Politika

Willkommen in Albanien Kanzlerin Merkel!

MerkelVizita e kancelares Merkel ne Tiranë vlerësohet si një inkurajim për intensifikim të mëtejshëm të marrëdhënieve ekonomike bilaterale dhe perspektivën europiane të Shqipërisë.

Sot arrin në Tiranë kancelarja gjermane, Angela Merkel në kuadër të një turi ballkanik, që vijon nesër (09.07) me vizitat e saj në Serbi dhe Bosnjë–Hercegovinë. Vizita në Tiranë vlerësohet historike dhe shumë e rëndësishme për marrëdhëniet ekonomike dhe politike dypalëshe, të cilat ambasadori gjerman në Tiranë Helmut Hoffmann i cilësoi ditët e fundit “të shkëlqyera” . Kryeministri Rama shkruan në rrjetin social Twitter “Willkommen in Albanien Kanzlerin Merkel! Sot ditë e shënuar për Shqipërinë. Vizita e parë dypalëshe e një kancelari të Gjermanisë në Shqipëri.”

Vizita e kancelares Merkel ne Tiranë vlerësohet si një inkurajim për intensifikim të mëtejshëm të marrëdhënieve ekonomike bilaterale dhe perspektivën europiane të Shqipërisë. Në rrethet politike dhe mediatike të Tiranës, kjo vizitë konsiderohet një inkurajim për të përshpejtuar hapjen e negociatave të anëtarësimit mes Shqipërisë dhe BE. Në një deklaratë për mediat gjermane, në prag të fillimit të këtij turi ballkanik kancelarja Merkel theksoi se “Shqipëria ka bërë progress në këtë drejtim me marrjen e statusit të vendit kandidat për anëtarësim, por i mbetet ende shumë për të bërë”. Zëdhënësi i kancelares Merkel, Steffen Seibert ka bërë të ditur për mediat gjermane se “çështjet kryesore të bisedimeved do të jenë marrëdhëniet bilaterale dhe ato me BE-në, çështjet ekonomike dhe të energjisë.”

Sipas burimeve zyrtare kancelarja gjermane pas mbritjes ne aeroportin ”Nënë Tereza” do të drejtohet për në selinë e Kryeministrisë ku tanimë gjithçka është gati për ceremoninë e lartë shtetërore të mirëseardhjes. Kancelarja Merkel do të zhvillojë më pas bisedime me kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama dhe në përfundim të tyre do të ketë një konferencë të përbashkët shtypi. Të njëjtat burime bëjnë të ditur se ajo do të zhvillojë bisedime edhe me Presidentin e Republikës, Bujar Nishani. Në pasditen e vonë kryeministri i Shqipërisë, Rama dhe Kancelarja e Republikës Federale të Gjermanisë, Merkel do t’i drejtohen me fjalime Konferencës Ekonomike Gjermano- Shqiptare që ka nisur punimet e saj sot paradite në mjediset e Tirana Business Park.

Vizita e kancelares gjermane Merkel në Tiranë vjen disa javë para Konferencës së Vienës, që do të zhvillohet në fund të gushtit të këtij viti si vijim i procesit të Berlinit, që filloi gushtin e kaluar kaluar me nismën e znj. Merkel për t’i dhënë një nxitje të re perspektivës europiane të Ballkanit Perëndimor. Për ecurinë e procesit të Berlinit Shqipëria dhe Serbia konsiderohen si faktorë të rëndësishëm drejtues në procesin e pajtimit të Ballkanit Perëndimor dhe bashkëpunimit rajonal si parakusht i integrimit europian.

Konferenca ekonomike gjermano – shqiptare me pjesëmarrhjen e disa qindra investitorëve nga Gjermania pritet të rrisë interesin e tyre për të investuar në Shqipëri. Para një jave u hap Tirana Business Park, një investim i grupit bavarez Lindner pranë Aeroportit Ndërkombëtar “Nënë Tereza”dhe autostradës Tiranë-Durrës , ku pritet të krijohen 9.000 vende të reja pune si edhe fabrika e parë Forchner që brenda këtij viti pritet të krijojë 330 vende pune dhe në një fazë të mëvonshme rreth 1000.

Masa të rrepta sigurie.

Vizita e sotme e Kancelares Merkel shënon në fakt vizitën e dytë të një niveli të tillë në Shqipëri, pas asaj të kancelarit Gerhard Schrȍder, në vitin 1999, e cila më shumë se marrdhëniet gjermano-shqiptare 12 vjet pas rihapjes së tyre në vitit 1987, u përqëndrua në përballimin e krizës humanitare, në kohën e luftës së Kosovës. Nga ky këndvështrim , vizita e kancelares Merkel sot në Tiranë konsiderohet si vizita e parë e një kancelari gjerman në Shqipëri. Gjatë 4 orëve e gjysmë që znj. Merkel do të jetë në Tiranë do të ketë masa të rrepta sigurie dhe bllokim të rrugëve kryesore të Tiranës dhe atyre që të çojnë në Tirana Bussines Park ku ka nisur Konferenca Ekonomike Gjermano-Shqiptare.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button