☀️
Tiranë 31°C · Kthjellët 12 August 2026
S&P 500 7,756 ▲0.36%
DOW 53,825 ▲0.06%
NASDAQ 26,623 ▲0.67%
NAFTA 83.07 ▼0.16%
ARI 4,470 ▲0.66%
💱 VALUTAT
EUR/USD 1.1541 EUR/GBP 0.8545 EUR/CHF 0.9361 EUR/ALL 93.0224 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.3302 EUR/TRY 55.1128 EUR/JPY 183.82 EUR/CAD 1.6073 EUR/USD 1.1541 EUR/GBP 0.8545 EUR/CHF 0.9361 EUR/ALL 93.0224 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.3302 EUR/TRY 55.1128 EUR/JPY 183.82 EUR/CAD 1.6073
₿ CRYPTO
BTC $63,498 ▲ +0.03% ETH $1,890 ▲ +1.25% XRP $1.0112 ▼ -0.03% SOL $76.0400 ▲ +1.01%
S&P 500 7,756 ▲0.36 % DOW 53,825 ▲0.06 % NASDAQ 26,623 ▲0.67 % NAFTA 83.07 ▼0.16 % ARI 4,470 ▲0.66 % S&P 500 7,756 ▲0.36 % DOW 53,825 ▲0.06 % NASDAQ 26,623 ▲0.67 % NAFTA 83.07 ▼0.16 % ARI 4,470 ▲0.66 %
EUR/USD 1.1541 EUR/GBP 0.8545 EUR/CHF 0.9361 EUR/ALL 93.0224 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.3302 EUR/TRY 55.1128 EUR/JPY 183.82 EUR/CAD 1.6073 EUR/USD 1.1541 EUR/GBP 0.8545 EUR/CHF 0.9361 EUR/ALL 93.0224 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.3302 EUR/TRY 55.1128 EUR/JPY 183.82 EUR/CAD 1.6073
12 Aug 2026
Breaking
Opinion

Vlora tjetër përtej Lungomares : Vlora e lungokorrupsionit

Reportazh

Nga LUAN RAMA

– Comandante, grazie!

Në këtë mënyrë e përshëndeti Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, komandantin italian që drejtoi avionin e testimit të pistës, pas zbritjes në Aeroportin e Vlorës, më 8 maj të vitit 2025.

Me pamjet ende të freskëta në memorie nga ajo ceremoni, ku Kryeministri, nën sfondin përshëndetës të një zëri femëror që, në gjysmëekstazë, thirri “Bravoooo!”, foli edhe për krijimin e një kompanie të re shqiptare me emrin AirKosova, e cila, siç tha ai, do t’i niste fluturimet nga Aeroporti i Kukësit për të mos i ndërprerë më kurrë dhe që, së bashku me Air Albania-n nga Vlora, do të ishin “dy kompanitë e krenarisë sonë të përbashkët”, mora udhë për në Aeroportit të Vlorës.

Doja të shkruaja një reportazh për punën që është bërë, për problemet që janë shfaqur, sherrnajën shqiptare se kujt i përket e drejta mbi të.

Edhe për zogjtë që nuk vijnë më!

Mirëpo, nuk të lënë të afrohesh.

Tentova, po aty as ke kë të takosh dhe as ke se kë të pyesësh. E le më pastaj të mendosh se mund të gjesh ndonjë që të ta thotë të vërtetën e gjithë asaj që po ndodh me aeroportin.

Gjithaq, edhe prej larg, pamja që ndesh është një skenë që “flet” më shumë nga sa mund të të thonë ata që në fakt, edhe pse e kanë për detyrë të informojnë, nuk flasin.

Nën vapën e gushtit zhuritës, përballë pamjes që të ofrohet nuk e ke të vështirë ta ndjesh edhe më të largët fillin e shpresës për të parë avionët që ulen e ngrihen dhe pasagjerët që shkojnë e vijnë në atë që ndjesia e hollë prej artisti e shpirtit vlonjat e ka përjetësuar në vargun: “Moj Vlorë e bukur në gropë”.

Vetë zoti Kryeministër, Edi Rama, na pat deklaruar se në pranverën e vitit 2026 aeroporti do të jetë funksional.

Nuk e shpiku.

Dhe as nuk gënjeu.

Kryeministrat nuk shpikin.

Nuk gënjejnë.

Mund të fantazojnë, por nuk gënjejnë.

Pra, Kryeministri duhet ta ketë ditur të vërtetën, pa e shpalli publikisht edhe si premtim të tijin.

Edhe sipas kontratës së koncesionit të lidhur nga qeveria e Republikës së Shqipërisë me kompaninë koncesionare, Aeroporti Ndërkombëtar i ndërtuar në zonën e Akërnisë duhej të ishte sot porta e madhe e mbërritjes së turistëve në Vlorën tonë.

