☀️
Tiranë 32°C · Kthjellët 12 August 2026
S&P 500 7,753 ▲0.32%
DOW 53,805 ▲0.02%
NASDAQ 26,611 ▲0.63%
NAFTA 82.98 ▼0.26%
ARI 4,459 ▲0.4%
💱 VALUTAT
EUR/USD 1.1541 EUR/GBP 0.8545 EUR/CHF 0.9361 EUR/ALL 93.0224 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.3302 EUR/TRY 55.1128 EUR/JPY 183.82 EUR/CAD 1.6073 EUR/USD 1.1541 EUR/GBP 0.8545 EUR/CHF 0.9361 EUR/ALL 93.0224 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.3302 EUR/TRY 55.1128 EUR/JPY 183.82 EUR/CAD 1.6073
₿ CRYPTO
BTC $63,450 ▼ -0.21% ETH $1,889 ▲ +1.32% XRP $1.0109 ▼ -0.39% SOL $75.9900 ▲ +1%
S&P 500 7,753 ▲0.32 % DOW 53,805 ▲0.02 % NASDAQ 26,611 ▲0.63 % NAFTA 82.98 ▼0.26 % ARI 4,459 ▲0.4 % S&P 500 7,753 ▲0.32 % DOW 53,805 ▲0.02 % NASDAQ 26,611 ▲0.63 % NAFTA 82.98 ▼0.26 % ARI 4,459 ▲0.4 %
EUR/USD 1.1541 EUR/GBP 0.8545 EUR/CHF 0.9361 EUR/ALL 93.0224 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.3302 EUR/TRY 55.1128 EUR/JPY 183.82 EUR/CAD 1.6073 EUR/USD 1.1541 EUR/GBP 0.8545 EUR/CHF 0.9361 EUR/ALL 93.0224 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.3302 EUR/TRY 55.1128 EUR/JPY 183.82 EUR/CAD 1.6073
12 Aug 2026
Breaking
Opinion

Ndryshimi, kur të vij më e keqja!

Nga Ben Andoni

Për çdo ditë, gati në çfarëdo mediumi lajmesh dëgjon dhe shikon vetëm llojin e informacionit negativ. Autori i këtyre rreshtave nuk ka ndërmarrë dot ndonjë vështrim statistikor sasior, por në një analizë të thjeshtë cilësore, duke iu referuar mediumeve kryesore, cilido që arrin dhe e bën e ndjen ngado. U vodh, u shit, u vra, u shfaros Shqipëria! Hajdutë, mashtrues, të korruptuar, s’ka ilaçe, të ndyrë, në burg, na keni marrë gjithçka, etj. Turizëm koti, s’ka ujë, s’ka shërbim, s’ka asgjë…Veç mediumeve, llomotitjeve kombëtare në kafe, apo stinës më të gjatë të protestave, kjo lloj narrative është e përditshme dhe pastaj mbyllet gjithnjë me togfjalëshin: “Rama n’burg, Berisha n’burg”.

A ka vallë ndonjë gjë të mirë në Shqipëri?! A ka ndonjë lloj suksesi? Ndonjë gjë për të dëgjuar e parë? A ka ndonjë lajm të mirë nga sporti ose përgatitjet e olimpistëve tanë? Pse vazhdojnë të vinë turistët? Nga ana tjetër: Pse vazhdojmë të gënjehemi, sorollatemi, dhe mashtrohemi nga autoritetet dhe asgjë nuk ndryshon? Pse nuk ka punë për shqiptarët e arsimuar? Pse është degraduar arsimi dhe shëndetësia? Pse nuk njihet meritokracia? Pse ky sistem i përkryer patronazhistësh nuk u flet eprorëve për hallet e shqiptarëve? Pse opozitarët kanë mbetur me gisht në gojë dhe ua kanë marrë kauzën Bulevardi? Pse diaspora megjithëse një pjesë syresh anatemojnë dhe përqeshin gjithçka mësynë sërish në këtë sezon në Shqipëri? Pse dhe sa shumë pse? Fishta do të buzëqeshte me atë shprehjen e tij të papërfunduar: “Shqipërinë e bëmë, tani duhet të bëjmë shqiptarët” që në fakt i atribuohet dhe Ismail Qemalit dhe mbase edhe të tjerëve që e njohin Homo Albanicus.

