Zonja Xhoxhaj ishte ankuar për një proces, që sipas saj ishte zhvilluar në shkelje të disa prej parimeve të Konventës së të drejtave të njeriut. Duke u bazuar në Nenin 6 të Konventës, ish anëtarja e Gjykatës Kushtetuese në ankimimin e saj kishte pretenduar se “organet e vetingut nuk ishin të pavarura dhe të paanshme, pasi anëtarët e tyre nuk kishin profesionalizmin dhe përvojën e duhur, ishin emëruar pa përfshirjen e pushtetit gjyqësor dhe organet e vettingut kishin ngritur “akuzën” dhe vendosur njëkohësisht mbi thelbin e “akuzës”. Gjithashtu, duke u bazuar në nenin 6 të Konventës, ajo u ankua se procedurat në rastin e saj kishin qenë të parregullta për disa arsye”.
Por në njoftimin e vet, Gjykata Europiane vlerëson në të kundërt se nuk kishte patur asnjë shkelje. “Gjykata arriti në përfundimin se nuk kishte shkelje të nenit 6/1, pasi organet e vettingut kishin qenë të pavarura dhe të paanshme, procedurat kishin qenë të rregullta, shqyrtimi i ankimit të kërkueses në seancë publike nga Kolegji i Apelimit nuk kishte qenë i domosdoshëm dhe nuk ishte shkelur parimi i sigurisë juridike”.
Ish Gjykatësja Kushtetuese ishte ankuar gjithashtu se në procesin ndaj saj ishte shkelur dhe Neni 8 i Konventës (e drejta për respektimin e jetës private dhe familjare) duke pretenduar se shkarkimi i saj nga detyra kishte qenë arbitrar.
Por dhe në këtë rast Gjykata Europiane shprehet kundër duke nënvizuar se “shkarkimi nga detyra kishte qenë proporcional dhe ndalimi i përhershëm ligjor për të rihyrë në sistemin e drejtësisë për shkak të shkeljeve të rënda disiplinore kishte qenë në përputhje me garantimin e integritetit të detyrës së magjistratit dhe të besimit të publikut në sistemin e drejtësisë”.
Gjykata saktëson më tej se “ekzistenca e një game të kufizuar të masave disiplinore në Ligjin e Vetingut ishte në pajtueshmëri me frymën e procedurave të vetingut, të cilat, duke qenë një proces unik, kishin si qëllim të pastronin sistemin e drejtësisë nga elementët e korruptuar dhe të ruanin pjesën e shëndetshme të tij”. Sipas Gjykatës Europiane “ndalimi i përhershëm për të rihyrë në sistemin e drejtësisë për shkak të shkeljeve të rënda etike, i cili ishte vendosur nëpërmjet një ligji tjetër dhe gjente zbatim edhe ndaj kërkueses dhe personave të tjerë të shkarkuar nga detyra, kishte qenë i pajtueshëm me garantimin e integritetit të detyrës të magjistratit dhe të besimit të publikut në sistemin e drejtësisë. Ky ndalim ishte akoma më i justifikuar për shkak të kontekstit kombëtar të një shteti të së drejtës në konsolidim e sipër”.
Ish anëtarja e Gjykatës Kushtetuese u shkarkua nga detyra në vitin 2018, për shkak të problemeve që ju gjetën me pasuritë e deklaruara si dhe një episode konflikti interesi në gjykimin e një çështjeje.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.