Një portë nga ku, sipas deklaratës së atëhershme të ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, do të mbërrinin rreth 500 mijë pasagjerë vetëm në vitin e parë të operimit.

Dhe, po sipas vetë zonjës ish zëvendëskryeministre, aeroporti do të hapte rreth 1 mijë vende pune.

Ndërsa, sipas biznesplanit të paraqitur atëherë, trafiku do të rritej më pas në 2.1 milionë pasagjerë, për të arritur progresivisht deri në 10 milionë pasagjerë në vit.

Në respekt të lexuesit dhe për të qenë më konkret, ashtu siç e kërkon jo vetëm etika e profesionit të gazetarit, por edhe kodi i shenjtë i së vërtetës, duhet t’i sjellim në vëmendje lexuesit edhe afatet që janë deklaruar zyrtarisht.

Më 28 nëntor 2021, kur nisën punimet, premtimi ishte se aeroporti do të dorëzohej në prill 2024 dhe do të bëhej operacional brenda vitit 2025.

Mandej, më 8 maj 2025, në fluturimin e parë certifikues, zonja Balluku, pa na shpjeguar se përse, deklaroi se afati kontraktual ishte pranvera e vitit 2026.

Pranvera shkoi.

Po shkon edhe gushti.

Bashkë me gushtin edhe vapa.

Shkoi edhe vetë Balluku.

Por aeroporti nuk po “vjen”.

Ministri pas Ballukut deklaroi publikisht më 22 maj të këtij viti, pikërisht në kohën kur aeroporti duhej të ishte duke hyrë në fazën e operimit, se aeroporti nuk ishte bërë ende operacional. Sipas tij, nuk kishte përfunduar tërësisht as infrastruktura civile dhe as procesi i certifikimit për operimin ajror.

Ministri tha gjithashtu se detyrimet kontraktore për garantimin e operacionalitetit ishin të papërmbushura dhe se shteti ishte përgatitur të aktivizonte klauzolat kontraktore.

Pra, projekti që duhej të ishte porta kryesore ajrore e jugut të vendit është sot peng i një konflikti mes ortakëve, i detyrimeve kontraktore të papërmbushura dhe i mungesës së përgjegjshmërisë së të gjithë aktorëve të përfshirë në këtë projekt.

Mirëpo, pikërisht këtu historia bëhet edhe më interesante.

Sepse aeroporti nuk është e vetmja pikë ku Vlora po përballet me një realitet tjetër nga ai që shohim në kronikat qeveritare të Lungomares.

PORTI QË ËSHTË,
DHE PORTI QË NUK ËSHTË…

Prej vitesh flitet për një transformim të madh të hapësirës portuale të Vlorës.

Porti ekzistues është konceptuar për t’u shndërruar në një port turistik, ndërsa qeveria ka parashikuar ndërtimin e Portit të Integruar në Triport.

Pra, e njëjta logjikë dhe e njëjta histori si me portin e Durrësit.

Iket nga e vjetra, në emër të së resë.

Ose iket nga ajo që është, për të shkuar në atë që nuk është.

Qeveria ka deklaruar se porti i ri në Triport do të mbledhë funksione që sot janë të shpërndara në zona të ndryshme: shërbime tregtare, peshkimin, transport pasagjerësh dhe mirëmbajtje anijesh.

Madje, në korrik të vitit 2022, ministria njoftoi edhe ndërtimin e kantierit në Triport.

Investimi i deklaruar ishte 59 milionë euro, ndërsa kontrata parashikonte një periudhë ndërtimi trevjeçare, nga tetori 2022 deri në tetor 2025.

Pas pak javësh do të mbërrijmë në tetorin e vitit 2026, por porti i Triportit nuk është hiçgjëkund.

Çfarë ka ndodhur me projektin e parashikuar për t’u përfunduar në vitin 2025?
Sa ka kushtuar deri tani?
Cili është statusi i kontratës?

Dhe, mbi të gjitha, kur do të ndërtohet porti i Triportit dhe çfarë ndodh me Vlorën gjatë periudhës së tranzicionit nga një port në tjetrin?

Mosbesimi në fjalët e Kryeministrit është i madh.

Këtë mosbesim e përligj edhe mungesa e transparencës, përpos faktit që shumë prej primtimeve të tij kanë mbetur vetëm premtime.

Sakaq, askush nuk di të thotë se çfarë po humbet Vlora nga porti që kishte dhe çfarë do të fitojë nga porti i premtuar.

Në vitin 2022 u tha se kontrata e ndërtimit do të zgjaste tre vjet.

