Kronika

Vrasja e Santos, SHISH dorëzon një përgjim në prokurori (Video)

Kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror Visho Ajazi Lika, i ka dorëzuar kryeprokurorit Adriatik Lalla, një raport me informacionet dhe përgjimet që lidhen me zbardhjen e vrasjes së Artan Santos.

Menjëherë pas dështimit për identifikimin e autorëve të vrasjes së Santos, përmes filmimeve dhe fotove, prokuroria ka filluar bashkëpunimin me shërbimet sekrete. Kreu i SHISH, i ka dorëzuar kryeprokurorit Adriatik Lalla, një raport me informacionet dhe një përgjim që është mundur të sigurohet për këtë çështje.

Lika ka marrë përsipër të sjellë informacionet që mund të kenë partnerët e huaj të shërbimeve sekrete, për të mësuar rreth problemeve që mund të ketë pasur bankieri shqiptar me bankierë të huaj, dhe jo vetëm.

Gjatë ditës së sotme mësohet të jetë bërë një verifikim i plotë nga grupi i hetimit mbi personat që përmenden në të dhënat e SHISH.

Të dhënat e reja mbi atentatin mafioz, u analizuan në një tjetër takim të së shtunës mes Kryeprokurori Lalla dhe katër prokurorëve të grupit hetimor, Petrit Fusha, Albert Nela, Adriatik Cami dhe Dritan Nushi.

Për sa i përket Klodian dhe Sajmir Gjozit, që u dyshuan të jenë pronarët e motorit me të cilin u krye krimi, policia u mjaftua me disa fishekë të gjetura në banesë për t’i arrestuar për municion mbajtje.

Për dy kushërinjtë lezhjanë policia kishte dyshime të arsyeshme për lidhje në marrjen e motorit Gjozëve, dhe dyshime për një motiv të arsyeshëm që lidhet me një transaksion 75 mln euro për të cilat kishte dalë garant banka e 58- vjeçarit Santo. Për çështjen e transaksioneve bankare, Prokuroria e Përgjithshme ka angazhuar Task-Forcën për antikrimin financiar dhe prokurorin Ndini Tavani, për verifikimin me imtësi të veprimtarisë së bankës “Credins”. Prokurori Tavani do kryejë skanerin e transaksioneve bankare për të parë ndonjë kalim shume lekësh të dyshimtë, që mund të ketë sjellë dhe lindjen e konflikteve, dhe më pas vrasjen e biznesmenit të njohur Artan Santo.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button