimeve “Shkenca Ekonomike ose Juridike”, niveli minimal i diplomës master shkencor, në Korçë

9 inspektorë të tatimeve, lloji i diplomës “Shkenca Ekonomike ose Juridike”, niveli minimal i diplomës master profesional, në Tiranë dhe Durrës

8 specialistë të Auditimit të Brendshëm, niveli minimal i diplomës master profesional, në Tiranë

3 specialistë të Auditimit të Brendshëm, niveli minimal i diplomës master shkencor, në Tiranë dhe në Vlorë

3 specialistë “Gjeodezi/Topogjeodezi/Gjeomatike”, niveli minimal i diplomës master profesional, në Tiranë

2 specialistë “Informatikë/Gjeoinformatikë”, niveli minimal i diplomës master profesional, në Tiranë

11 specialistë “Shkenca ekonomike”, niveli minimal i diplomës master profesional, në Tiranë

11 specialistë “Shkenca Mjedisore ose të tjera të përshtatshme”, niveli minimal i diplomës bachelor, 4 në Vlorë, 1 në Dibër, 1 në Durrës, 3 në Lezhë dhe 2 në Sarandë

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button