Në vitin 2024, ministria saktësoi se “punimet do të përfundonin brenda ciklit 2024–2026”.

Në vitin 2025 u deklarua se mbështetja buxhetore për PPP-në do të niste pas përfundimit të periudhës së ndërtimit dhe parashikohej për vitin 2027.

Lojëra fjalësh.
Lojëra datash.
Lojëra afatesh.

Tallje, apo çfarë?

Ata që mërziten kur thua disa të vërteta si këto “të hidhurat” të hidhen në grykë e janë gati të të nxjerrin sytë.

Ndërsa ata te tjerët me bindje e fanatizëm patronazhistësh kokëbosh të thonë se Kryeministri nuk ka faj.
Madje, verbërisht a thua se janë në mendjen e tij thonë se Kryeministri nuk di gjë.
Ia kanë hedhur nga pas shpine siç i hëngrën edhe dardhat pas shpinës së tij.

Mundet.

Nëse nuk e di, pse është Kryeministër!

Nëse e di, le t’ua thotë qytetarëve të Vlorës se sa ka kushtuar transformimi i portit ekzistues?
Sa është investimi real i Triportit?
Kur do të jetë funksional?
Cilat funksione do të zhvendosen dhe kur?
Çfarë ndodh me bizneset, peshkatarët dhe operatorët që varen nga aktiviteti portual?

Sepse zhvillimi turistik nuk mund të matet vetëm me numrin e jahteve.

Dhe as me numrin e qytetarëve që shkojnë e vijnë Lungomares nuk matet.

… AJO QË NUK DUKET
NGA LUNGOMARJA …

Nëse në Lungomare shohim Vlorën turistike, e më shumë akoma Vlorën e propagandës së qeverisë, mjafton që vetëm pak të largohemi prej aty, për të gjetur një Vlorë tjetër.

Atë të vërtetën.
Vlorën e popullit të saj.

Në veri të qytetit ndodhet TEC-i i Vlorës.

Një investim me vlerë 130 milionë euro, me kapacitet 97 MW, i financuar nga KESH, Banka Botërore, BERZH dhe Banka Evropiane e Investimeve.

TEC-i u ndërtua pikërisht për të rritur prodhimin vendas të energjisë përmes një burimi alternativ e për t’u përdorur në “ditët e hallit”, siç thotë populli.

Por TEC-i nuk prodhon energji.

Sipas vetë KESH-it, një defekt i ndodhur në janar 2012 në tubacionin e ujit që përdoret për ftohjen e turbinës e nxori impiantin jashtë funksionit.

TEC-i u konservua.

Dhe vazhdon të mbahet në gjendje të konservuar edhe sot e gjithë ditën.

Mbase, për paradoks të faktit, se ata që, kur erdhën në pushtet, e shkatërruan dhe e vodhën kombinatin e konservave që mbante emrin e komunistit gjerman Ernst Telman (prejse pajisjet e atij kombinati kishin ardhur nga Gjermania), menduan t’i lënë Vlorës një TEC të konservuar.

Në fund të fundit, nga emri shumës i rasës gjinore në trajtën e shquar “konservave”, në emërtimin “Kombinati i Konservave”, kemi mbërritur në fjalën “konservuar”, që është pjesore e foljes “konservoj”, e përdorur me vlerë mbiemërore në emërtimin “TEC i konservuar”.

Një histori që, po ta shkruaje si skenar, do të ngjante si tallje.

Po duke qenë e vërtetë çfarë është?

KESH-i thotë se po zbaton një plan masash për rikthimin e impiantit në punë.
Një prej hapave kryesorë është analizimi i defektit dhe projektimi i një sistemi të ri të marrjes së ujit të detit për ftohjen e turbinës.

Histori e denjë për shprehjen:

“Peshku në det, tigani në zjarr.”

Nuk di të them nëse kjo shprehje ka lindur në Vlorë apo jo, si shumë shprehje që mbartin alegorinë tallëse të vlonjatëve. Siç nuk e di as prejardhjen e asaj tjetrës: “Peshku qelbet nga koka”.

Një ndjesi më thotë se ai që i ka thënë i pari, duhet të ketë qenë nga Vlora.

Por, ndërkaq di të them se të dyja shprehjet i shkojnë për shtat asaj që po ndodh me TEC-in e Vlorës.

Dhe di të them gjithashtu se sot është e rëndësishme të na thuhet se sa ka kushtuar realisht ky investim deri tani?

Sa është shpenzuar për konservimin dhe mirëmbajtjen?

Sa kanë kushtuar ekspertizat dhe projektet për rikthimin në punë?

