Vetëm 950 mijë do të votonin sot në Shqipëri – mbi 2/3 e tyre për PS-në
Nga Eduard Zaloshnja
Nga sondazhi im i fundit për ‘Zërin e Shqiptarëve’, rezultoi se vetëm gjysma e gjithë të anketuarve (pavarësisht nëse votuan apo nuk votuan vjet) do të votonin sot për partitë ekzistuese (nqs zhvillohen zgjedhje të parakohëshme parlamentare). Kurse gjysma tjetër nuk do të votonte për asnjë nga to.
Dhe meqënëse kampioni i sondazhit i përfaqësonte statistikisht rreth 1.9 milionë banorët e rritur të vendit nga pikpamja demografike, gjeografike, arsimore dhe politike, mund të ekstrapolohet përafërsisht se rreth 950 mijë do të votonin sot në Shqipëri, kurse rreth 950 mijë nuk do të votnin fare.
Po kujt ia japin votën ata që janë gati të votojnë sot, dhe që përbëjnë gjysmën më të vendorur të elektoratit në Shqipëri?
Ndër rreth 950 mijët që do të votonin sot këtu, rreth 645 mijë do t’ia jepnin votën PS-së, rreth 290 mijë PD-ASHM-së, dhe vetëm 15 mijë partive të tjera të vogla. Pra, mbi 2/3 do të votnin PS-në (shihni Grafikun 1).
Dhe si votuan vjet ata që nuk janë gati të votojnë sot për asnjë nga partitë ekzistuese?
Ndër rreth 950 mijët që nuk do të votonin sot në Shqipëri, rreth 120 mijë votuan vjet për PS-në, rreth 210 mijë votuan për PD-ASHM, rreth 185 mijë votuan për parti të tjera të vogla, dhe rreth 435 nuk votuan fare (shihni Grafikun 2).
Konkluzion
Janë pakësuar ndjeshëm ata që votojnë për partitë ekzistuese (vjet votuan për to mbi 1.46 milionë në Shqipëri, ndërsa sot do të votonin vetëm 0.95 milion). Por firoja tek elektorati josocialist është 3.3 herë më e madhe se tek elektorati socialist. Për rrjedhojë, PS-ja do ta rriste sot ndjeshëm epërsinë krahasuar me vjet, thjesht prej dobësisë së theksuar të partive ekzistuese në mejdanin elektoral.





Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.