Europa

“Vrasja e babait” përshtatet me strategjinë e Marine Le Pen

A po i vjen fundi strategjisë së dyfishtë në Frontin Nacional mes babait, themeluesit radikal të djathtë dhe modernizimit prej kryetares së partisë Marine Le Pen?

Frankreich Jean-Marie und Marine Le Pen

Le Pen ka thirrur ndërkohë në Paris kryesinë e Partisë, për të ekzeklutuar vrasjen e paralajmëruar të atit: është fjala për përjashtimin e Jean-Marie Le Pen nga partia, të cilën ai e themeloi para më shumë se dyzet vjetëve. Shumë shpesh ka shfrehur i vjetri me provokimet e njohura prej kohësh, me të cilat ai prej dekadash i ka bërë vend vetes në kryeartikujt francezë: në gazetën radikale të djathtë të partisë “Rivarol” ai në mënyrë të përsëritur theksonte, se dhomat e gazit të nazistëve janë vetëm një detaj i historisë dhe se Marshalli Pétain, shefi i regjimit të kolaboracionistëve në Francën e pushtuar, në fakt ka qenë një patriot i mirë.

Frankreich Jean-Marie Le Pen
Jean-Marie Le Pen

Kësisoj vajzës i erdhi në majë të hundës, Ajo i bëri thirrje të atit, që të hiqte dorë vullnetarisht si kryetar nderi i partisë. Përveç kësaj ai duhej të tërhiqej nga kandidatura për zgjedhjet lokale në qarkun jug-lindor të Marsejës. Ajo konsideron se me Jean-Marie Le Pen sabotohet strategjia e saj, për ta “dekontaminuar” Frontin Nacional, për ta formësuar imazhin e partisë si një lëvizje kombëtare të aftë për mazhorancën. Por veterani radikal i djathtë nuk do të tërhiqet vullnetarisht, ai e sfidon të bijën: “Ajo dëshiron vdekjen time, ajo nuk mund të llogarisë më me mbështetjen time”, ankohet ai me zë të lartë në televizionin BFM TV.

Thika në shpinë si në Romën antike

Komentatorët francezë përpiqen të gjejnë krahasime për këto zhvillime në biznesin familjar të Frontit Nacional, si p.sh. duke i krahasuar ato me klanin vrasës të familjes Borgias në shekullin e 16-të. Apo me ngjarjet në Romën antike, ku thika pas shpine kundër Pater Familias shërbente për t’i rikthyer fisit nderin e nëpërkëmbur. Ose ata e përshkruajnë grindjen familjare në shtëpinë Le Pen si një psiko-dramë, ku tani mbesa dhe ylli i ri i partisë po vihet përpara një sprove të vështirë: deputetja e sapogzjedhur Marion duhet të zgjedhë tani mes besnikërisë ndaj gjyshit apo nënshtrimit ndaj tezes Marine. Sepse ngjitja e Frontit Nacional dhe sukseset e sotme janë një histori familjare: ata qendrojnë fort brenda rrethit të tyre, aq sa kryetarja e partisë si dhe partnerët e saj rekrutojnë vetëm brenda radhëve të veta. Ndërkohë ajo është edhe bashkëshortja e funksionarit numër tre të Frontit Nacional. Por vallë a është e gjitha kjo një grindje reale politike apo një inskenim, që e përdor Marine Le Pen, për ta çliruar partinë përfundimisht nga imazhi negativ i radikalëve të djathtë të simpatizantëve të Pétain dhe antisemitistëve nga koha e themelimit?

Bërthama e partisë mbetet e pandryshuar

Eurodeputeti i ekologjistëve Yannick Jadot beson, se Marine Le Pen e shfrytëzon grindjen familjare për ta çuar përpara modernizimin e partisë. Por pas kësaj qendron megjithatë e njëjta ideologji, që është vërejtur tek të gjithë eurodeputetët e Frontit Nacional: ata janë aq racistë, homofobë dhe antisemitë, sa që edhe brenda së djathtës europaine ata janë një përjashtim. Marine dhe Jean-Marie Le Pen që të dy janë në Parlamentin Europian, të cilin ata e luftojnë me këmbëngulje ashtu si edhe vet BE-në. Prej vitesh Fronti Nacional ndjek një strategji të dyfishtë, shpjegon Jadot: babai përfaqëson luftëtarët e vjetër në Algjeri dhe nacionalistët radikalë, e bija e zhvendosi imazhin e partisë në një drejtim më të moderuar. “Tani ajo ka arritur në pikën, që është e mirë për partinë, pra të vrasë babain. Eshtë një goditje e befasishme, ai e ka realizuar qëllimin e tij”. Tani Jean-Marie Le Pen do të bëhet një detaj i historisë së partisë së vet, thotë Jadot duke aluduar ndaj citatit të Le Penit, se largimi është një “fitore kulturore” për Marine Le Pen. Por bërthama e partisë mbetet në këtë mes e njëjta.

Frankreich Regionalwahlen 2015 - Marine Le Pen
Marine Le Pen

Të njëjtën gjë beson edhe ish-ministri konservator Bruno Le Maire nga UMP: nuk ka asnjë thyerje në parti: “Jean-Marie Le Pen dhe vajza e tij mendojnë njësoj, me përjashtim të politikës ekonomike. Por në brendësi Fronti Nacional mbetet i pandryshuar. Kjo është një sipërmarrje familjare, në të cilën ka gjithmonë grindje. Por ajo që duan të na servirin ne është, se Marine Le Pen synon modernizimin”. Ajo u premton zgjedhësve të vet një Francë pa globalizim, me ekonomi proteksioniste, plot vlera nostalgjike dhe atdhedashuri. Por nga ana tjetër edhe një Francë pa migrantë, pa euro dhe pa Europë, por me Putinin. Presidentin rus kryetarja e partisë e vlerëson lart si një patriot të madh dhe luftëtar kundër Perëndimit dekadent dhe madje pranon të financohet prej tij. Në zgjedhjet rajonale në mars ajo arriti të tërheqë pas vetes një të katërtën e zgjedhësve me këtë amalgam të papërpunuar politik, ndonëse kuota e fitores ishte shumë më e ulët nga sa pritej, ky ishte për të gjithësesi një sukses i konsiderueshëm.

Marine Le Pen do të joshë edhe zgjedhësit konservatorë

Analistët politikë në Paris janë në unison, se tani synohet, që të përçahet e djathta e ashpër historike përreth Jean-Marie Le Pen pa e humbur elektoratin e saj. Sepse e shkuara e Frontit Nacional është vetëm katër vjet larg: në vitin 2011 i vjetri e ngazëlloi kongresin e partisë në Tours me stuhi entuziazmi, kur ia dorëzoi kryesimin e partisë vajzës së tij. Por zgjedhësit e rinj, të cilët në fakt vijnë nga kampi konservator, ndoshta mund të jenë të pasigrutë prej strategjisë së dyfishtë të Frontit Nacional, ndaj dhe inskenohet tani publikisht shkëputja prej Le Pen senior, sipas analistëve. Ndërsa politikani ekologjist Jadot beson, se partia prej ndarjes nga historia e vet bëhet edhe më e rrezikshme nga sa ka qenë ajo deri më tani, sepse ajo po ia del kështu që ta kamuflojë gjithnjë e më mirë karakterin e saj.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button