Dhe mbi të gjitha: pse një impiant i ndërtuar për sigurinë energjetike të vendit nuk është vënë në punë që prej vitit 2012?

Duhet të përgjigjet KESH-i?

Ministria?

Kryeministri?

Apo është më e drejtë të presim përgjigje nga SPAK-u?

PRAPË NË TRIPORT…

Nëse udhëton nga Vlora drejt Zvërnecit, në veri të Gjirit të Vlorës, pranë Pyllit të Sodës e përballë ishullit të Sazanit, ndodhet Triporti.

Aty, në Triport, prej vitit 2022 janë vendosur edhe dy TEC-et lundruese.

Emrat e tyre ngjajnë me emra të koduar operacionesh spiunazhi: “Tigri 1” dhe “Tigri 3”.

Por pas këtyre emrave që na sjellin në mend operacione agjenturore, nuk fshihet ndonjë histori sekrete.

Përkundrazi.

E vërteta është në dritë të diellit e në anë të detit.

Dy “Tigrat”, me një kapacitet të përbashkët të instaluar prej 110 MW dhe të përbërë nga 19 gjeneratorë, i bëjnë sfidë e tallen me TEC-in e konservuar.

Të paktën janë mbi ujë e nuk digjen duke u konservuar në diell.

Unë nuk jam specialist i ekonomisë për të bërë një analizë të plotë të leverdishmërisë së tyre.

Por historia financiare e “Tigrave” meriton një analizë më vete.

Madje edhe një hetim më vete.

Dikush mund të thotë: çfarë të bëjë më parë SPAK-u?

Por ja që prandaj e krijuam.

Dhe prandaj i besojmë.

Problemi i “Tigrave” të sjellë në Vlorë nuk është vetëm nëse ato prodhojnë energji.

Problemi është sa kushton energjia që prodhojnë.

Dhe këtu shifrat e KESH-it bëhen intriguese.

Sipas të dhënave të publikuara nga vetë Korporata Elektroenergjetike Shqiptare, nga vënia në punë më 13 shtator 2024 deri më 30 nëntor 2025, dy “Tigrat” prodhuan 92,012.69 MWh energji elektrike.

Për të njëjtën periudhë, KESH-i ka deklaruar se i ka paguar Excelerate-Renco FPB (një shoqëri e krijuar në Shqipëri posaçërisht për këtë projekt, me 90 për qind të kapitalit të lidhur me Excelerate Energy) plot 33 milionë dollarë.

Ndërsa kompanisë RENCO S.p.A. (kompani italiane) i janë paguar edhe rreth 15 milionë dollarë për shërbimet e mirëmbajtjes.

Ndërsa shpenzimet për blerjen e lëndës djegëse për të njëjtën periudhë, pra nga 13 shtatori i vitit 2024 deri më 30 nëntor 2025, përllogariten në rreth 15 milionë euro.

KESH-i e vlerësonte koston e prodhimit të energjisë nga dy “Tigrat” në rreth 151.22 euro për MWh.

A është kjo një zgjidhje me leverdi ekonomike për Shqipërinë?

Dhe për ta thelluar edhe më tej kërkimin tonë:

Sa na kanë kushtuar deri tani dy “Tigrat” e qeverisë?
Po deri në përfundim të kontratës, sa do të kushtojnë?

Dhe, nëse rezulton se energjia e prodhuar nga “Tigrat” që pluskojnë (do të ishte më me vend të shprehemi që peshkojnë) në Vlorë është dukshëm më e shtrenjtë se alternativat e tjera, kush duhet të mbajë përgjegjësi për zgjedhjen?

Sepse këtu nuk kemi të bëjmë më thjesht me një histori për dy anije me emrin e një kafshe.

Kemi të bëjmë me një histori me para publike, me energji publike dhe me vendimmarrje publike.

NË VEND TË MBYLLJES,
PËR T’U RIKTHYER PRAPË…

“Moj Vlorë e bukur në gropë,
Skelë e parë në Evropë”.

Kënga e popullit nuk shpreh vetëm emocionin e një imazhi.

Më shumë se aq, ajo na jep përfytyrimin se si populli e donte Vlorën.

Një Vlorë të bukur, të zhvilluar, të hapur ndaj detit dhe Evropës, një Vlorë vërtet skelë të parë.

Dhe që Vlora të jetë ajo që duam, “skelë e parë”, nuk mjafton shkëlqimi i Lungomares.

Sepse një qytet nuk matet me fasadën që i ofron vizitorit, por me atë që fshihet pas.

Më së pari, matet me jetën që u ofron qytetarëve të saj.

Komentet

Bëhu i pari që komenton!

Lini një Koment të Ri

Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.

🔒 Komenti juaj do të publikohet pas miratimit nga moderatori.