VENDIMET / Të mërkurën mblidhet Këshilli Bashkiak, ngrihet Agjencia për Administrimin e Tregjeve
Shumë shpejt, qytetarët e Tiranës do të kenë më shumë garanci për sigurinë ushqimore, ndërsa tregtarët kushte më të mira për shitjen e produkteve të tyre.
Bashkia e Tiranës i ka propozuar Këshillit Bashkiak që në mbledhjen e lajmëruar për të mërkurën ora 11:00, të miratohet projektvendimi për “Krijimin e Agjencisë për Administrimin e Tregjeve, si institucion në varësi të Bashkisë Tiranë për administrimin dhe menaxhimin e shërbimeve të tregjeve publikë në Tiranë”.
Agjencia e Administrimit të Tregjeve të Bashkisë ka si synim ngritjen e një strukture administruese e cila do të zbatojë politikat zhvilluese të Bashkisë në lidhje me tregjet publik duke krijuar lidhjen e prodhuesit rural me konsumatorin urban, duke stabilizuar rrjetin e tregtisë me shumice e pakicë, rritur numrin e të punësuarve, reduktimin e informalitetit.
Kjo drejtori do të administrojë të gjitha problematikat aktuale që lidhen me infrastrukturën fizike në tregjet publike; kërkesat nga subjektet tregtare për shërbime të nevojshme dhe ndjekjen e të gjitha problematikave; sigurimin e kushteve të përshtatshme për tregtim duke monitoruar kushtet higjeno-sanitare dhe problematikat që lidhen me organizimin dhe funksionimin e tregjeve publike.
Ndërkohë, në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të lajmëruar për të mërkurën, do të miratohen edhe një sërë vendimesh të rëndësishme.
1. P/Vendim për “Një ndryshim të pjesshëm në vendimin nr. 11, datë 05.04.2012, për “Ristrukturimin e qendrave sociale “Të qëndrojmë së bashku”, “Qendrës komunitare multidisiplinare për fëmijët dhe familjen në nevojë” dhe “Qendrës komunitare për të moshuarit”, miratimin e strukturave të tyre organizative si dhe rishpërndarjet në buxhetin e Bashkisë së Tiranës për vitin 2012”.
2. P/Vendim për “Krijimin e Agjencisë për Administrimin e Tregjeve, si institucion në varësi të Bashkisë Tiranë për administrimin dhe menaxhimin e shërbimeve të tregjeve publikë në Tiranë”.
3. P/Vendim “Për një shtesë dhe disa ndryshime në vendimin e Këshillit Bashkiak të Tiranës nr.84, datë 29.12.2016, “Për miratimin e Programit Buxhetor Afatmesëm 2017- 2019 dhe detajimin e Buxhetit të Bashkisë së Tiranës për vitin 2017 (i ndryshuar)”.
4. P/Vendim “Për miratimin e treguesve ekonomikë dhe financiarë të Bashkisë së Tiranës dhe tavaneve përgatitore të programit buxhetor afatmesëm për periudhën 2018- 2020”.
5. P/Vendim për “Miratimin e listës së pjesshme të inventarit të pasurive sheshe, tregje, poliklinika, të Ndërmarrjes Funerale dhe të Drejtorive të Përgjithshme nr.1, 2 dhe 3 të Punëtorëve të Qytetit, që janë nën juridiksionin territorial dhe administrativ të Bashkisë Tiranë dhe kërkesës për transferimin përfundimtar të tyre nga Këshilli i Ministrave”.
6. P/Vendim për “Miratimin e nivelit të pagave të punonjësve të Bashkisë së Tiranës”.
7. P/Vendim për “Miratimin e nivelit të pagave të punonjësve të Njësive Administrative të Bashkisë së Tiranës”.
8. P/Vendim për “Miratimin e nivelit të pagave të punonjësve të Drejtorive të Përgjithshme Nr.1, 2 dhe 3 të Punëtorëve të Qytetit, Drejtorisë së Konvikteve të Shkollave të Mesme dhe Agjencisë së Shërbimeve Funerale”.
9. P/Vendim për “Miratimin e nivelit të pagave të punonjësve të Qendrës Ekonomike të Zhvillimit dhe Edukimit të Fëmijëve, Qendrës Kulturore “Tirana”, Klubit Sportiv “Tirana”, Qendrave Sociale dhe Qendrës Rinore “TEN””.
10. P/Vendim për “Miratimin e nivelit të pagave të punonjësve të Drejtorisë së Përgjithshme të Taksave dhe Tarifave Vendore, Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit, Agjencisë së Mbrojtjes së Konsumatorit, Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit dhe Tirana Parking”.
11. P/Vendim për “Miratimin e zhvillimit të projektit “Identifikimi, dizenjimi dhe përzgjedhja e produktit turistik” nëpërmjet konkurrimit””.