Po si duhet të drejtohet vallë Shqipëria? Vijojnë pastaj lloj-lloj shpjegimesh dhe interpretimesh, por që në fund, të gjitha mbeten kur logjika ta thjeshton narrativën. Pa hë? Dy partitë kryesore PS dhe PD na e kanë treguar, një soj dhe partitë e vogla që kanë qenë kryesisht patericat e tyre. Dhe, protesta në ditët e sotme mbaron aty: Si do të përfaqësohemi? Cilët jeni ju? Cilët jemi ne? Ne dhe JU. Ku do mbahet Kuvendi? Legjitimiteti?

Pse Rama duhet të priste reagimin e “Flamingove” që të vinte me këmbët në tokë? Pse nuk e përfill protestën? Nga ana tjetër, pse nuk përfaqësohet protesta dhe pse fshihen organizatorët e vërtetë? Pse ajo pjesë e diasporës dhe emigracionit që votoi për socialistët dhe më pak për demokratët tashmë e kuptoi në masë se këto nuk na përfaqësojnë? Si do votojnë në të ardhmen? Sa shumë pse dhe sa shumë nge.

Me sa duket se ende nuk e kemi kapur fundin për të nisur ndryshimin. Kjo duket se është fare e vërtetë për shqiptarët e dekadës së tretë të shekullit XXI. Edhe pse numri i familjeve shqiptare që mund të pushojnë lirisht një javë zvogëlohet për çdo vit; edhe pse shqiptarët duhet të luftojnë për të përditshmen dhe niveli i varfërisë të trand; edhe pse përballemi me një administratë cinike (kryeministri Rama e etiketoi vetë shumë më me “klas” administratën e tij, kur tha se: kanë “parkuar fytyrën në vend të prapanicës”); edhe pse çmimet rriten jashtëzakonisht shumë; edhe pse… e pse. Këtë, të vetmen gjë, kupton pra shqiptari i sotëm dhe humbet fillin, kur sheh moderatorë patetikë që nuk dinë të bëjnë punën e tyre dhe as nuk mund të pipëtijnë për pronarët e tyre që nuk u japin pagat. Apo kolegë që u duhet të mbajnë sinorët politikë sepse u duhet mbijetesa dhe jo vetëm. Dhe, politikanë papagaj. O zot sa shumë ka prej tyre dhe sa shumë të paaftë syresh.

Dramaturgu zviceran Dyrrenmat e tha në formë më prozaike dhe duket se na e tregoi hapur këtë gjendje: Për një histori mendohet në të vërtetë vetëm në fundin e saj, në çastin kur merr kthesën më të keqe të mundshme! Në forma të ndryshme, kjo shprehje vjen qysh nga Stoikët, kur shprehnin gati të njëjtin koncept, sipas të cilit: Vetëm vuajtja eprore të zgjon. Ose po t’i atribuohemi Senekës, dashnorit të vuajtjes: “Vështirësitë e forcojnë mendjen”.

Me pak fjalë, Shqipëria jonë paska ende vend për vuajtje, marrëzi, për urrejtje (kjo e këtyre ditëve dhe javëve të fundit në publik, apo mes protestuesve, shtuar edhe në politikë është e paimagjinueshme), për spekulime, për patetikët e PS dhe PD që kanë ndryshuar kushedi sa herë lëkurën dhe tashmë kinse e bëjnë copë Rama-Berishën në adresat e protestuesve, në mënyrë që vendi ynë të ndryshojë në thelb.

Po cili vallë është fundi, ku shqiptari mund të ndryshojë? Mos vallë ai i çmendurisë së vitit 1997, apo katrahura e fillim viteve ’90. Duket se do kemi ende kohë për ta kuptuar pas “Flamingove”, por një gjë kuptohet mirë se: Shqipëria ende nuk e ka kapur fundin e saj. Me sa duket, më shumë vend ka ende për antropologët, sesa sociologët, historianët dhe në fund politikanët që ta kuptojnë dhe të arrijnë ta ndryshojnë Shqipërinë e sotme. (Javanews)

Komentet

Bëhu i pari që komenton!

Lini një Koment të Ri

Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.

🔒 Komenti juaj do të publikohet pas miratimit nga moderatori.