Veteranët e futbollit reagojnë pas tërheqjes së Amir Rrahmanit
REAGIM I KRYESISË SË LIGËS SË VETERANËVE TË FUTBOLLIT TË KOSOVËS
Si Kryesi e Ligës së Veteranëve të Futbollit të Kosovës, por mbi të gjitha si pjesëtarë të gjeneratës së sakrificës, nuk mund të rrimë indiferentë ndaj deklaratave dhe qëndrimeve të fundit të kapitenit të Kombëtares së Kosovës, Amir Rrahmani.
Ne e respektojmë çdo futbollist që ka dhënë kontribut për Kombëtaren dhe e vlerësojmë çdo paraqitje me fanellën e Kosovës. Por pikërisht për këtë arsye na dhemb kur një lojtar që ka mbajtur shiritin e kapitenit zgjedh të flasë në një mënyrë që, sipas bindjes sonë, mund të dëmtojë imazhin dhe unitetin e Kombëtares.
Kapiteni nuk është vetëm ai që mban shiritin në krah. Kapiteni është ai që në momentet më të vështira qëndron përpara, bashkon ekipin dhe mbron fanellën e shtetit të tij.
Kapiten, mos harro se ne nuk të kemi harruar. Pavarësisht gjithçkaje, edhe atëherë kur ti nuk u bashkove me Kombëtaren në një prej momenteve më vendimtare dhe historike për Kosovën, në ndeshjen ndaj Maqedonisë së Veriut, ne përsëri të kemi përkrahur dhe kemi respektuar kontributin tënd për fanellën e Kosovës.
Pikërisht për këtë arsye, nuk po flasim sot nga urrejtja apo nga dëshira për të të sulmuar. Po flasim sepse besojmë se kapiteni i Kombëtares duhet të jetë shembull i unitetit, përgjegjësisë dhe respektit ndaj fanellës që përfaqëson.
Kapiten, ne nuk e dimë se kush janë këshilltarët që të rrethojnë dhe të shtyjnë drejt këtyre qëndrimeve, por disa prej tyre i njohim mirë. Janë njerëz që, për fat të keq, shpesh shohin vetëm problemet, vetëm të zezën dhe vetëm përçarjen. Na vjen keq të shohim që këto ndikime mund të jenë duke ndikuar edhe në mënyrën se si po e sheh sot Kombëtaren.
Ti je kapiten i Kosovës dhe pikërisht për këtë arsye ke një përgjegjësi shumë më të madhe se një futbollist i zakonshëm.
Nëse ke probleme, mosmarrëveshje apo shqetësime me dikë, është shumë më mirë të ulesh dhe t’i sqarosh ato me bisedë, me respekt dhe në mënyrë institucionale, sesa të veprosh në një mënyrë që mund të dëmtojë Kombëtaren dhe imazhin e saj.
Mos harro, kapiten, se shumë sportistë kanë sakrifikuar, kanë mbetur me gjymtyrë të dëmtuara dhe kanë dhënë gjithçka që kjo tokë të ishte e lirë. Shumë prej tyre nuk e patën mundësinë ta shohin Kosovën e lirë, të luajnë futboll të lirë dhe ta mbajnë fanellën e shtetit të tyre.
Dhe akoma më e dhimbshme është se shumë sportistë ranë dëshmorë për lirinë e Kosovës.
Prandaj, kur e vesh fanellën e Kosovës, nuk vesh vetëm një fanellë sportive. Pas saj qëndron një histori, një popull dhe një sakrificë e madhe.
Ti ke deklaruar se “Napoli është shtëpia ime e parë.” E kuptojmë dhe e respektojmë dashurinë për klubin ku je rritur profesionalisht dhe ku ke ndërtuar karrierën. Por, kapiten, mos harro kurrë se shtëpia jote është ajo tokë për të cilën është derdhur gjak, ajo Kosovë që të ka dhënë mundësinë të jetosh dhe të luash i lirë, me kokën lart dhe me flamurin e shtetit tënd.
Napoli mund të jetë shtëpia jote e parë sportive, por Kosova është shtëpia jote dhe e jona.
Prandaj ne të themi me respekt:
Mos lejo që askush të të përdorë si mjet për përçarje. Mos u bëj pion i askujt. Ti je kapiten i Kombëtares së Kosovës.
Por Kombëtarja e Kosovës duhet të jetë mbi çdo individ, mbi çdo pozitë dhe mbi çdo mosmarrëveshje personale.
Sot Kombëtarja po ndërton një gjeneratë të re. Po afrohen futbollistë të rinj, po krijohet një ekip më i gjerë dhe ne besojmë se Kosova mund dhe duhet të bëhet çdo ditë më e fortë. Në këtë moment, ajo që na duhet është bashkimi dhe mbështetja, jo përçarja.
Ne nuk duam të fyejmë askënd dhe nuk duam ta zhvlerësojmë kontributin e askujt. Por si gjeneratë që e kemi përjetuar sakrificën, nuk mund të heshtim kur mendojmë se po preket diçka që është shumë më e madhe se secili prej nesh.
Kombëtarja është e Kosovës.
Fanella është e Kosovës.
Flamuri është i Kosovës.
Dhe askush nuk është më i madh se Kosova.
Me respekt për të gjithë ata që kanë sakrifikuar për këtë vend dhe për të gjithë sportistët që edhe sot e nderojnë fanellën e Kosovës.
Kryesia e Ligës së Veteranëve të Futbollit të Kosovës.



