Kronika

Vlahutin dhe Peleshi në Fier: Reagimi ndaj emergjencës ishte i mjaftueshëm

Shefja e Delegacionit të Bashkimit Evropian, Ambasadorja Romana Vlahutin, e shoqëruar nga Zëvendëskryeministri Niko Peleshi, vizitoi sot zonën e prekur nga përmbytja të Darëzezës në Fier ku po shpërndahet ndihmë për emergjenca nga Shtetet Anëtare të BE-së Austria, Sllovakia dhe Kroacia.

permbytje3Në takimet me banorët dhe autoritetet vendase, Ambasadorja Vlahutin vuri në dukje faktin se në vijim të kërkesës së Shqipërisë së javës së kaluar, DG ECHO mobilizoi menjëherë Mekanizmin Evropian të Mbrojtjes Civile dhe dërgoi Ekipin për Mbrojtje Civile të Bashkimit Evropian që tani po koordinon asistencën që vjen nga shtetet pjesëmarrëse.

“Jam sot këtu me ju për të ndarë solidaritetin evropian dhe për të nënvizuar se BE do t’ju ndihmojë në të gjitha fazat, përfshirë nevojat emergjente dhe ripërtëritjen nga dëmet e shkaktuara nga përmbytjet e fundit,” tha Ambasadorja Vlahutin. “Do të bëhet një vlerësim i nevojave pas katastrofës me qëllim që të përcaktohet një program ripërtëritjeje”, shtoi ajo. Ambasadorja Vlahutin tha gjithashtu se reagimi i Shqipërisë ndaj emergjencës ishte i mjaftueshëm dhe se nevojiten përpjekje të tjera lidhur me parandalimin e hershëm dhe sistemin e koordinimit.

“Falenderoj Bashkimin Evropian dhe Mekanizmin Evropian të Mbrojtjes Civile për përgjigjen e shpejtë dhe profesionale të solidaritetit. Kjo është vetëm nisja e një qasjeje programuese që do të sjellë ndryshime strukturore”, tha Zëvendëskryeministri Niko Peleshi.

Sot më herët, Komisioni Evropian (KE) njoftoi ndihmë shtesë për mbulimin e nevojave të njerëzve të prekur nga përmbytjet në Shqipëri. KE do të japë mbi 118.000 € përmes Kryqit të Kuq Shqiptar për t’iu përgjigjur nevojave të rreth 8.000 banorëve në zonat më të prekura.

Ndihma e siguruar ndërkohë nga Shtetet Anëtare të BE-së Austria, Sllovakia dhe Kroacia konsiston në ndihma si gjeneratorë, tenda familjare, shtretër, batanije dhe xhupa dimri. Edhe Belgjika dhe Hungaria iu përgjigjën kërkesës duke siguruar ndihma teknike, ndërsa Kroacia ka kontribuuar gjithashtu me një fond prej 50.000 €.

Në bashkëpunim me autoritetet shqiptare, Ekipi i Mbrojtjes Civile i vendosur në vend po lehtëson koordinimin e asistencës së emergjencës, duke mbështetur autoritetet për vlerësimin e situatës, si dhe duke i raportuar dhe duke i dhënë rekomandime Komisionit Evropian dhe shteteve pjesëmarrëse të Mekanizmit për Mbrojtjen Civile mbi llojin e asistencës që nevojitet.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button