Vrau palestinezin e shtrirë e të plagosur, dënohet ushtari izraelit
Vrau një palestinez të shtrirë në tokë, të plagosur, e për këtë ushtari izraelit Elor Azaria u shpall fajtor nga Gjykata ushtarake e Tel Avivit.
Për kryetaren e trupit gjykues, Maya Heller, ajo goditje ishte e panevojshme, sepse i riu tashmë ishte neutralizuar.
Ushtari u mbrojt duke thënë se kishte shtënë mbi agresorin nga frika se mos kishte ndonjë brez me eksploziv në trup, por prokurorët këmbëngulën të tregonin se motivi i gjestit të tij ishte hakmarrja.
Viktima, Abdel Fatah Sharif u qëllua për vdekje 24 marsin e 2016-s në qytetin e Hebronit, në Bregun e pushtuar Perëndimor. Azaria, i dënuar për “vrasje me paramendim”, ishte në gjyq që prej muajit maj.
Rasti i tij ka ngjallur debate të mëdha në Izrael, ku partitë e djathta i kanë garantuar 20-vjeçarit të gjithë mbështetjen e tyre, ndërsa krerët e lartë ushtarakë janë distancuar prej veprimit të ushtarit, duke thënë se ai nuk reflekton vlerat e Forcave të Armatosura izraelite.